Rasti “Toka”/ Çfarë po ndodh me gjykimin e Azem Sylës?

Politika

Rasti “Toka”/ Çfarë po ndodh me gjykimin e Azem Sylës?

Nga: N. Sh. Më: 1 tetor 2022 Në ora: 16:06
Azem Syla

Qytetarët e Kosovës janë të zhgënjyer me sistemin e drejtësisë se si ka funskionuar këto 20 vitet e pas luftës.

Rezultatet tregojnë se ka shumë për të dëshiruar në drejtësi, mirëpo me qeverisjes aktuale gjërat pritet të ndryshojnë.

Për të luftuar sistemin e drejtësisë, pra për të vendosur në binar duhet të ketë njerëz të guximshëm që mund të përballen me lloje të ndryshme të situatave.

Kjo sepse, nëpër institucione janë vendosur të dëgjueshmit dhe servilët e grupeve kriminale e të interesit, dhe tani numri i atyre njerëzve është i madh dhe do të jetë shumë e vështirë që të pastrohet rrënjësisht krimi i organizuar.

Kështu ka vlerësuar ish-zëvendësministri i MPB-së dhe eksperti i sigurisë Hajrullah Tërnava.

Ai thotë se për një spastrim serioz e të thellë duhet një kohë e gjatë, sepse si kryes kryesor të këtyre veprave janë njerëzit eminent nëpër institucionet e shtetit, prandaj shton se, këto vepra për tu zbardhur ndonjëherë duhet të bëhen reforma të rëndësishme.

“Kësaj situate të zbardhjes mund t’i kontribuoj vetëm ligji i Vettingut që është në pritje të miratohet, dhe mbas miratimit të tij do të fillon edhe jetësimi i këtij ligji, ku priten që në të ardhmen e shpejtë do t’i jep rezultatet e pritura me një luftim serioz të krimit të organizuar”, thotë ai.

Image
Hajrullah Tërnava

Sipas tij, kjo qasje do t’i ndihmoj edhe shtetit që të lëvizë më shpejtë drejtë BE-së.

“Deri me tani është menduar, por më shumë është manipuluar me atë se po luftohet krimi i organizuar, sepse me formacione të tilla, ata që ishin deri më tani në pushtet, nëpër institucionet e shtetit të instaluara pasluftës e deri më tani, assesi nuk ka mundur të luftohet krimi i organizuar, sepse nëpër të gjitha institucionet ishin njerëzit e emëruar nga ata që i bënin ligjet dhe e qeverisin shtetin ashtu si donin ata”, shprehet ai.

Ai shton se, qëllimi tyre ishte pasurimi, prandaj pohon se, këtu janë ato pengesat e mos luftimit të krimit të organizuar.

“Prandaj deri më tani u vazhdua të manipulohet nga gjyqësori i kapur prej nëntokës kriminale, dhe dërgohet drejtë devalvimit të plotë, në parashkrim një nga rastet emblemë të krimit dhe korrupsionit në Kosovë “Toka” dhe “Toka 2”që ka të bëjë me abuzimin e pasurisë publike, dallaveret në shitblerjen dhe privatizimin e tokave, hiq më pak se 36 hektar, me dokumente të falsifikuar, krim ky që ka goditur rëndë dy komunat në fqinjësi, Prishtinën dhe Graqanicën”, shprehet Tërnava.

Sipas tij, në kalendarin e Gjykatave janë dhjetëra raste serioze të lëndëve që kanë të bëjnë me gjykimin e grupeve kriminale për korrupsion, e që janë duke dështuar të mbahen për shkak të mungesave qoftë nga ana e prokurorëve, gjyqtarëve apo edhe të palëve të akuzuara.

“Prokurori i EULEX-it, kishte ngritur dy aktakuza, njëra e njohur tani si rasti “Toka”, në të cilën akuzohet Azem Syla dhe të tjerët, kurse në tjetrën akuzoheshin 24 persona, që njihej si rasti “Toka 2”. Mirëpo po kalojnë dekada dhe nuk kemi akoma epilog përfundimtar dhe aktgjykim ndëshkues të formës së për gjithë këtë abuzim dhe shpërdorim kriminal me pasurinë e shtetit nga grupet e mafies së nëntokës kriminale, në krye të së cilës ishte ish-deputetit të PDK-së, Azem Syla, ish zyrtar i lartë i SHIK-ut dhe ish Komandanti i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së”, thotë Tërnava.

Ndërsa, më 28 shtator, për shkak se Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar të bëhet ekspertizë psikiatrike ndaj të akuzuarit Fahredin Gashi, është ndërprerë gjykimi në rastin ‘‘Toka’’.

Ky vendim është marrë nga trupi gjykues, i udhëhequr nga gjykatësi Arben Hoti, pas propozimit nga mbrojtësi i të akuzuarit Gashi, avokatit Tahir Rrecaj.

Fillimisht, avokati Rrecaj ka propozuar dy alternativa, duke kërkuar që procedura ndaj të akuzuarit Gashi të veçohet për shkak të gjendjes së tij shëndetësore, duke përmendur faktin se ekzistojnë disa raporte nga Forenzika Psikiatrike e Kosovës, të cilat konstatojnë se i njëjti ka sëmundje psikike të përhershme.

Ai tha se i akuzuari Gashi nuk mund të përballet me shqyrtimin gjyqësor, pasi që nuk e kupton peshën dhe rëndësinë e gjykimit dhe se nuk komunikon me avokatin mbrojtës.

“Të gjitha këto sëmundje nga viti 2002, e në veçanti nga viti 2008, janë të karakterit të përhershëm me ndikim të theksuar në funksionet psikike”, tha avokati Rrecaj.

Më pas, ai propozoi alternativën tjetër, duke kërkuar që në këtë procedurë penale të bëhet një ekspertizë tjetër.

Lidhur me këtë, prokurori i rastit Naim Abazi, ka thënë se, nëse gjykata vendos për caktimin e një ekspertize, atëherë trupit gjykues do t'i kërkojë që në shkresat e lëndës të vendoset vendimi me të cilën prokuroria në atë kohë kishte refuzuar propozimin e mbrojtjes për veçim të procedurës, me rrethanat dhe arsyet e paraqitura si në të.

Në këto rrethana, trupi gjykues refuzoi propozimin e mbrojtjes për veçimin e procedurës ndaj të akuzuarit Gashi, por që urdhëroi ekspertizë psikiatrike ndaj tij.

“Prandaj, nëse duam që të jetësohen ligjet e shtetit të vërtetë, e sidomos të pastrohet ky vend njëherë e përgjithmonë nga krimet në përgjithësi, duhet të bëhen reforma të thella në të gjitha institucionet shtetërore e sidomos të atyre që e luftojnë krimin e organizuar sikur që janë gjyqësori, prokuroria, policia, AKI, FSK dhe ata njerëz që emërohen në ato poste, të jenë profesional dhe të pastër para ligjit, që në mënyrë të pamëshirshme do ta luftojnë krimin në përgjithësi. Nëse luftohet krimi në bazë të ligjeve, duke vepruar pavarësisht se kush është vepër kryes, ku gjithsecili do të akuzohet për veprat e kryera dhe do të dënohen në baza ligjore sipas veprave kriminale të kryera, atëherë mund të themi se vërtetë kemi shtet të së drejtës. Këtij spastrimi shumë do ti kontribuon edhe ligji i Vettingut, dhe ligji i konfiskimit të pasurisë së fituar në mënyrë të pajustifikueshme”, përfundon Tërnava.

Ndryshe, seanca e radhës për këtë çështje penale pritet të mbahet më 17 nëntor 2022.

Kurse, në seancën e 10 qershorit 2022, Azem Syla dhe të tjerët janë deklaruar të pafajshëm lidhur me veprat penale që iu vihen në barrë.

Në këtë rast, ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Azem Syla dhe të tjerët nga viti 2016, po akuzohen për vepra të ndryshme penale që lidhen me korrupsionin dhe krimin e organizuar.

Fillimisht në këtë rast kanë qenë 22 të akuzuar, ku për N.U., dhe Sh.M., është pushuar procedura pasi ata kanë ndërruar jetë, ndërsa për shkak se gjykata nuk ka arritur të sigurojë prezencën e Ilaz Sylës, Mustafë Halitit dhe Hajrullah Berishës, për të njëjtit është veçuar procedura.

Gjykatësi ka bashkuar procedurën penale ndaj Ilaz Sylës, i cili ka qenë i akuzuar në këtë rast.

Po ashtu, ka bashkuar procedurën edhe ndaj tani të akuzuarit Vidosav Novakovic, duke thënë se në këtë çështje penale do të merret një aktgjykim, meqenëse sipas tij, janë provat të ndërlidhura dhe rasti është i njëjtë.

Ndryshe, kjo lëndë fillimisht gjykohej nga gjykatësi Beqir Kalludra dhe pasi që gjykimi ishte afër përfundimit të tij, avancimi i gjyqtarit Kalludra kishte ndikuar që kjo lëndë të mbetej pa u përfunduar.

Gjykata Themelore në Prishtinë, këtë lëndë më pas ia kishte ndarë në punë gjykatëses Shpresa Hasaj-Hyseni, e cila nuk kishte mbajtur asnjë seancë.

Por, edhe pasi rasti ishte pothuajse në përfundim, kur gjykohej nga gjykatësi Kalludra, i njëjti duhet të nis përsëri. Kjo pasi neni 311, paragrafi 3 i Kodit të Procedurës Penale përcakton se: “kur shtyrja ka zgjatur më shumë se tre (3) muaj ose kur shqyrtimi gjyqësor mbahet para një kryetari tjetër të trupit gjykues, shqyrtimi gjyqësor duhet të fillojë rishtas dhe përsëri të shqyrtohen të gjitha provat”.

Duke u bazuar në Kodin e Procedurës Penale, të gjitha dëshmitë e dëshmitarëve, të akuzuarve dhe provave të tjera që janë shqyrtuar nga gjykatësi Kalludra, duhet që të shqyrtohen edhe njëherë nga fillimi nga kryetari i ri i trupit gjykues, Arben Hoti.

Ndryshe, ky shqyrtim nga fillimi i gjykimit është karakterizuar me zvarritje, në masën më të madhe, në kohën që gjykohej nga gjykatësit e EULEX-it.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ka ngritur dy aktakuza, njëra me 17 persona dhe tjetra me 22 persona, ku në këtë të fundit, që ishte ngritur më 24 tetor 2016, përfshihet edhe ish-deputeti i PDK-së Azem Syla, që sipas PSRK-së, ai kishte qenë edhe udhëheqës i këtij grupi.

Bashkë me Sylën, në këtë proces janë duke u gjykuar edhe Shaban Syla, Arton Vila, Fahredin Gashi, Shpresim Uka, Ramadan Uka, Avdurrahman Brajshori, Gazmend Gashi, Lubisha Vujoviq, Sabedin Haxhiu, Avni Maxhuni, Elhame Uka, Lumnije Sopjani, Nyrtene Brajshori, Sami Maqedonci, Ndue Palushi dhe Ramadan Mavraj.

Pjesë e kësaj aktakuze kanë qenë edhe N.U., Sh.M., Ilaz Syla, Mustafë Haliti dhe Hajrullah Berisha, por për dy të parët është pushuar procedura pasi ata kanë ndërruar jetë, ndërsa, për shkak se gjykata nuk ka arritur të sigurojë prezencën e Ilaz Sylës, Mustafë Halitit dhe Hajrullah Berishës, për të njëjtit është veçuar procedura.

Por, gjykatësi Hoti, jashtë seancës ka bashkuar procedurën për të akuzuarin Ilaz Syla dhe Vidosav Novakovic, ku për këtë të fundit ka thënë se provat janë të ndërlidhura dhe rasti është i njëjtë.

Aktakuza i ngarkon të pandehurit me vepra penale “krim i organizuar”, “pastrim i parave”, “marrje e mitos”, “mashtrim i rëndë”, “mashtrim në detyrë”, “nxjerrje të vendimeve gjyqësore të kundërligjshme”, “keqpërdorim i pozitës zyrtare”, “legalizimi i përmbajtjes së falsifikuar” dhe “evazion fiskal”.

Gjithashtu, të pandehurit akuzohen se në bashkëpunim, përmes veprimtarive kriminale i kanë privuar Kosovës pronat shoqërore, duke përfshirë falsifikimin e vendimeve dhe dokumenteve zyrtare, mashtrim dhe veprime tjera korruptive.

Hetimet në këtë rast ishin bërë edhe në bashkëpunim me Prokurorinë e Lartë për Krim të Organizuar në Beograd.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat