Çfarë përmban plani franko-gjerman që po i ‘frikësohet’ Vuçiqi!?/ Amerika e ka fjalën e ‘fundit’

Politika

Çfarë përmban plani franko-gjerman që po i ‘frikësohet’ Vuçiqi!?/ Amerika e ka fjalën e ‘fundit’

Arife Morina Nga Arife Morina Më 29 nëntor 2022 Në ora: 11:52
Albin Kurti dhe Aleksandar Vuçiq

Mes shumë zhurmave dhe reagimeve të shumta, ditë më parë u arrit marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë për targat ilegale serbe.

Menjëherë, pas arritjes së kësaj marrëveshjeje, kryediplomati evropian, Josep Borell, paralajmëroi se në ditët në vijim do t’i ftojë liderët e të dyja shteteve në Bruksel për të diskutuar për planin franko-gjerman.

Tash e sa muaj, është duke qarkulluar dokumenti i quajtur plani franko-gjerman, e që sipas zyrtarëve të Bashkimit Evropian, ka për qëllim normalizimin e raporteve mes të Kosovës dhe Serbisë.

Ky dokument është një propozim i mbështetur nga Franca dhe Gjermania, por që zyrtarët e BE-së e quajtën ‘propozim evropian’.

Derisa dokumenti nuk ka dalë zyrtarisht në opinion, nga goja e politikanëve në Kosovë, e po ashtu edhe në Serbi kanë dalë detaje të rëndësishme.

Portali informativ Euractiv, publikoi më 9 nëntor një dokument, për të cilin tha se është draft i propozimit franko-gjerman.

Dokumenti i publikuar përmban 9 nene.

Fillon me pajtim për marrëdhënie normale mes Kosovës dhe Serbisë, angazhimin për integrim në BE, zgjidhjen e mospajtimeve dhe respektimin e integritetit territorial, respektimin e subjektivitetit ndërkombëtar të njëra-tjetrës, respektimin e ndërsjellë të juridiksionit, zotimin për rritje të bashkëpunimit në fusha të ndryshme përfshirë ekonomi, shkencë, gjyqësor, fushën e mbrojtjes etj. E, po ashtu, edhe shkëmbimin e misioneve të përhershme si dhe e fundit, pajtimi i palëve që kjo marrëveshje nuk ndikon në marrëveshjet e arritura më parë.

E nisur nga kjo, si duket tani vazhdimësia e dialogut Kosovë-Serbi do bëhet bazuar në planin franko-gjerman, ndonëse nuk ka detaje të hollësishme për këtë plan.

Analistët për “Bota sot” dhanë parashikimet e tyre në lidhje me planin franko-gjerman.

Kelmendi: Plani francezo-gjerman është bazë për të filluar dialogu

Image
Muhamet Kelmendi

Fillimisht, profesori dhe njohësi i çështjeve kushtetuese, Muhamet Kelmendi tha se nuk beson që njohja e pavarësisë së Kosovës është në qendër të këtij plani.

Mirëpo, ai beson se plani franko-gjerman është bazë e mirë për të rifilluar dialogun Kosovë-Serbi.

“Në bazë të planit francezo-gjerman, përkatësisht të UE, nuk del njohja reciproke në qendër të marrëveshjes.

Megjithatë është deklaruar nga politika se ky plan është bazë e mirë për të filluar dialogimi me shtetin serb, por jo edhe përfundimi, pa njohje reciproke.

Sipas planit janë të parapara, sikundër duket, disa faza të dialogimit. Plani nuk është bërë publik”, deklaroi ai.

Krahas kësaj, Kelmendi përmendi disa faza, të cilat janë përfolur që janë pjesë e këtij plani.

“Thashethëna ka të ndryshme. Si duket janë disa faza. Fjala është:

1. Në fazën e parë shkohet nga pranimi i gjendjes që është, pa njohje reciproke në qendër.

2. Krahas kësaj, shkohet në dy drejtime:

a. Në pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, në Interpol, në UNESCO etj.

b. Në hapjen e mundësisë për shtetin serb për investime dhe në afrim me UE.

3. Në fazën e dytë dialogohet për të zgjidhur çështjet kontradiktore midis Kosovës dhe Serbisë!?

4. Në fazën e tretë hapet procedura për pranimin e Kosovës në mekanizmat e OKB-së dhe në këtë "organizatë". Nuk ka të dhëna për njohje reciproke dhe as për pranim në OKB”, theksoi profesori.

Ndër të tjera, ai sqaroi se këto detaje nuk janë të bëra zyrtare, por janë informacione që i kanë ardhur nga burime të ndryshme.

Ai potencoi edhe faktin se nuk ka ende të dhëna të qarta për Asociacionin a do të formohet apo jo.

“Kuptohet se këto të dhëna nuk janë të mbështetura në plan. Informacioni i im vjen nga të dhënat e ndryshme në skenën politike dhe informatat e dhëna.

Megjithatë, qasja është pozitive. Nuk fillon ky plan me pabarazi, por me subjekte të barabarta në zgjidhjen e konflikteve midis Kosovës dhe shtetit serb.

Të dhëna të paqarta ka për asociacionin. Flitet për dhe kundër, askush nga politika nuk po tregon të ardhmen e asociacionit. Planin nuk e kemi”, përfundoi Muhamet Kelmendi për “Bota sot”.

Mulliqi: Plani franko-gjerman dhe çdo plan tjetër nuk do të këtë mundësi të implementohet pa Amerikën

Image
Skënder Mulliqi

Ndërsa, analisti politik, Skënder Mulliqi përmendi faktin se ka disa publikime të ndryshme, që flasin për përmbajtjen e këtij plani franko-gjerman.

“Lansimi i planit të marrëveshjes i quajtur plan franko-gjerman erdhi në shprehje gjatë vizitave në Prishtinë dhe në Beograd të dy këshilltarëve të kancelarit gjerman Scholz dhe të presidentit të Francës, Emanuel Macron. Është ky propozimi më i ri për të shtyrë përpara dialogun e marrëveshjes përfundimtare. Ka versione të ndryshme se çka përmban konkretisht plani franko-gjerman, e që thuhet së është një lloj kompromisi”, deklaroi ai.

Mulliqi tha se në bazë të reagimeve të fundit, Vuçiq po e kundërshton fuqishëm këtë plan dhe po e konsideron si të papranueshëm.

Mirëpo, sipas tij bazuar në zvarritjen e këtij plani, duket se nuk ka ndonjë qëndrim unik nga BE-ja, lidhur me planin e ri të plasuar.

“Ajo që më shumë është bërë e ditur për opinionin e gjerë publik, është versioni, ku kërkohet nga Serbia të lejojë Kosovën të inkuadrohet në organizatat ndërkombëtare, kështu edhe në Kombet e Bashkuara, kurse për këtë gjë do t’i lejohej Serbisë inkuadrimi në BE dhe të ketë përfitime tjera ekonomike. Sipas deklarimeve të deritashme dhe takimit të fundit të Brukselit në mes Kurtit dhe Vuçiqit, për këtë të fundit ky plan është i papranueshëm për Serbinë. Për këtë opsion që duket se është bazë e mirë për zhvillimin e bisedimeve është dakorduar pala e Kosovës, siç ka dakordim në mes të Parisit dhe Berlinit. Refuzimi që iu bë planit franko-gjerman dhe refuzimit që së bashku për targat të diskutohet edhe për planin në fjalë në takimin e Brukselit, flet që ende nuk ka ndonjë qëndrim unik nga BE-ja, lidhur me planin e ri të plasuar”, theksoi analisti.

Në vazhdim, ai kërkoi që t’iu bëhet me dije Vuçiqit se nuk do të ketë vazhdim të dialogut pa e hequr nga preambula kushtetuese serbe, Kosovën si pjesë përbërëse të saj.

“Ende nuk është bërë e ditur se a do të ketë njohje reciproke në qendër të marrëveshjes. Por, vet fakti se në plan thuhet që Kosova duhet të lejohet të futet në organizma ndërkombëtare dhe në OKB, flet për një plan konkret të pranimit nga ana e Serbisë të pavarësisë së Kosovës. Mu për këtë fakt edhe presidenti serb Vuçiq deklaroi se ky plan është i papranueshëm për popullin serb. Vazhdimi i bisedimeve ishte dashur të ketë një trysni më të madhe ndaj palës serbe, e jo ky presion të orientohet padrejtësisht nga Kosova. BE-ja ka shumë arsye që ta bëjë këtë presion, kur dihet se Serbia ishte shteti që bëri gjenocid në Kosovë. Tjetër, duhet bërë më dije Serbisë të Vuçiqit se nuk do të ketë vazhdim të dialogut pa e hequr nga preambula kushtetuese serbe, Kosovën si pjesë përbërëse të saj”, nënvizoi Mulliqi.

Më tej, analisti u shpreh se bazuar në këtë duhet t’i bëhet presion Serbisë që ta pranojë planin franko-gjerman, dhe ta llogarisë atë si një formulë për marrëveshje finale.

“Duhet t’i bëjnë presion Serbisë edhe këtë tash që të kërkojë falje për gjenocid ndaj shqiptarëve, dhe nga këto të kalohet në trysnin që Vuçiq të pranon planin franko-gjerman si një nismë e mirë për gjetjen e formulës të marrëveshjes përfundimtare.

Kosova është shtet i pranuar nga shtetet më kualitative të botës demokratike, dhe tash nuk ishte dashur t’i lejohet Serbisë që në kushte të paqes të ndanë Kosovën, për çka edhe Vuçiq po kërcënon më luftë së bashku më aleatin e tij rus Putin, të cilët ka vënë në dispozicion edhe mercenarë rus në veri të Kosovës”, potencoi ai.

Në fund, Mulliqi u shpreh i bindur se plani franko-gjerman nuk mund të implementohet në bisedime pa miratimin e Amerikës, e që pa të nuk mund të arrihet një marrëveshje finale.

“Unë mendoj se plani në fjalë dhe çdo plan tjetër nuk do të këtë mundësi të implementohet pa Amerikën, e cila mund t’i dërgojë proceset deri në fund. Inercia dhe deri diku edhe animi për çudi nga Serbia i dy përfaqësuesve të BE-së në bisedime, Borell dhe Lajçak, edhe po e vështirëson punën, që kjo strukturë pa Amerikën nuk ka mundësi të gjejë ndonjë zgjidhje përfundimtare. Rasti i fundit me targa e konfirmon katërçipërisht këtë pohim. Kosova mjaft gjatë ka bërë lëshime, edhe ato jo të mira, e tash me të drejtë pritet që Serbisë së pareformuar të Vuçiqit t’i bëhet presion, që kjo maraton e zhvillimit të dialogut të përfundojë me njohje të ndërsjella. Pala jonë ishte dashur të mos lejoj asociacion të minoritetit serb, i cili bie ndesh me 23 nene të Kushtetutës të Kosovës”, përfundoi Skënder Mulliqi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat