Vrasësit e Xhemail Mustafës të mbrojtur nga shteti! Shpresat te Gjykata Speciale

Politika

Vrasësit e Xhemail Mustafës të mbrojtur nga shteti! Shpresat te Gjykata Speciale

Petrit Rudi Nga Petrit Rudi Më 23 nëntor 2022 Në ora: 08:00
Xhemail Mustafa

Ish-bashkëpunëtori i ngushtë i presidentit historik, Ibrahim Rugova, dhe ish-kolumnisti i gazetës “Bota sot”, Xhemail Mustafa u vra mizorisht më 23 nëntor të vitit 2000, në hyrje të banesës së tij në Prishtinë.

Ani pse kanë kaluar 22 vite që nga vrasja e tij, ajo ka mbetur ende një enigmë e pa zbuluar. Tani shpresat e vetme për zbardhjen e vrasjes së Mustafës janë te Gjykata speciale.

Së paku kështu shpreson edhe vajza e Xhemail Mustafës, Berianë Mustafa, e cila e quan turp të drejtësisë së Kosovës mos zbardhjen e vrasjes së babait të saj.

Mjafton me të thanë që është e turpshme që edhe në këtë 22 vjetor flasim për një vrasje ndaj të cilës drejtësia nuk po arrihet ende. Nëse edhe Gjykata speciale nuk arrin me bo asgjë, më se besoj që ka me arritë me bë dikush”, thotë për “Bota sot” Berianë Mustafa.

Vrasësit u mbrojtën nga shteti

Kurse publicisti Skënder Zogaj, shprehet se vrasja e Xhemail Mustafës ishte një vrasje e pastër politike.

Image
Skënder Zogaj

Njëri nga personalitetet më të shquara të lëvizjes demokratike gjithëkombëtare dhe mendjendrituri Xhemail Mustafa, që ishte krahu i djathtë i Presidentit historik dr. Ibrahim Rugova, u vra pas luftës, kur okupatori serbë ishte përzënë nga Kosova! Ky fakt e bën tepër tragjik dhe skajshmërisht trishtuese vrasjen e Xhemës, njeriun e urtë e të mirësjellshëm edhe me kundërshtarët më të mëdhenjë të tij. Vrasja supozojmë se ishte e pastër politike dhe se, është bërë nga kundërshtarët politikë!”, thotë Zogaj.

Sipas tij, vrasësit e Mustafës, janë mbrojtur nga shteti.

“Këtë supozim e forcon fakti se, vrasja e tij mbetet e pazbardhur qe 22 vite, gjë që, me arsye themi se, vrasësit janë të mbrojtur nga shteti, që e ka penguar drejtësinë që të funksionojë! Drejtësia kosovare ka dështuar dhe vrasjet e bijve dhe bijave tona, është plaga më e rëndë që e ka penguar edhe shtetndërtimin e mundshëm dhe të dëshiruar!”, deklaron Zogaj për “Bota sot”.

Ashtu si Berianë Mustafa, edhe Skënder Zogaj thotë se shpresat për zbardhjen e vrasjes janë tek Gjykata speciale.

Tash sytë dhe shpresat janë të kthyera kah Specialja, e cila do të duhej ta kryente këtë detyrë, sepse, nëse nuk arrin ta bëjë zbardhjen e vrasjeve dhe të plagosjeve të shumta, atëherë do të bëhet keq, madje shumë keq, sepse, gjaku kurrë nuk thahet dhe del edhe nga thellësia e pusit! Unë besoj se, Specialja do të zbardh vrasjet dhe vrasësit!”, deklaron Skënder Zogaj.

Vrasja e Xhemail Msutafës, një nga rastet më tronditëse

E ish kryetari i LDK-së në Zvicër, Haki Latifi thekson se vrasja e Xhemail Mustafës, është një nga rastet më tronditëse në Kosovën e pasluftës.

Image
Haki Latifi

Mendoj se, vrasja e Xhemajl Mustafës para 22 viteve, e cila e tronditi Kosovën dhe skenën politike të pas luftës në Kosovë është vrasja, e cila mbetet një nga çështjet e pa zgjidhura dhe misterioze në vrasjet e pas luftës në Kosovë. Askush nuk priste që në liri ëndrrat tona të përgjaken. Shqiptarët u përpoqën për një shtet human, të dashur për të gjithë. Kurrë s’më ka shkuar mendja se pas luftës të kemi vrasje të intelektualëve dhe atdhetarëve të kombit”, deklaron Latifi.

Ai thotë se edhe pas 22 vitesh, drejtësia ka dështuar që t’i zbardhë vrasjet politike që kanë ndodhur në Kosovë.

Mendoj se organet e drejtësisë edhe pas 22 vjetëve po dëshmojnë se nuk janë të afta t’i dalin zot profesionit, të cilën e ushtrojnë dhe për të cilin familjet e dëmtuara dhe qytetarët e Kosovës presin drejtësi. Është borxh i institucioneve të vendit të punojnë për ndriçimin e këtij rasti dhe shumë rasteve të tjera. Jo vetëm të këtij rasti kaq të dhembshëm, por janë edhe raste të tjera për të cilat drejtësia duhet të shkojë deri në fund, sepse do të jetë prehje e ndërgjegjes së gjithë njerëzve të mirë të Kosovës, për të parë se çfarë ka ndodhë. Ata që e kanë vrarë Xhemail Mustafën dhe të tjerët, kanë bërë përpjekje për të vrarë lirinë e Kosovës”, deklaron Latifi.

Sipas tij duhet të zbardhen edhe vrasjet e tjera politike, ndërsa përmend disa prej tyre, si të Manajt, Drinit, Hajradajt, Imerit etj.

Do të ishte mirë që organet kompetente të Republikës së Kosovës, organet e hetuesisë, prokuroria dhe gjyqet, të merren me këto raste dhe të dëshmojnë në praktikë se janë të aftë të zbardhin këto raste kriminale dhe akterët të dalin para drejtësisë. Për fat të keq, Xhemajl Mustafa, Shaban Manaj, Ismet Rraci, Ekrem Rexha-Komandant Drini, Smajl Hajdaraj, Haki Imeri dhe shumë të tjerë, përfshirë ata që janë plagosur në atentate të ndryshme. Por, deri më tash nuk është ndriçuar asnjë vrasje”, shprehet Latifi.

Për fund, ai thotë se Gjykata specialë është shkalla e fundit që mund të zbardh vrasjen e Xhemail Mustafës dhe vrasjet tjera politike.

Tani familjarët dhe qytetarët e Kosovës me të drejtë shpresojnë në Gjykatën speciale në Hagë, se do të zbardhet vrasja e Xhemës, dhe se do ta çojë drejtësinë në vend, por edhe zbardhjen e të gjitha krimeve të luftës dhe të pas luftës që janë kryer në Kosovë”, përfundon Haki Latifi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat