Prapaskenat e emërimit të Vulinit në krye të BIA-s serbe – çfarë po planifikon Serbia kundër Kosovës!?

Politika

Prapaskenat e emërimit të Vulinit në krye të BIA-s serbe – çfarë po planifikon Serbia kundër Kosovës!?

Arife Morina Nga Arife Morina Më 4 dhjetor 2022 Në ora: 21:02
Aleksandar Vulin

Së fundi, ish-ministri i Brendshëm i Serbisë, Aleksandar Vulin, u emërua drejtor i Agjencisë serbe të Zbulimit, e njohur si BIA.

BIA është një shërbim civil i sigurisë kombëtare të Republikës së Serbisë, trashëgimtare e UDB-së, dhe OZNA-s, të njohura për organizmin dhe kryerjen e krimeve të panumërta nga më të rëndat ndaj shqiptarëve, përfshirë gjenocidet dhe dëbimin masiv të shqiptarëve, , që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore.

Kujtojmë se, para Vulinit, këtë post e mbante Bratisllav Gashiq, tani ministër i Punëve të Brendshme të Serbisë.

Ndërsa, Vulin, në të kaluarën ka qenë edhe drejtor i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë.

Vulin vlerësohet se është njëri nga njerëzit më të besueshëm të Rusisë dhe vetë Putinit në Serbi.

Ai po ashtu ka kërcënuar me pushtimin e Kosovës deri në lumin Ibër.

Ky emërim i Vulinit po vlerësohet edhe si një lloj ‘kërcënimi’ për Kosovën.

Kjo pasi, qartazi po vërehet se Serbia është përcaktuar për lidhjen speciale me Rusinë, dhe se me këtë Kosova mund të rrezikohet edhe më shumë nga lidhjet dhe ndikimi ruso-serb.

Shala: Ne duhet të jemi të vetëdijshëm që kjo situatë aktuale do të prodhojë momentum në teren

Lidhur me postin e ri të Vulinit dhe ndikimin e tij për ashpërsimin e raporteve me Kosovësn, rrezikimin e sigurisë, veçmas në veri, në një prononcim për “Bota sot” foli eksperti i sigurisë, Drizan Shala.

Image
Drizan Shala

Fillimisht, ai tha se kjo tregon që qasja e shtetit serb ndaj Kosovës nuk ka ndryshuar aspak.

Emërimi i një Vulin-it në krye të BIA-s po tregon faktin që Serbia nuk ka ndryshuar sa i përket qasjes se saj në raport me Kosovën duke i ricikluar personazhet, të cilët janë ultranacionalist në raport më Kosovën”, deklaroi eksperti i sigurisë.

Sipas tij, për dallim nga paraardhësi i tij, Vulin tani do të punojë përmes direktivave dhe interesit rus në Ballkanin Perëndimor.

“Pra, dihet që paraardhësi i tij ishte protagonist në raport me mbajtjen e raporteve në mes FSB-së dhe BIA-s, në formën e mos pengimit të veprimeve të FSB-së në territorin e saj duke shfrytëzuar asetet e BIA-s.

Ndërsa, Vulin do të shkojë një hap tutje sepse ka kultivuar dhe instaluar tani më struktura në ushtri, polici, të cilat i ka udhëhequr si ministër i tyre dhe tani me këtë institucion, pra këtu shihet influencimi i FSB-së ruse në strukturat e sigurisë duke kryer edhe veprime në interes të Rusisë në hapësirën e Ballkanit Perëndimor”, theksoi ai.

Ndër të tjera, eksperti i sigurisë, kërkoi nga Kosova, të jetë e kujdesshme, pasi emërimi i Vulinit në krye të BIA-s serbe mund të prodhojë ngjarje në teren.

Ne duhet të jemi të vetëdijshëm që kjo situatë aktuale do të prodhojë momentum në teren, e cila mund t’i ndryshojë proceset brenda hapësirës së orbitës politike europiane me impakt rajonal dhe në Kosovë”, përfundoi Drizan Shala për “Bota sot”.

Zogaj: Po të mos ishte NATO-ja në Kosovë, një aventurë e tillë do të ishte fatale

Ndërsa, opinionisti, Skënder Zogaj foli për qëllimet e Beogradit ndaj Kosovës.

Image
Skënder Zogaj

Në një bashkëbisedim me “Bota sot”, ai u shpreh se shtetit serb asnjëherë nuk duhet besuar, pasi ai është armiku jetik i shqiptarëve.

“Serbia është armiku i përbetuar i shqiptarëve, pra është ujku që Kosovën e sheh si kopenë e qengjave, që s'heq dorë kurrë për ta pasur “zemër”, siç e ka deklaruar që nga pushtimet e hershme! Kjo dihet dhe nga Serbia kurrë nuk duhet pritur asgjë të mirë, por duhet shikuar dhe konstatuar se është armiku jetik”, deklaroi ai.

Po ashtu, Zogaj tha se emërimi i Vulinit në krye të udhëheqjes së BIA-s serbe nuk është rastësor, por i qëllimshëm.

Ai përmendi edhe qëllimet e Vulinit për pushtimin e Kosovës.

Serbia është e dobët, por si hileqare gjenetike, i ka shfrytëzuar situatat e liga dhe të favorshme ndërkombëtare, sidomos situatat kur Rusia ka qenë më e fortë dhe, pa asnjë dilemë, në raste të tilla ka bërë luftëra pushtuese, deri të Millosheviçi! Kjo është edhe Serbia e Vuçiqit, e cila jemi dëshmitarë të arrogancës së pashembullt, se si sillet ndaj Kosovës! Kjo sjellje nuk është e rastësishme, por është strategjike: mbajtja e gjendjes së jashtëzakonshme me shpresën e ndryshimit të situatës dhe e krijimit të rastit të ri për të sulmuar Kosovën edhe ushtarakisht! Dëshmi konkrete është edhe emërimi shef i BIA-s, i Vulinit, këtij skuthi të njohur antishqiptar, që e ka shprehur hapur për pushtimin e Kosovës!”, nënvizoi opinionisti.

Në fund, ai kërkoi nga institucionet dhe shoqëria civile në Kosovë që të jenë aktivë në hetimin dhe pengimin brejtjeve të “minjve” të Vulinit nëpër vendin tonë.

Dhe nuk ka asnjë fije dyshimi, këtë do ta bënte që sot, po të mos ishte NATO-ja në Kosovë, dhe një aventurë e tillë në këto rrethana do të ishte fatale për Serbinë, sepse, prekja e re e Kosovës do të vinte në rend dite diskutimin e territoreve të pushtuara më 1878, hiç më pak se 700 vendbanimeve të Toplicës dhe Pazarit të Ri, që Serbia e dinë mirë se, asimilimi fizik nuk i ka shly ndjenjat kombëtare të popullatës në këto hapësira dhe e 500 mijë shqiptarëve të përzënë që jetojnë nëpër botë me dhembjen për tokën e të parëve, të mbushur me eshtra shqiptarësh! Kosova, institucionet dhe shoqëria civile duhet të vetëdijesohen dhe të jenë aktive në hetimin dhe pengimin brejtjeve të “minjve” të Vulinit nëpër Kosovë”, përfundoi Skënder Zogaj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat