Kurti mbështeti për ‘muri’ Vuçiqin dhe Borellin – vlerësohet lart paraqitja e tij në Bruksel!

Politika

Kurti mbështeti për ‘muri’ Vuçiqin dhe Borellin – vlerësohet lart paraqitja e tij në Bruksel!

Arife Morina Nga Arife Morina Më 23 nëntor 2022 Në ora: 14:33
Pamje nga takimi në Bruksel, 21 nëntor

Me 21 nëntor, në Bruksel u mbajt një takim urgjent, ndërmjet kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, por që rezultoi pa marrëveshje.

Ky takim u organizua nga kryediplomati evropian, Josep Borrell.

Pas përfundimit të takimit, kryediplomati i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, e ka hedhur përgjegjësinë sidomos te kryeministri Kurti për mosarritje të marrëveshjes.

"Pas shumë orë diskutimesh, dy palët nuk u pajtuan për zgjidhjen sot", ka thënë Borrell, duke shtuar se një gjë e tillë lë "vakum shumë të rrezikshëm sigurie në një situatë tashmë të brishtë".

"Për hir të transparencës, ne parashtruam një propozim që mund ta shmangte këtë situatë të rrezikshme. Presidenti Vuçiq e pranoi, por për fat të keq kryeministri Kurti nuk e pranoi", ka thënë Borrell për gazetarët.

Ndërsa, kryeministri Albin Kurti ka thënë se propozimi i Bashkimit Evropian për çështjen e targave ilegale serbe ka qenë i papranueshëm.

Ndërsa, sot gjatë ditës edhe njëherë e ka akuzuar Borellin për qasjen e tij ndaj Kosovës.

“Shpesh kam qenë kritik ndaj BE-së, por asnjëherë i hidhëruar. Kritik ndaj Përfaqësuesit të Lartë dhe emisarit që e braktisën propozimin e BE-së. Jam i gatshëm gjithmonë për takime që për temë kanë marrëveshjen ndërkombëtare ligjërisht të obligueshme”, pra Kurti edhe sot, e fajëson BE-në, që sipas tij, ajo e braktisi çështjen kryesore, shqyrtimin e propozimit që njihet si franko-gjerman. Dhe kjo ka ndodhur sipas tij, pasi Serbia ka dashur të flasë vetëm për targat.

Po ashtu Italia ka marrë një nismë për t’ia takuar liderët e Ballkanit Perëndimor në Romë, sigurisht me qëllim të diskutimit për arritje të një marrëveshje Kosovë-Serbi.

Elezaj: Mospranimi i marrëveshjes nga ana e Kurtit, ka qenë vendim i duhur dhe në çastin e duhur

Image
Rexhep Elezaj

Në lidhje me zhvillimin e këtij takimi në një prononcim për “Bota sot” foli opinionisti Rexhep Elezaj.

Së pari, ai tha se vendimi i kryeministrit Kurti për refuzimin e marrëveshjes së Borellit ka qenë vendim i duhur dhe në çastin e duhur.

“Mos arritja e marrëveshjes në Bruksel midis Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e BE-së, përkatësisht të Borellit dhe Lajçakut, për gjoja “fajin” e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, i cili sipas deklaratës për media të z. Borell, nuk e ka pranuar marrëveshjen, duke e akuzuar për mos akordim me Brukselin, nëse i marrim parasysh gënjeshtrat dhe mashtrimet ordinere të presidentit serb A. Vuçiq rreth situatës në veri të Kosovës, vlerësoj se mospranimi i marrëveshjes nga ana e A. Kurtit, ka qenë vendim i duhur dhe në çastin e duhur”, deklaroi opinionisti.

Krahas kësaj, Elezaj foli për qëndrimet proserbe të Lajçakut dhe Borellit, që sipas tij në vazhdimësi kanë bërë presion diplomatik mbi palën shqiptare, dhe kanë mbajtur anën e Beogradit.

“Ata të cilët e kanë përcjellë me kujdes rrjedhën e dialogut Kosovë- Serbi në Bruksel gjatë dy viteve të kaluara, i ndërmjetësuar nga përfaqësuesi i BE-së, z. Lajçak, kanë mundur të vërejnë qartë se BE-ja ka pasur gjithnjë qëndrim dhe anim të hapur pro-serb, qoftë në tryezën e bisedimeve, qoftë në deklaratat e vazhdueshme të Borellit, Lajçakut dhe disa përfaqësuesve të BE-së, të cilët në vazhdimësi kanë bërë presion diplomatik mbi palën kosovare, herë hapur, herë në formë interne, sidomos rreth formimit të asociacionit të komunave me shumicë serbe, siç ka qenë deklarata famoze e z. Borell, se për ta formuar këtë asociacion për serbët në Kosovë, madje “duhet ndryshuar Kushtetutën e Kosovës, sepse ajo nuk është as Bibel, as Kur’an..”..!?”, theksoi ai.

Në vazhdim, opinionisti tregoi arsyet pse dy përfaqësuesit e BE-së mbështesin Vuçiqin dhe jo Kurtin.

Sipas tij, e gjitha kjo ka të bëjë me ‘marrjen me të mirë’ të Beogradit zyrtar në shenjë keqardhjeje dhe të kërkim faljes së heshtur për bombardimet e NATO-s që Serbisë i janë bërë në vitin 1999.

“Por, se cilat janë shkaqet reale që ndërmjetësuesit e BE-së, Borell dhe Lajçak, kanë mbajtur gati gjithherë qëndrim pro-interesave të Serbisë, mund të numërohen disa sosh, por mendoj se ndër më kryesorët, gjithnjë sipas mendimit tim, ka qenë simpatia e tyre personale ndaj A. Vuçiqit si dhe marrja me të mirë e Beogradit zyrtar në shenjë keqardhjeje dhe të kërkim faljes së heshtur për bombardimet e NATO-s që Serbisë i janë bërë në vitin 1999.

Është kështu për faktin, sepse asokohe shumica e vendeve të Evropës perëndimore, përfshirë Spanjën dhe Sllovakinë, kanë qenë kundër bombardimit të Serbisë nga NATO-ja, për gjenocidet e bëra në Bosnje dhe Kosovë, dhe këto dy shtete ende janë kundër pavarësisë së Kosovës, qëndrim të cilin e kanë shpërfaqur hapur nëpër tubimet e shumta diplomatike si dhe në takimet bilaterale me palën serbe.

Edhe në takimin e djeshëm në Bruksel, sipas deklaratës së kryeministrit Kurti, z. Borell dhe Lajçak e paskan mbajtur anën e Vuçiqit, duke propozuar një marrëveshje kalimtare në favor të Serbisë, andaj refuzimi i saj nga ana e kryeministrit Kurti, është një akt i duhur politik të cilin duhet mbështetur pa asnjë rezervë opozita jonë si dhe gjithë faktorët politik në Kosovë”, nënvizoi Elezaj.

Më tej, ai vlerësoi se nuk do të ketë tensionim më të madh të situatës në veri, jo se këtë tensionim nuk e dëshiron Serbia, por janë rrethanat aktuale në Evropë.

“Kurse sa i përket situatës së tensionuar në veri të Kosovës, ajo fund e krye është pasojë e politikës hegjemoniste dhe agresive të Serbisë ndaj Kosovës, me synimin kryesor që ta shkëpusin veriun dhe atë t’ia bashkëngjisin Serbisë fashiste, e cila me çdo kusht po don ta okupojë atë pjesë të Kosovës, nëse jo në këtë moment, atëherë në atë pjesë po duan ta shpallin autonominë e serbëve lokalë që jetojnë në veri.

Mendoj se ditët në vijim në veri të vendit tonë nuk do të ketë tensionim më të madh të situatës, jo se këtë tensionim nuk e dëshiron Serbia, por janë rrethanat aktuale në Evropë dhe Ballkanin Perëndimor të tilla, të cilat nuk lejojnë që në Kosovë të shpërthejë ndonjë konflikt i armatosur, pranë provokimeve verbale si dhe kërcënimeve të përditshme të Serbisë me ushtrinë e saj ndaj Kosovës”, potencoi opinionisti.

Në fund, ai mirëpriti pranimin e kërkesës së SHBA-së, nga ana e Kurtit për shtyrjen e gjobitjes së shoferëve me targa ilegale serbe.

“Mendoj dhe jam shumë i bindur, se në Kosovë apo në veriun e saj, asgjë nuk mund të ndodhë, dhe as nuk do të ndodhë pa rolin kyç të miqve tanë amerikanë, sado që disa skeptikë në Prishtinë mendojnë se Serbia mund ta sulmojë Kosovën ushtarakisht.

Kryeministri Kurti mbrëmë bëri shumë mirë që e pranoi këshillën amerikane për shtyrje të afatit për implementim të vendimit për gjobitje të shoferëve që bartin tabela ilegale të lëshuara në Serbi, përndryshe propozimin e miqve amerikan të para një muaji për shtyrje të vendimit për targat edhe për 10 muaj, do të duhej që ta pranonte menjëherë”, përfundoi Rexhep Elezaj për “Bota sot”.

Mehazi: Kurti mbrojti sovranitetin e Kosovës

Image
Sulejman Mehazi

Kurse, profesori dhe njohësi i çështjeve politike, Sulejman Mehazi në një bashkëbisedim me “Bota sot” vlerësoi lart paraqitjen e kryeministrit Albin Kurti në Bruksel.

Fillimisht, ai tha se ishte e pritshme që nuk do të arrihej marrëveshje, kur dihet se Lajçaku dhe Borelli vijnë nga shtete që nuk e njohin Kosovën.

“Që më parë është pritur e ditur se në Bruksel nuk do të ketë marrëveshje në mes Kosovës dhe Serbisë, derisa ndërmjetësues të këtij dialogu janë dy përfaqësues nga shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën, Spanja e Borellit dhe Sllovakia e Lajçakut, nuk mund të ketë marrëveshje sipas dëshirave të Vuçiqit. Tanimë përgjegjësia e mosmarrëveshjes, e paqes, trazirave e luftës në veri të Kosovës nuk është në anën e kryeministrit, Albin Kurtit, sepse ai denjësisht mbron sovranitetin e Kosovës, por në anën e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borell, i cili paguhet shumë nga BE-ja për të siguruar paqe në shtetet e Ballkanit dhe më gjerë”, deklaroi profesori.

Madje, Mehazi tha se në rast se përhapet ndonjë luftë në Kosovë fajtori kryesor do të jetë Borelli.

Krahas kësaj, vlerësoi se asnjëherë nuk është përfaqësuar Kosova më mirë se nga kryeministri Kurti.

“Nëse lufta ruse nga Ukraina përhapet në Kosovë atëherë fajtori kryesor i kësaj lufte do tëjetë pikërisht, ai që paguhet për siguri e paqe nga BE-ja, e ai është serbo-rusi i Spanjës, Borelli. Nëse Serbia sulmon Kosovën, atëherë pa hamendje gjykata e Hagës duhet ta akuzojë përfaqësuesin e lartë të sigurisë së BE-së, Borellit, i cili në vend që të punojë për siguri e paqe që paguhet nga BE-ja, bën nxitje trazirash e pasigurie në Kosovë duke anuar nga Serbia e Vuçiqit. Sa për të deleguarit e Kosovës, si kurrë më parë kryeministri Kurti në Bruksel nuk e ka mbrojtur sovranitetin e Kosovës sikurse këtë herë, me principet titanike shtetërore Kurti ia nxori dhëmbët politikë jo vetëm presidentit të Serbisë, AleksandarVuçiqit, por edhe përfaqësuesit të lartë të BE-së, Borelit, duke ia bërë me dije se me Republikën e Kosovës nuk mund të luajë më lojëra serbe, dhe se topin e sigurisë apo luftës në Kosovë ia hodhi spanjolliBorell. Sesa brengosëse ka qenë kjo marrëveshje për spanjollin tregon "telefonata me Sekretarin e NATO-s, JensStoltenberg, për “rezultatin zhgënjyes” të takimit në Bruksel në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiqit"”, nënvizoi ai.

Në fund, profesori potencoi se Kurti ‘mbështeti’ për muri Vuçiqin duke ia bërë me dije se sovraniteti i Kosovës do të mbrohet qoftë me paqe ose luftë.

“Në Bruksel, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, politikisht mbështeti për muri edhe presidentin e Serbisë, Vuçiqin, duke ndaluar targat serbe në Kosovë, edhe përfaqësuesin spanjoll serb, Borelin, duke ia bërë me dije se sovraniteti i Kosovës do të mbrohet në çfarëdo lloj mënyrash, ose me paqe, ose me luftë.

Principet shtetërore të Albin Kurtit, në Bruksel, përveç që kanë brengosur Vuçiqin, por kanë brengosur edhe BE-në, Lajçakun dhe Borellin e sigurisë dhe paqes në Ballkan.Kurti në Bruksel ia bëri me dije BE-së, ose Kosova me tërësi të milimetruar territoriale, ose s'ka paqe. Zgjidhni merrni”, përfundoi Sulejman Mehazi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat