“Dikur Richard Holbrooke, tash Gabriel Eskobar”, SHBA adresa më e sigurt për mbështetjen e Kosovës përballë Serbisë  

Politika

“Dikur Richard Holbrooke, tash Gabriel Eskobar”, SHBA adresa më e sigurt për mbështetjen e Kosovës përballë Serbisë  

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 6 shtator 2022 Në ora: 12:11
Gabriel Escobar

Presidenti francez, Emmanuel Macron dhe kancelari gjerman, Olaf Scholz i kanë dërguar një letër të përbashkët kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.  

Në letër thuhet se për Ballkanin Perëndimor është thelbësore normalizimi i plotë i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.  

Ata madje kanë njoftuar se kanë angazhuar edhe këshilltarë, Jens Plettner dhe Emmanuel Beaune, për t'i ofruar mbështetje të drejtpërdrejtë përfaqësuesit special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak. 

Ky i fundit Mirosllav Lajçak, ka bërë të ditur se me dy këshilltarët e sapoemëruar të Gjermanisë dhe Francës për dialogun do të vizitojnë Prishtinën dhe Beogradin më 9 shtator.  

Qarri: I dërguari i Francës dhe ai Gjermanisë, më tepër janë, “2Avoketër”  

Image
Gani Qarri

 

Lidhur me këtë, analisti politik, Gani Qarri në një bashkëbisedim për “Bota sot”, ka thënë se deri më tani përvoja ka treguar se vetëm ShBA dhe të dërguarit e saj mund ta shtyjnë marrëveshjen Kosovë -Serbi përpara, ndërsa gjithë të tjerët duken vetëm si emisar formal dhe "ambasador" të shteteve përkatëse.  

“Këto ditë presidenti francez, Emmanuel Macron dhe kancelari gjerman, Olaf Scholz nga takim i mbajtur me 4 shtator në Pallatin Elysee në Paris, dolën me njoftimin se kanë emëruar edhe ata dy ndërmjetësues njëri francez dhe tjetri gjerman si dhe u kanë dërguar një letër kryeministrit Kurti dhe presidentit serb Vuçiq për rëndësinë e përmbylljes së dialogut, ndaj duke pasur parasysh se qysh në fillim të dhjetorit të vitit të kaluar, Anglia kishte emëruar Stuart Peach të dërguar të posaçëm për Ballkanin Perëndimor, por që këtë vit pothuajse gati nuk është dëgjuar të përmendet emri i tij, nuk e di se sa, apo edhe a është e mundur fare, të jenë më të suksesshëm i dërguari i Francës dhe ai i Gjermanisë në këtë drejtim.  

Nga përvoja e deritanishme del se vetëm të dërguarit amerikan, si dikur "buldozeri" diplomatik Richard Holbrooke dhe tani z. Gabriel Eskobar, mund ta shtyjnë marrëveshjen Kosovë -Serbi përpara, ndërsa gjithë të tjerët duken vetëm si emisar formal dhe "ambasador" të shteteve përkatëse, më tepër për përcjelljen e zhvillimeve dhe informimin me kohë të vendeve të veta, mbi sa ndodhë në rajon”, thotë ai.  

Tutje, deklaron se këta dy këshilltarë, i Francës dhe ai Gjermanisë, më tepër janë, “2Avoketër” të mbrojtjes së interesave të këtyre vendeve të fuqishme të BE-së.  

“Në anën tjetër përkundër vlerësimit pozitiv të këshilltarit të kancelarit gjerman, për politikë të jashtme, Jens Plettner, të emëruar si i dërguar i Gjermanisë për procesin e dialogut Kosovë Serbi, ai mbahet përgjegjës për qëndrimin hezitues të Kancelarit Scholz për mos dërgimin e armëve të rënda Ukrainës, hezitimi gjatë i të cilit, ndoshta as çuarjes përpara të bisedimeve nuk do t’i bënte mirë, dhe megjithëse edhe i dërguari i Francës Emanuel Baune është diplomatë i njohur e me përvojë shumëvjeçare, që nga viti 2004, madje këshilltar për diplomacinë i presidentit francez Emmanuel Macron që nga viti 2019, i vlerësuar edhe me Medaljen e Nderit për Punët e Jashtme, për momentin është vështirë të thuhet se këta dy, do të jenë shkopi magjik i zgjidhjes së ngërçit në dialogun Kosovë Serbi”, ka thënë ai.  

Kjo sipas Qarrit, për vet faktin se as vet ndërmjetësuesit e lartë të BE- së Josep Borell dhe Mirosllav Lajçak me gjithë premtimet që kishte dhënë Lajçak, që në fillim, se marrëveshja Kosovë-Serbi do të zgjidhej brenda disa javësh, nga atëherë kanë kaluar mbi 2 vjet e gjysmë, por as që kanë mundur ta shtyjnë çështjen nga pik qëndrimi ku kishte ngelur. 

Ai thekson se vetëm me angazhimin e emisarit të lartë amerikan, z. Gabriel Eskobar, u arrit deri te dakordimi për qarkullimin e lirë të shtetaseve të Kosovës dhe atyre të Serbisë. 

“Ndaj, në dukje të parë, lë të nënkuptohet se edhe i dërguari i Francës dhe ai Gjermanisë, më tepër janë, “2Avoketër” të mbrojtjes së interesave të këtyre vendeve të fuqishme të BE-së, në këtë pjesë të Ballkanit Perëndimor, veçanërisht tani kur po flitet për përmbylljen e dialogut me ndihmën e SHBA-ve, se sa që mund ti ndihmojnë në mënyrë vendimtare lëvizjes së çështjes së bisedimeve përpara, përderisa Serbia nuk respekton as marrëveshjet e nënshkruara mbi një dekadë më parë dhe në vend të përmbylljes së çështjeve të dakorduara, ajo kërkon me çdo mjet dhe mënyrë për të nxitur tensione të vazhdueshme dhe krijuar probleme të reja edhe më të rënda, dujke shpreh hapur pretendimet territoriale ndaj tokave më vitale të Republikës së Kosovës”, shprehet analisti. 

Ai ka nënvizuar se Macron dhe Scholz edhe pse kanë kërkuar që dialogu duhet të përmbyllet me njohjen e ndërsjellë, ata nuk bëjnë asgjë që pesë vendet e BE-së ta njohin pavarësinë e Kosovës si dhe nuk parandalojnë Vuçiqin dhe veprimet e tij në veri.  

“Kështu që megjithëse presidenti francez, Emmanuel Macron dhe kancelari gjerman, Olaf Scholz, thanë se normalizimi i plotë i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është thelbësor për Ballkanin Perëndimor, deklarata e tyre me gjithë përmbajtjen e mirë dhe porositë frymëzuese, nuk do të ketë kuptim, përderisa vet BE, toleron 5 vendet anëtare të saj, që edhe mbi 23 vite pas çlirimit, mbi 14 sosh nga shpallja e pavarësisë dhe më tepër se 12 nga vulosja e pavarësisë së vendit tonë nga GJND, të mos e njohin pavarësinë e Kosovës.  

Pra sado që Emmanuel Macron dhe Olaf Scholz përmes një letre dërguar kryeministrit Kurti dhe presidentit serb informuan se kanë angazhuar këshilltarë për ndihmë në procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, nëse së shpejti fillimisht vet 5-shja evropiane nuk e njeh Kosovën, nuk e di se sa do të jetë bindëse, kërkesa për njohjen e Kosovës nga ana e Serbisë dhe çfarë ndihme mund të ofrojnë këshilltari i Macronit dhe ai i Olaf Scholzit, përderisa Vuçiq deklaron publikisht, se nuk do të pranojë as zëvendësimin e targave ilegale serbe, me ato legjitime të Republikës së Kosovës, për pjesëtarët e pakicës serbe, që jetojnë në veri të vendit tonë. 

Kështu që nëse vërtetë mendohet edhe nga Macron dhe Scholz që dialogu duhet të përmbyllet me njohjen e ndërsjellë, por nuk bëjnë asgjë që pesë vendet e BE-së ta njohin pavarësinë e Kosovës si dhe nuk parandalojnë Vuçiqin që ta mbajë një gjendja kaq të acaruar dhe kontradiktore në veri, nuk e di se me çfarë sugjerimesh mund të vinë këshilltarët e tyre, në Kosovë e Serbi dhe si do ta çojnë përpara procesin e bisedimeve ndërmjet të dy vendeve, siç shkruhet në letrën e dërguar, nga Macron dhe Scholz udhëheqësve të Kosovës dhe Serbisë”, është shprehur Qarri. 

Qarri ka potencuar se edhe përvoja e deritanishme, që nga fillimi i luftës në Kosovë dhe ish Jugosllavi, ishte i dërguari amerikan Richard Holbrooke, ai që arriti t’i ndalonte luftimet dhe gjente zgjidhje për përfundimin e gjakderdhjes në gjithë ish territorin e federatës jugosllave që nga Bosnja e Kroacia deri në Kosovë. 

“Holbrooke detyroi forcat okupatore serbe të kasapit të Ballkanit Sllobodan Millosheviq, përveç diplomacisë së fuqishme edhe me forcën e pathyeshme të armëve, që bandat okupuese serbe të tërhiqeshin përfundimisht në strofujt e tyre në Serbi, prej nga kishin vërshuar si të çmendur, për të gllabëruar me zjarr e hekur, tokat dhe hapësirat jetësore të të tjerëve, duke u`a mohuar edhe mbijetesën si njerëz”, përfundoi Qarri.  

Mulliqi: Dy këshilltarët duhet të zbatojnë kursin politik të kanacelarit Scholz 

Image
Skënder Mulliqi

 

Analisti Skënder Mulliqi, ka thënë se Evropa dhe sidomos Amerika e ka pa rrezikun nga logjikat pushtuese ruso-serbomëdha në Evropë dhe në Ballkan, duke shtuar se dy këshilltarët duhet të zbatojnë kursin politik të kanacelarit Scholz, i cili gjatë vizitave në Prishtinë dhe Beograd ka bërë të ditur se duhet arritur një marrëveshje e ndërsjellë Kosovë –Serbia, kjo e fundit duhet të pranojë pavarësinë.  

“Scholz dhe Makron në letrën e tyre dërguar presidentit serb, Vuqiq dhe kryeministrit të Kosovës, Kurti kanë kërkuar që të shprehin gatishmëri për të marrë vendime të vështira. Kjo sipas meje nënkupton se  nuk do të jetë i lehtë dialogu me Serbinë, për Kurtin, por edhe më e vështirë do të jetë për Vuçiqn, sipas rrjedhave të ngjarjeve të deritashme politike. Dihet se më herët topi politik ishte në anën e Serbisë dhe të Vuqiqit, kur ajo zhvillojë dialog me pushtetet e kaluara të Kosovës. Ai arriti disa marrëveshje në favor të Serbisë, të cilat marrëveshje preken sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit. Kohën e fundit, sidomos pas intervenimit ushtark të Rusisë mbi Ukrainën sovrane, edhe gjendja politike globale ka ndryshuar.   

Evropa dhe sidomos Amerika e ka pa rrezikun nga logjikat pushtuese ruso-serbomëdha në Evropë dhe në Ballkan. Ky ndryshim kursi të shprehem kështu ndaj Serbisë, ka bërë që Vuçiqi, mos të jetë ai që i përcakton agjendat politike shumë pa drejtë në dialog me palën e Kosovës. Edhe Scholz e më pak Makron ia kanë bërë me dije këtij shteti, se nuk do të këtë ndryshime kufijsh duke ju plotësuar egot e sëmuara shoviniste të botës ruse dhe botës serbe. Realizmi i këtyre ideve do të thotë luftë me përmasa botërore, por e cila veshtirë do të lejohet nga NATO. E bëra këtu një digresion sepse edhe dy këshilltarët politik të ri, të Lajçakut dhe Borellit, duhet të zbatojnë kursin politike të kanacelarit Scholz i cili gjatë viziatave në Prishtinë dhe Beograd ka bërë të ditur se gjatë bisedimeve përfundimtare për t’u arritur një marrëveshje e ndërsjellë –Kosovë –Serbia, kjo e fundit duhet të pranojë pavarësinë”, deklaroi ai.   

Mulliqi tha se kohën e fundit jemi dëshmitarë se ka një bashkëpunim shumë të ngjeshur ndërmjet Amerikës dhe Evropës lidhur me dialogun Kosovë-Serbinë.  

“Në, Kosovë dhe Serbi ishte Eskobar i cili tha qartazi se nuk do të ketë shtet në shtet, duke aluduar në Asociacionin me kompetenca ekzekutive, që është përfolur shumë deri më tash në opinionin e gjerë publik. Ai tha gjithashtu se Asociacioni nuk guxon të bie ndesh me kushtetutën e vendit, ku edhe ky asociacion kontestohet në 23 ligje. Për kancelarin gjerman, Olaf Scholz dhe presidentin francez, Emmanuel Macron normalizimi i plotë i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është thelbësor për Ballkanin Perëndimor. Këta i kanë ngarkuar këshilltarët e tyre për politikë të jashtme dhe siguri, Jens Plettner dhe Emmanuel Beaune, për t'i ofruar "mbështetje të drejtpërdrejtë përfaqësuesit special të BE-së për dialog, Miroslav Lajqak”, theksoi Mulliqi.   

Sipas tij, trysnia që po i bëhet tash Serbisë, ngjall shpresa se do të gjendet një  marrëveshje e favorshme politike për Kosovën në bisedime.  

“Kosova dhe Serbia pas tensioneve në veri në fund të korrikut, u pajtuan që të heqin dorë nga lëshimi i dokumentit për hyrje-dalje për shtetasit e të dy vendeve. Kjo duket që pati efekt në një qetësimin e situatës politike. Kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiq të hënën qëndroi në Kosovë, ku vizitoi disa komuna në veri të Kosovës të banuara më shumicë serbe dhe do të takojë përfaqësuesit e serbëve të Kosovës. Në të njëjtën kohë, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi dhe ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, po të hënën vizituan Kosovën Lindore. Ata do të biseduan me përfaqësuesit shqiptar të luginës. Shumë kush në Serbi edhe Nenad Qanak mendojnë së pas kësaj marrëveshje, Vuqiçi ka pranuar në një mënyrë pavarësinë e Kosovës”, nënvizoi Mulliqi. 

 

Ai u shpreh se kjo dhe trysnia që po i bëhet tash Serbisë, ngjallin shpresa se do të gjendet një  marrëveshje e favorshme politike për Kosovën në bisedime.  

 

“Mendoj, se kërcënimet me luftë që po i bën Serbia, kanë qenë presion të realizojnë implementimin e Asociacionit me kompetenca ekzekutive, se sa që ata do të kishin shprehë guximin për ndonjë blic intervenim ushtarak në veri të Mitrovicës. NATO, herën e fundit kur Vuqiçi inicioi incidente më barrikada të serbëve në veri, e patën bërë me dije Vuqiçin, dhe estabilishmentin ushtarak serbë, së  në Kosovë ekziston vija e kuqe. Unë, mendoj se Evropa dhe Amerika nuk do të lejojnë ndryshime kufijsh me dhunë në Ballkan, nga Rusia dhe Serbia të cilat kohët e fundit kanë nxitur provokime Malin e Zi dhe Kosovën”, përfundoi analisti Skënder Mulliqi.  

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat