Ish-zëvendësministri i MPB-së, paralajmëron tërmet me pasoja të rënda në sistemin e drejtësisë!

Politika

Ish-zëvendësministri i MPB-së, paralajmëron tërmet me pasoja të rënda në sistemin e drejtësisë!

Nga: Nehat Shaqiri Më: 26 nëntor 2022 Në ora: 17:08
Ilustrim

Ish-zëvendësministri i MPB-së, Hajrullah Tërnava ka paralajmëruar tërmet me pasoja të mëdha në sistemin e drejtësisë në Kosovë.

Ai thotë se tani është koha që të fillohet nga Qeveria e Kosovës dhe te detyrojë më në fund KPK-në dhe KGJK-në në zbulimin e të gjitha dobësive që i kanë përcjellë këto dy institucione për dekada me radhë.

Ai thotë se, tash është koha ideale që të fillojnë procesin e vetëvlerësimit dhe vetëgjykimit e pastrimit të brendshëm të radhëve të veta nga prokurorë e gjyqtarë që e abuzojnë ligjin dhe ruajnë lidhje të ngushta me krimin, duke mos e ndjekur e ndëshkuar, duke ia bërë avokatinë mbrojtëse dhe amnistuar.

“Është për t’u përshëndetur një nismë e mbarë, nëse nuk ngec në gjysmë të rrugës, pasi KGJK ka themeluar një Komision ad-hoc për vlerësimin e performancës së disa kryetarëve dhe ish-kryetarëve të gjykatave, dhe ky veprim vjen nën presionin e opinionit publik, pas publikimit të statistikave skandaloze lidhur me performancën e tyre, me mos ndëshkimin e rasteve serioze penale e kriminale që kanë ndodhur e po ndodhin në vazhdimësi”, thotë Tërnava.

Sipas tij, ai vendim duhet të vlerësohet.

“Këshilli gjyqësor i Kosovës po ashtu ka marrë vendim që në të ardhmen të bëhen publike për opinionin raportet individuale të punës për secilin gjyqtar, dhe në këtë mënyrë opinioni publik të ketë qasje për monitorim dhe përcjellje të performancës së tyre”, shton ai.

Tërnava pohon se publikimi i këtyre statistikave po bëhet nga departamenti i statistikave të KGJK-së në ueb faqen e KGJK-s.

“Ky lajm jep shpresë se më në fund gjërat do të ecin përpara në kahun e zhvillimit pozitiv, të adresimit të përgjegjësisë dhe llogaridhënies së secilit të punësuar në sistemin e drejtësisë. Ne besojmë se gjithsesi këto zhvillime, marrja e vendimeve të fundit në KGJK, janë të ndikuara nga koha e përafrimit të miratimit të Ligjit vetting, prandaj nën presionin e pritjes së fillimit të zbatimit të këtij ligji po detyrohen për të vepruar, për t’u vetëvlerësuar dhe vetëpastruar, një kërkesë të cilën ka vite që opinioni publik dhe shoqëria civile e mediet e pa varura e kanë kërkuar dhe nuk e kanë pushuar, për të pasur një drejtësi krejt profesionale, efektive, të pa ndikuar dhe të pa korruptuar”, shton ai.

Ai thotë se, tani është momenti që në të njëjtën mënyrë të veprohet edhe me KPK-në.

“Kjo sepse është forma dhe përmbajtja e aktakuzës së ndërtuar nga prokurori, mbledhja e provave dhe fakteve të mjaftueshme, për ta ndihmuar një gjyqtar për shqiptuar një vendim të bazuar në ligj në masën e drejtë dhe të merituar. Qytetarët me padurim po e presin momentin e fillimit te spastrimit nga krimi, i këtyre dy institucioneve të rëndësishme të shtetit tonë, dhe me këtë të fillojë e mbara e spastrimeve nga të këqijat e bëra për një kohë të gjatë, dhe nëse ky spastrim do të jetë efikas, vetë popullit do të kthehet mobilizohet dhe t’i jep mbështetje akoma më të fuqishme të vepruarit në kuadër të ligjeve dhe ligjshmërisë në përgjithësi për vendin tonë. Me veprime të tilla edhe kësaj qeverie do t’i zgjatet mandati i të qeverisurit me këtë vend për një kohë më të gjatë”, përfundon Hajrullah Tërnava.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat