“Serbia, posedon dosjet e vrasjeve serike politike”/ Grenell në siklet të madh – ja pse po frikësohet!

Politika

“Serbia, posedon dosjet e vrasjeve serike politike”/ Grenell në siklet të madh – ja pse po frikësohet!

Nga: A.M. Më: 13 gusht 2022 Në ora: 18:59
Richard Grenell dhe Aleksandar Vuçiq

Ditë më parë, Richard Grenell, ish-emisar amerikan për dialogun Kosovë – Serbi ka përdorur gjuhë të ashpër ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, duke e quajtur atë “fashist me përvojë”.

Grenell ka akuzuar Kurtin se ka ndërmarrë hapa njëanshëm për vendosjen e reciprocitetit ndaj Serbië.

Pa përmendur fare se Serbia nuk pranon dokumentet e Kosovës, Grenell e ka quajtur “metoda fashiste”, vendimin e Kurtit për reciprocitet.

Ngjashëm si Grenelli, qasjen e kishte edhe opozita në Kosovë ndaj vendimit të Qeverisë Kurti.

Ata nuk hezituan ta kritikojnë qeverinë, ndonëse nëj vendim i tillë ishte në koordinim me aletatët ndërkombëtarë, SHBA-të.

Publicisti nga Gjermania, Idriz Zeqiraj në një bashkëbisedim me “Bota sot” u shpreh se gjuha që ka përdorur Grenell ndaj kryeministrit Kurti është e papranueshme dhe jashtë çdo norme diplomatike.

“Richard Grenell, ish-emisar amerikan për dialogun Kosovë-Serbi, ka përdorë gjuhë të ashpër, jashtë çdo norme diplomatike, ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit. Ai ka akuzuar se Albini ka marrë hapa të njëanshëm, për vendosjen e reciprocitetit ndaj Serbisë. Ndërkohë Grenell, me një anëshmëri të skajshme, në favor të Serbisë, anashkalon faktin se Serbia nuk i pranon dokumentat e Kosovës, përtej një dekade radhazi!

"Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, një i majtë radikal dhe fashist me pervojë, njëanshëm ka vepruar, për të ndalur targat serbe dhe letërnjoftimit në Kosovë. Mashtrim. Papërgjegjshmëri. Dhe, e panevojshme",- ka shkruar Grenell në Twtter. Dhe, ka shprehur habinë "pse Sullivan dhe Blinken nuk po i thonë Biden të ndalë metodat fashiste",- vazhdon Grenell!”, deklaroi ai.

Image
Publicisti nga Gjermania, Idriz Zeqiraj

Sipas tij, këto nuk sulme dhe fyerje nuk janë vetëm ndaj kryeministrit Kurti, por edhe ndaj popullit të Kosovës.

Ai tha se reciprociteti është normë ndërkombëtare dhe duhet të vendoset me të patjetër.

“Sulmet e vrazhda të ish-emisarit Grenell, kundër kryeministrit Kurti​, janë sulm e fyerje për popullin e Kosovës, sepse ai po e përfaqëson, në mënyrën më të dinjitetshme, jo vetëm popullin e Kosovës, por, edhe shqiptarët e kudondodhur në glob. Reciprociteti në marrëdhëniet bileterale, është normë ndërkombëtare, që duhej zbatuar qysh me çlirimin e Kosovës.

Lëshimet nënshtruese ndaj Serbisë, të bëra nga Hashim Thaçi kryeministër, e më vonë president aksidental, duke e shantazhuar nga shtete armike të Kosovës, si agjent i tyre Serbia, e cila posedon dosjet e vrasjeve serike politike, kryesisht, shqiptarë, e kishte në dorë fatin e Hashim Thaçit dhe të zyrtarëve tjerë kriminelë, në veçanti, të komandantëve, të cilët fshihen pas UÇK-së”, theksoi publicisti.

Skandalet për ndarjen e Kosovës

Krahas kësaj, Zeqiraj komentoi bashkëpunimin e ish-presidentit Hashim Thaçi me presidentin serb, Aleksandër Vuçiqi.

Ai përmendi edhe planin për ndarjen e Kosovës, në të cilin u përfshinë edhe Edi Rama dhe Baton Haxhiu.

“Hashim Thaçi, me komandantët e tij, të vetëdijshëm, se Serbia është në dijeni të krimeve të tyre, para, gjatë dhe pas luftës, në konspiracion me presidentin Aleksandër Vuçiq, Shërbimin sekret francez, agjentët serbë e rusë në Tiranë, vendosi të plotësojë kërkesat e Serbisë, për ndarjen e Kosovës. Fillimisht, u punua në fshehtësi plani i ndarjes të Kosovës. Më vonë u ngarkua Baton Haxhiu, këshilltar i dyfishtë, i Edvin Ramës e Hashim Thaçit, por, edhe agjent i shumëfishtë i shteteve armike të Kosovës dhe i gardës së vjetër enveriste në Tiranë.

Fillimisht, në TV7, pastaj në mediet tjera elektronike, Batoni shpalosi agjendën e hartuar nga Thaçi-Vuçiq:

1) Veriu i Mitrovicës t`i jipet Serbisë;

2) Zhbërja e Gjykatës Speciale;

3) Falja e krimeve reciproke dhe të bëhet pajtimi shqiptaro-serbë!”, theksoi ai.

Në vazhdim, publicisti potencoi se plani i ndarjes së Kosovës u intensifikua kur u angazhuan PAN-i me SHIK-un, po ashtu edhe fillimi i lobimit edhe në disa ambasada.

“Në kuadrin e kësaj agjende, në jug të Mitrovicës, u organiazua një debat, nën drejtimin e Raif-Çelës, ish i burgosur politik, me praninë e kryeparlamentarit Kadri Veseli. Takimi me qytetarë të seleksionuar, kishte për qëllim përgaditjen e popullit, për braktisjen e veriut të Mitrovicës, legalizimin e ndarjes së Kosovës. Thënë shkurt, organizatori Çela la të kuptohet se Veriu, përfundimisht, është i humbur dhe "nuk na duhet gjë"!

Plani i ndarjes së Kosovës, në këmbim të amnistisë të Hashimit me komandantët dhe makro-bandat vrastare të Dukagjinit, Drenicës, Llapit dhe të tjera banda-minore, po legalizohej me nguti. Për këtë ishte angazhua PAN-i me SHIK-un e tij supër-kriminal. Personeli në disa ambasada filloi lobimin për ndarje. Drejtues të PDK-së, Enver Hoxhaj, Ramë Buja me bashkëpunëtorë, në debatët televizive, aprovonin dhe agjitonin për ndarjen e Kosovës. Valon Murati i Lëvizjes për Bashkim, edhe pse nuk kishte as kryesi të partisë, u bë ministër! Sepse ishte dhe vazhdon të jetë i zëshëm, si argat i Hashimit. Ambasadorja Vlorë Çitaku u dekonspirua nga ministrja boshnjake Sabina; ministrja Dhurata Hoxha u "kap mat" me pagesën e mijëra eurove një agjensie lobuese parisiene, që kulmoi si skandal”, vlerësoi Zeqiraj.

“Dështimi i planit ogurëzi, ka vënë në siklet Grenellin dhe akterët tjerë”

Më tej, ai radhiti disa nga reagimet më të mëdha kundër planit për ndarjen e Kosovës, e me të cilin fatkeqësisht ishte pajtuar shefi kryesor i politikës së Jashtme, në administratën e Presidentit Trump, Grenell.

“Stafi kryesor i politikës së Jashtme, në administratën e Presidentit Trump, ishte pajtuar me Thaçin e Vuçiq, për ndarjen e Kosovës. Ata ishin miq e dhëndurë të Serbisë, përfshirë edhe Grenell. Zyrtari i lartë Bolton e pranoi planin për ndarjen e Kosovës. Ishin pesë burime kritike reaguese, kundër ndarjes:

1) Letra e përbashkët e një grupi të madh personalitetësh amerikane, drejtuar presidentit Trump, pse synohet cënimi i sovranitetit të Kosovës?! Për habi, kombëtarja "Bota sot", e cila ka qenë dhe mbetet roje besnike e Kosovës, me denoncimin e krimeve kundër Kosovës, kësaj radhe u mjaftua vetëm me botimin e letrës denoncuese, pa i dhënë hapësirë të mjaftueshme, duke e mbajtur më gjatë në portalin e saj;

2) Kancelarja gjermane, Angela Merkel, me porosinë e prerë: "Mos provoni ndarjen e Kosovës, mos e hapni "Kutinë e Pandorës" në Ballkan";

3) Kombëtari Dr. Sali Berisha, me denoncimin e rreptë të aleancës lobuese, për ndarjen e Kosovës, me personazhe ultra-negativë, si: Hashim Thaçi, Edvin Rama, Baton Hasxhiu, Aleksandër Vuçiq, manjatin miliarder, kundër shqiptar, George Soros, me kompani;

4) Albin Kurti, me denoncimin domëthënës, "me thikat mbi hartën e Kosovës" dhe refuzimin e tij parimor, për të qenë pjesë e kësaj maskarade ndarëse të Kosovës:

5) Intelektualë, gazetarë, atdhedashës të përkushtuar, në mbrojtje të sovranitetit të vendit, që nga Kosova, deri në Amerikën e largët, të cilët sollën fakte të bollshme, se komandantët e shantazhuar, me dosje të krimeve makabre, duan t`i dhënë tokë Serbisë, në këmbim të lirisë së tyre personale, ashtu siç bënë me Çakorrin, Kullën dhe pjesët shoqëruese të tyre.”, shtoi publicisti.

Ndër të tjera, ai tha se dështimi i planit ogurëzi, ka vënë në siklet Grenellin dhe disa akterët tjerë, ku padrejtësish kjo barrë iu la qeverisë Kurti, ku e shëmbën këtë ide njëherë e mirë.

“Ecejakët dhe -t`pamet-, me javë, të Hashim presidentit në SHBA, ishin të qëllimshme dhe kërkonte një premtim shpëtimi, nga zyrtarët e lartë amerikanë, për akuzat faktike të krimeve të luftës dhe pas saj. Pikërisht, në këtë kohë aktivizohet Grenell, me ekipin e tij, pothuaj se, në bllok, për ta realizuar marrëveshjen e fshehtë Thaçi-Vuçiq për ndarjen e Kosovës.

Dështimi i planit ogurëzi, ka vënë në siklet Grenellin dhe akterët tjerë. Binomi Albini-Vjosa, me vajzat e djemtë të LVV dhe Listës "GUXO", shembi ëndrrat e mercënarëve dhe mëria për heronjtë e ndryshimit, është skajore. Qeveritë e shkuara, si "tregëtare flamujsh", ikën "me bishtë për shalë", duke ia lënë "tokën e djegur" Qeverisë Kurti”, përfundoi Idriz Zeqiraj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat