Lojë e hapur e Serbisë ndaj Kosovës, analisti gjerman jep një parashikim jo të mirë; flet edhe për zgjidhjen me ASK-në

Politika

Lojë e hapur e Serbisë ndaj Kosovës, analisti gjerman jep një parashikim jo të mirë; flet edhe për zgjidhjen me ASK-në

A.Zhushi Nga A.Zhushi Më 29 nëntor 2022 Në ora: 14:28
Policët nga komuniteti serb, duke zhveshur uniformat e Policisë së Kosovës

Kurt Bassuener nga organizata ndërkombëtare Këshilli për Politikën e Demokratizimit, me seli në Berlin, ka thënë se Serbia po bën lojë të hapur me largimin e serbëve nga institucionet e Kosovës.

Sipas ekspertit gjerman, qëllimi i Serbisë është që të krijojë situata ku Kosova të duket si problematike në rajon dhe duket se kjo po funksionon përmes qëndrimit tolerant të Perëndimit ndaj Beogradit.

“Loja e Serbisë është goxha e hapur, më duket mua. Të gjitha veprimet synojnë t'i përshkruajnë autoritetet e Kosovës si irrituese/problematike në rajon. Dhe me qëndrimin tolerant të Perëndimit ndaj Beogradit, pavarësisht agjendës së tij rajonale dhe arbitrazhit gjeopolitik, kjo duket se po funksionon, për fat të keq. Nuk mendoj se parashikon mirë”, ka deklaruar Bassuener për gazetën “Bota sot”.

Image
Kurt Bassuener

Kosovës po i bëhet trysni e madhe edhe për çështjen e formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, por kryeministri Albin Kurti ka thënë se nuk do të lejojë formimin e një “shteti serb” brenda Kosovës.

E sipas Bassuenerit, Serbia nuk po bën asgjë që të sigurojë Kosovën që Asociacioni do të jetë në përputhje me sovranitetin e Kosovës.

“Të jetosh në Bosnje dhe Hercegovinë – dhe të kesh studiuar Maqedoninë e Veriut – ideja e territorializmit të përkatësisë etnike është në thelb problematike. Qëndrimi i Serbisë – që pasqyronte jo vetëm politikat e saj drejtpërsëdrejti në Kosovë (dhe kontrollin e politikës serbe brenda Kosovës), por edhe konceptin Srpski Svet – sigurisht që nuk bën asgjë për ta siguruar Kosovën se lloji i Asociacionit që kërkon Beogradi do të ishte në përputhje me sovranitetin e Kosovës dhe zhvillimin e një shteti të përbashkët”, është shprehur ai.

Ai ka shtuar se dialogu në Bruksel i ka dhënë Beogradit sovranitet etnik mbi serbët e Kosovës, përmes partisë “Lista serbe”.

“Pikëpamja ime është se çdo zgjidhje funksionale për popullatën serbe të Kosovës do të mbështetet në zhvillimin e një elektorati ndërsektorial dhe integrues që angazhon ata si në jug ashtu edhe në veri të Ibrit. Kjo dukej se po zhvillohej para dialogut, i cili në fakt i dha Beogradit sovranitet etnik mbi serbët e Kosovës përmes Listës Serbe”, ka thënë Kurt Bassuener për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat