Zbatoi porositë e këtij personi dhe kishte “Shqiponjat e Zeza” / Albin Kurtit i vjen thirrja për hetimin e SHIK-ut

Politika

Zbatoi porositë e këtij personi dhe kishte “Shqiponjat e Zeza” / Albin Kurtit i vjen thirrja për hetimin e SHIK-ut

Nga: P.R Më: 10 tetor 2022 Në ora: 20:30
Viktimat e vrasjeve politike

Deputeti Haki Abazi, ka deklamuar gjatë javës së kaluar se partia të cilës i takon, Lëvizja Vetëvendosje, nuk e ka përkrahur në iniciativën e tij për hetimin e ShIK-ut, shërbim i cili ishte udhëhequr nga Kadri Veseli.

“Nuk ka vullnet te kryesuesja qe mos mi majt as minutat e takimeve, është vështirë me thanë që nuk janë realizu, unë kam iniciuar themelin e komisionit për privatizim që nuk është pranu, kam iniciuar komisionin për hetimet ndaj SHIK-ut s’ka qenë politike elektorale por përmbajtjesore për me ec para… Këto janë të mjaftueshme për të qenë i sinqerte me votuesit , ta bëjë të qartë se s’mund tëjemi heshtur e as spektator kur debati nuk përfshin impute e nuk ka përgjigje për çështje qe mbesin pezull për një kohë të gjate”, ka deklaruar deputeti i Vetëvendosjes, Haki Abazi.

Se SHIK-u duhet të hetohet, e thotë edhe profesor, doktor Enver Bytyçi.

Image
Profesor, doktor Enver Bytyçi

“Komisionet hetimore parlamentare nuk janë zgjidhje e problemeve që ato shqyrtojnë ose hetojnë. Madje Çurçilli thoshte se nëse do që një problem të mos e zgjidhësh, krijo një komision parlamentar. Por iniciativa të tilla si ato të Haki Abazit mendoj se janë të dobishme. Ngritja e një komisioni parlamentar për të hetuar SHIK-un është ndihmë për të nxit mekanizmat e tjera të shtetit për të ndëshkuar paligjshmërinë. Një komision parlamentar hetimor, nëse nuk pranohet nga disa deputetë ose një fraksion deputetësh, kjo i shton dyshimet se çështja në fjalë është zhvilluar në paligjshmëri”, shprehet Bytyçi për “Bota sot”.

Sipas tij, SHIK-u në Kosovë ishte krijuar me urdhër të Fatos Klosit, ish shef i Shërbimit Inteligjent të Shqipërisë.

“Në fakt krijimi i SHIK-ut është një akt joligjor. Nuk po them antiligjor. Por jolegjitim, sepse shërbimet sekrete janë pjesë e paketës kushtetuese. Asokohe Kosova nuk ishte e pavarur dhe për pasojë nuk kishte kushtetutë as akt themelor ligjor në të cilin të parashihej krijimi i SHIK. SHIK-u ishte më shumë produkt i mendjes së sëmurë të ish-shefit të SHISH-it të Shqipërisë, pra Fatos Klosit, sesa e ish-komandantëve të UÇK-së. Komandantët e UÇK-së thjesht zbatuan porositë e Klosit. Madje dhe projektin e organizimit të këtij shërbimi dhe implementimin e këtij projekti e ka kryer SHISH-i i Shqipërisë. Është interesant se ish-shefat e sigurimit të shtetit të diktaturës së Enver Hoxhës u përqendruan asokohe në Hotel Grand dhe u morën intensivisht me disa objektiva: Një objektiv ishte krijimi i Partisë Demokratike të Kosovës, për të cilën punuan Fatmir Xhafa dhe eksponentë të tjerë të Partisë Socialiste të Shqipërisë. Dhe objektivi tjetër ishte krijimi i organizatës SHIK si instrument i kësaj partie. Për të dyja këto subjekte u punua paralelisht”, thekson Bytyçi.

Sipas tij, misioni i SHIK-ut ishte eliminimi i kundërshtarëve politikë, përkrahës së Ibrahim Rugovës.

“Modaliteti ishte SHIK-u terrorist i Fatos Klosit. Psikologjia ishte po e tillë. Të eliminoheshin kundërshtarët politikë të PDK-së dhe të krijoheshin kushtet që kjo parti të ishte në pushtet. PDK dhe SHIK u bënë simbiozë e njëra tjetrës. të gjithë e njohin këtë fakt. E dinte edhe Ibrahim Rugova, i cili u përpoq të ndërtojë edhe ai një rrjet informatorësh, për t'u mbrojtur. Por të bën përshtypje se krijimin e SHIK e dinte më mirë Beogradi. megjithatë në asnjë rast nuk protestoi kundër krijimit të kësaj organizate. Nuk dihet nëse SHIK-u i PDK-së ishte i kontrolluar nga UDB-ja serbe, apo nëse Beogradit i interesonin organizata të tilla, me qëllim që t'i akuzonin për aktet terroriste serbe në Kosovë?! Por dihet se si u zhvilluan ngjarjet e 17-18 marsit 2004”, thekson Bytyçi.

Ai thotë se nëse do të ishte i ligjshëm formimi i SHIK-ut, atëherë do të duhej të jepte llogari në Kuvendin e Kosovës për trazirat e marsit të vitit 2004.

“Reagimi i asaj kohe i presidentit Ibrahim Rugova më ka lënë të kuptoj se në ato ngjarje kishin dorë edhe shqiptarët pro-serbë, përveçse politikës, kishës dhe sigurimit serb. SHIK, nëse do të ishte ligjshëm, do të duhej të jepte llogari në Kuvendin e Kosovës për ato ngjarje. Por nuk ndodhi kjo, sepse SHIK ishte një organizatë ilegale. Organizatat ilegale nuk kanë kontroll institucional, ndonëse kanë kontroll politik. Kontrolli politik i SHIK vinte nga PDK, tashmë në koalicion qeverisës me Lidhjen Demokratike”.

Më tej, profesor Bytyçi deklaron se baza e SHIK-ut në Kosovë ishte organizata ilegale "Shqiponjat e Zeza".

“Megjithëse SHIK-u në Kosovë u krijua nga Fatos Klosi dhe emra të njohur të ish-sigurimit të shtetit të diktaturës komuniste, ai e kishte një bazë në Kosovë. Baza e tij ishte organizata ilegale "Shqiponjat e Zeza"! Se kush ishte themelues dhe drejtues i këtyre dy organizatave, tashmë dihet. Se çfarë pasojash kishte veprimtarie e tyre, edhe kjo dihet. Por nuk e kuptova kurrë pse shqiptarët në kohën e luftës duhej të krijonin në organizatë të tillë "Shqiponjat e Zeza", emri I së cilës asocohej me "Dorën e Zezë" të serbëve të Bosnjë-Hercegovinë të vitit 1914?! A kishte interferenca të shërbimit sekret serb në këto ndërmarrje?!”, shpjegon Bytyçi.

Sipas profesor Bytyçit, ata që janë kundër hetimit të SHIK-ut, atëherë janë automatikisht të dyshuar si të përfshirë në afera kriminale.

“I parashtrova disa prej arsyetimeve të veprimtarisë së SHIK në Kosovë për të thënë se ideja e Haki Abazit për hetimin e tyre parlamentar e përtej parlamentit është një domosdoshmëri. Ata që e kundërshtojnë iniciativën e tij besoj se ose janë kukulla politike në parlament, ose cenohen nga hetimi përkatës, sepse mund të jenë përgjegjës për akti joligjore e ndoshta edhe kriminale”, shprehet Bytyçi, i cili shton se është i habitur me hezitimin e kryeministrit Kurti.

“Është për t'u habitur pse kryeministri heziton! Ndoshta ka presion nga një ose disa deputetë të Vetëvendosjes, të cilët e shohin veten të rrezikuar nga një hetim i tillë. Ndoshta për shkak se kërkon një ekuilibër politik për shkak të mosacarimit të situatës politike. Mbetet për t'u parë. Por një komision parlamentar i tillë duhet mbështetur edhe nga deputetët e partive të tjera politike. Sidomos nga ata të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Kush nuk e ka mizën nën kësulë duhet të votojë hetimin e veprimtarisë së SHIK dhe duhet t'i bëjë presion prokurorisë e gjykatës që të hetojë këtë organizatë ilegale!”, përfundon për “Bota sot”, profesor, doktor Enver Bytyçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat