Tensionimi i situatës/ Vjen thirrja për Kosovën: Të krijohet urgjentisht Ekipi Kombëtar i Unitetit

Politika

Tensionimi i situatës/ Vjen thirrja për Kosovën: Të krijohet urgjentisht Ekipi Kombëtar i Unitetit

Nga: P.R Më: 8 nëntor 2022 Në ora: 22:06
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka takuar kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhikun, atë të PDK-së, Memli Krasniqin dhe kreun e AAK-së, Ramush Haradinaj

Gjatë ditës së sotme, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka takuar kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhikun, atë të PDK-së, Memli Krasniqin dhe kreun e AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili lëshoi takimin para kohe.

Sipas kryeministrit Kurti, takimi me liderët opozitar ishte shumë i mirë dhe njoftues rreth situatës politike dhe të sigurisë, duke bërë të ditur edhe njëherë se nuk ka kurrfarë prishjesh të raporteve me SHBA-në.

“Takimi që pata në mëngjes me krerët opozitar ishte takim shumë i mirë, ishte takim njoftues për situatën politike dhe të sigurisë me bashkëbisedim të hapur dhe serioz. Tash përshtypja ime është se krerët opozitar janë më shumë të pakënaqur se sa mospajtues. Koordinimi, komunikimi, kontaktet me QUINT-in, BE, ShBA-në, NATO-n, KFOR-in, EULEX-in, janë të vazhdueshme ndodhin nga disa herë në ditë andaj nuk është e vërtetë se ka kurrfarë cënimi të raporteve, përkundrazi ka dendësi të komunikimit e të bashkërendimit. Ndërkaq, për atë se kush sillet nuk mendoj se duhet t’i lë pa punë analistët në debatet e mbrëmjes”, deklaroi kryeministri Kurti.

Por sipas kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, qeveria nuk ka ndonjë plan konkret për hapat që duhet ndërmarrë për të nxjerrë vendin ka situata në të cilën ndodhet.

Kurse kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi tha se papjekuria e qeverisë nuk ka mundur të shmang situatën në të cilën sot ndodhet vendi.

E kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj pasi lëshoi takimin, deklaroi se “Kurti mbante ligjërata e nuk sqaronte përse ka prishur raportet me Amerikën”.

Por analisti politik, Faton Mehmeti thotë se duhet të krijohet Ekipi Kombëtar i Unitetit, pas situatës së krijuar së fundi në vend.

“Është dashur qysh moti të krijohet Ekipi Kombëtar i Unitetit me të gjitha partitë shqiptare në raport me Serbinë dhe çdo gjë që ka të bëj me bisedimet dhe çështjet tjera. Bashkimi mes faktorit politik shqiptar është goditje e fortë për Serbinë, Rusinë dhe aleatët e saj, kështu që duhet bërë çdo gjë që të arrihet uniteti”, shprehet Mehmeti, i cili fajtor e bën opozitën për mos koordinim më pozitën.

“Kurti vazhdimisht ka ftuar opozitën për bashkëpunim, është kjo e fundit që s’ka rrit të dallojë Kurtin përball Serbisë dhe Kurtin në punët e brendshme. Megjithatë duhet që të hartohet strategjia dhe dokumenti i Ekipit të Unitetit Kombëtar, nga ku do të rrjedhin të gjitha hapat për të qenë një zë i vetëm dhe i fuqishëm përballë Serbisë. Të kujtojmë Ekipin e Unitetit të Rugovës, e cila bëri të mundur që të përshpejtohet pavarësia, shqiptarët ishin zë i fortë në synimet e tyre”, përfundon për “Bota sot”, analisti politik Faton Mehmeti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat