“Fati i keq është se Albin Kurti...”/ Ja skenari i përgatitur për rrëzimin e Qeverisë

Politika

“Fati i keq është se Albin Kurti...”/ Ja skenari i përgatitur për rrëzimin e Qeverisë

Nga: P.R Më: 25 shtator 2022 Në ora: 20:00
Albin Kurti

Tashmë një muaj, shkollat e Kosovës vazhdojnë të mbeten të mbyllura, për shkak të grevës që ka nisur në arsim.

E deri më tani nuk ka as një shenjë se mund të ketë një marrëveshje në mes Qeverisë dhe Sindikatës.

Kryeministri Kurti i ka cilësuar sindikalistët si, të PAN-it, koalicioni PDK-AAK-Nisma, që drejtohej nga Ramush Haradinaj.

“Bëhet fjalë për një inati ndaj qeverisë. Sindikalistëve të PAN-it iu ka këputur sahati më 14 shkurt. Është keq se sa shumë po humbim. Është dashur të fillojë më 1 shtator (mësimi). Jam i bindur se nxënësit dhe prindërit duan të nis mësimi, dhe mësimdhënësi duan të japin mësim. Nuk duam të bojkotohet shteti pasi shkolla është shteti”, deklaroi Kurti.

Ndërsa nga SBASHK-u i janë përgjigjur menjëherë kryeministrit Kurti, për të cilin thonë se janë të zhgënjyer.

“Të gjendur në këtë situatë, e të zhgënjyer nga këto deklarime të Kryeministrit, të gjithë pjesëmarrësit e këtij takimi me kryetarët e Këshillave greviste të nivelit komunal e të universiteteve, me keqardhje janë shprehur se kjo mungesë e vullnetit të Kryeministrit e Qeverisë për dialog, dhe injorimi i kërkesave legjitime të grevistëve, po bën që greva të vazhdojë edhe në ditët ne vijim”, thuhet ndër tjerash në komunikatën e SBASHK-ut.

E për situatën aktuale të krijuar në Kosovë, për gazetën “Bota sot” ka folur doktori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Gurakuç Kuçi

Image
Gurakuç Kuçi

“Aktualiteti politik i politikanëve dhe aktualiteti politik i qytetarëve janë dy gjëra thellësisht të ndara. Në Kosovë një klasë politikanësh kanë hallin si ta ruajnë pushtetin, një pjesë tjetër si të rikthehen me çdo kusht në pushtet, ndërsa qytetarët janë mënjanë të dyja këtyre palëve. Fatkeqësisht qytetarët kanë mbetur spektatorë të dramave dhe gjuajtjeve pozitë e opozitë, në formën primitive të “kungjave”, se sa për ndonjë interes të atyre që janë zgjedhë”, thotë Kuçi.

Sipas tij, qytetarët nuk janë duke iu përgjigjur provokimeve të sindikatave dhe opozitës në Kosovë.

“Qytetarët nuk janë duke iu përgjigjur provokimeve për trazira sociale nga sindikatat dhe opozita, madje as vet anëtarët e sindikatave nuk janë duke iu përgjigjur kësaj çështjeje. Kjo për faktin se qytetarët sa do që mund të jenë të pakënaqur tani, nuk janë shumë të gatshëm të rikthejnë personat të cilët bënin korrupsion çdo ditë dhe atë haptazi, personat të cilët përbëjnë grupe që nuk janë aspak politike por parapolitike”, shprehet Kuçi, i cili thotë se e gjithë kjo është një skenar për rrëzimin e qeverisë Kurti.

“Pra e gjithë kjo është një skenar i përgatitur që vendi të bëhet tërësisht jofunksional dhe të shkaktohen trazira sociale si mundësi për rrëzimin e qeverisë, pasi nuk kanë ndonjë opsion tjetër nëpërmjet Kuvendit të Kosovës. Sidoqoftë, një qeveri është në krye, që të ofrojë zgjidhje për çdo gjë, edhe në raste të tilla kur i sabotohet qeverisja, duhet të ofrojë zgjidhje, pa marrë parasysh se si. Një prej zgjidhjeve është duke filluar ndryshimet nga vetvetja, sepse nëpër ministri nuk është që është funksionalizuar diçka në shërbim të qytetarëve që nuk ka qenë në të kaluarën, pra korrupsioni dhe shkelja e ligjit po vazhdon”, thekson Kuçi.

Më tej, ai shton se Albin Kurti e mori postin e kryeministrit në kulmin e krizave të mëdha globale, gjë e cila ka ndikuar edhe në qeverisjen e tij.

“Fati i keq është se Kurti e mori qeverisjen mu në krizat më të mëdha globale. Kur krizat globale godasin të fuqishmit, këto kriza shkatërrojnë të vegjlit. Përveç tjerash qeverisja e tanishme ka sfidën edhe të dialogut me Serbinë dhe reprezaljet e mëdha që po bëjnë këta të fundit për shkak të rezistencës nga qeveria e Kosovës. Të gjitha janë të përballueshme sikur të bënte një ekip më të mirë, qoftë nëpërmjet zgjerimit apo rikonfigurimit”, deklaron Kuçi.

“Sidoqoftë, nëse vazhdon gjatë kjo gjendje e pa shpresë, mund të ketë edhe veprime në rrugë. Potencialisht një veprim i tillë do fryhej edhe më shumë nga armiqtë e Kosovës që ta dërgojë Kosovën drejt gilotinës”, përfundon për “Bota sot”, doktori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Gurakuç Kuçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat