Dyshime të mëdha për kornizën e re të dialogut me Serbinë / Analistët i kontestojnë këta gjëra!

Politika

Dyshime të mëdha për kornizën e re të dialogut me Serbinë / Analistët i kontestojnë këta gjëra!

Arife Morina Nga Arife Morina Më 20 shtator 2022 Në ora: 18:11
Foto nga takimi në Bruksel

Së fundi, në media u publikua një dokument ku parashihej një kornizë e re e dialogut Kosovë-Serbi.

Aty potencohej se në vitin 2023 duhet të nënshkruhet marrëveshja e dytë për normalizim të marrëdhënieve, pas asaj të vitit 2013, me të cilën Serbia faktikisht e pranon realitetin e Kosovës shtet të pavarur, por nuk e njeh formalisht. Në një fazë të mëvonshme, hipotetikisht pas 10 vitesh, atëherë kur BE-ja është e gatshme të zgjerohet dhe ta përfshijë Ballkanin perëndimor, arrihet marrëveshja për njohje të ndërsjellë, si parakusht i të dy shteteve për anëtarësim në BE.

Ky është plani i paraqitur në kornizën e re për marrëveshje në mes të Kosovës e Serbisë, i përpiluar pas angazhimit të këshilltarëve të presidentit francez Emanuel Macron dhe kancelarit gjerman Olaf Scholz, të cilin e ka siguruar media.

Me marrëveshjen e vitit të ardhshëm (nëse pranohet propozimi) Kosovën e pranojnë edhe pesë shtetet që akoma nuk e kanë njohur të Bashkimit Evropian, kurse Serbia do të përfitojë një ndihmë masive financiare, asistencë ekonomike dhe do njihet si fuqia e rajonit.

“Korniza e re” thuhet se është propozimi i ri i ardhur direkt nga përfshirja e presidentit Macron dhe kancelarit Scholz në procesin e dialogut, sepse siç thuhet në dokument “Kosova e Serbia në vete nuk do të mund ta zgjidhin kurrë problemin”.

Të gjitha segmentet shpjegojnë të ashtuquajturën “kornizën e re”, e cila u është prezantuar Albin Kurtit e Aleksandër Vuçiq-it. Këtë kornizë, publikisht, e ka pranuar vetëm Presidenti serb Vuçiq pas vizitës së dy këshilltarëve në Beograd, të cilin thuhet se Vuçiqi ka refuzuar ta pranojë si dokument, pra ua ka kthyer sipas tij, mbrapsht palëve.

Propozimi në fund parasheh edhe si të vazhdohet tutje nëse Kosova dhe Serbia nuk e pranojnë këtë propozim.

E në lidhje me këtë dokument u shprehen skeptikë analistët politikë.

Ata në prononcimet e tyre për “Bota sot” treguan dyshimet që kanë për këtë kornizë të re dhe pse nuk iu duket kredibile atyre.

Kuçi: Korniza realisht nuk zgjidh asgjë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe nuk prek aspak të kaluarën

Image
Profesori për marrëdhënie ndërkombëtare, Gurakuq Kuçi.

Në lidhje me këtë temë ka folur për “Bota sot”, profesori për marrëdhënie ndërkombëtare, Gurakuq Kuçi.

Fillimisht, ai u shpreh skeptik sa i përket kredibilitetit të dokumentit të publikuar për kornizën e re të dialogut.

Sipas tij, kjo kornizë ka dy qëllime kryesore, ku njëra prej tyre është gjetja e një rrugëdalje që shteti serb mos ta njoh Kosovën.

“E ashtuquajtura “kornizë për dialogun” e cila është publikuar së fundmi, nuk duket një dokument, i cili duhet t’i besohet, më shumë ka perspektivën e “dokumenteve jo-zyrtare”, të cilat publikoheshin para disa muajve, ku të gjithë bënin vetëm matje të opinionit.

Kjo kornizë kishte dy qëllime kryesore: si të gjente një rrugëdalje për një marrëveshje që e bënë të mundur që Serbia të mos e njohë Kosovën dhe qëllimi i dytë ishte tu bëhej presion palëve, se cila do që refuzon do ndëshkohet. Korniza realisht nuk i siguron Kosovës anëtarësim në OKB duke e parë si pengesë Rusinë dhe Kinën në KS të OKB-së”, deklaroi profesori.

Krahas kësaj, Kuçi vlerëson se korniza e publikuar nuk zgjidh asgjë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe nuk prek aspak të kaluarën.

“Pra, akti i mosnjohjes së Kosovës dhe kalimi në modelin e dy gjermanive të periudhës së Luftës së Ftohtë i lë hapësirë Serbisë që pas 10 vjetësh apo më herët të kërkojë në çfarëdo forme ri-pushtimin e Kosovës. Këtë pikë e fuqizon fakti se korniza flet që Serbia të njihet si fuqi rajonale.

Korniza realisht nuk zgjidh asgjë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe nuk prek aspak të kaluarën:

- Nuk zgjidh asgjë për faktin se flet vetëm se si të arrihet një marrëveshje që Serbia të bëhet fuqi rajonale dhe të mos e njoh Kosovën duke lënë shumë paragjykime për të ardhmen.

- Duke mos zgjidhur asnjë nga çështjet e krimeve të Serbisë në Kosovë dhe çështjet e pa zgjidhura të tjera, nuk ofron paqen afatgjatë”, theksoi ai.

Më tej, profesori përmendi edhe disa arsye se pse nuk i beson këtij dokumenti të publikuar lidhur me dialogun Kosovë-Serbi.

“Si duket korniza ka synim vetëm që të bëhet diçka mes Kosovës dhe Serbisë që BE-ja të ketë kohë të merret me çështje të tjera dhe ta mbyllë perspektivën për BE për 10 vite për Ballkanin Perëndimor. Politika e tillë e “paqëtimit” siç njihet në marrëdhëniet ndërkombëtare që e kishte bërë dikur Britania e Madhe dhe Franca bashkë me disa shtetet të tjera ndaj Hitlerit, e ka pas bërë Hitlerin aq të fuqishëm sa të pushtojë gjithë kontinentin.

Megjithatë, mënyra se si funksionojnë mediat në Ballkanin Perëndimor, dokumentin nuk e bën të besueshëm”, përfundoi Gurakuç Kuçi për “Bota sot”.

Ahmeti: Përfaqësuesit e Kosovës nuk duhet të pranojnë asgjë përtej Pakos së Ahtisarit

Image
Analisti politik, Hidajet Ahmet

Ndërsa, analisti politik, Hidajet Ahmeti ka dyshimet e tij lidhur me këtë dokument. Ai u shpreh se nuk mund t’i besohet një dokumenti të tillë, i cili nuk posedon vulën institucionale.

“Nuk mund të gjykoj diçka që nuk është zyrtarizuar akoma në kontekstin e vërtetësisë dhe përderisa një çështje e tillë nuk e merr vulën institucionale, atëherë mund të dyshohet mbi vërtetësinë e tij”, deklaroi analisti.

Ahmeti potencoi se krerët e shtetit nuk duhet të pranojnë ndonjë marrëveshje që dëmton shtetësinë e Kosovës.

“Përfaqësuesit e Kosovës nuk duhet të pranojnë asgjë përtej Pakos së Ahtisarit, e cila potencialisht mund të dëmtojë substancën e shtetësisë. Është përgjegjësi e lartë të dialogohet me një shtet armiqësor, aq më shumë kur e dimë qëndrimin e atij shteti”, shpjegoi ai.

Në fund, analisti bëri thirrje që palët ndërmjetësuese duhet të veprojnë në mënyrë objektive dhe të mos e harrojnë të kaluarën e dhimbshme të shqiptarëve.

“Por, mendoj se dialogu me Serbinë duhet të zhvillohet në kontekstin e palëve të barabarta dhe palët ndërmjetësuese duhet të veprojnë në mënyrë objektive. Çdo tendencë e tejkalimit të së kaluarës së dhimbshme të shqiptarëve të Kosovës do ta dëmtonte procesin dialogues dhe nuk do ta kemi një rezultat të merituar në këtë proces”, përmbylli Hidajet Ahmeti për “Bota sot”.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat