Bashkëluftëtari i Sali Çekajt i kundërpërgjigjet Fatos Klosit: Trego si e koordinuat vrasjen e Ahmet Krasniqit

Politika

Bashkëluftëtari i Sali Çekajt i kundërpërgjigjet Fatos Klosit: Trego si e koordinuat vrasjen e Ahmet Krasniqit

Petrit Rudi Nga Petrit Rudi Më 5 dhjetor 2022 Në ora: 21:02
Fatos Klosi

Fatos Klosi, ish kreu i Shërbimit Informativ të Shqipërisë, njeherit i akuzuari kryesor publikisht për atentatin ndaj ish Ministrit të Mbrojtjes së Kosovës, Ahmet Krasniqi, në një intervistë të dhënë së fundi, ka deklaruar se Brigada e FARK-ut ishe dorëzuar në Koshare, pasi ata nuk e kishin në mendje luftën.

“Po të flasim për luftën që tentuan ta bëjnë ata, unë ta them që nuk tentuan me e bë luftën. E kisha shumë të qartë që ishte një ushtri e Qeverisë së Kosovës që quhej FARK dhe që kishte 3-4 baza në Shqipëri, të cilët meqenëse lufta filloi nën emrin e UÇK-së, mbanin uniformat e UÇK-së, të cilët me uniforma kishin qejf me dalë nëpër Tiranë, dhe natyrisht neve në atë periudhë nuk na leverdiste hiç që ata të dilnin me uniformat e UÇK-së nëpër Tiranë. Na bënte përshtypje që ata kishin më shumë oficerë se sa ushtarë”. Ata po përgatiteshin për luftë, por asnjëherë nuk e kishin në mendje. Pastaj, nëse e mbani në mend ngjarja në Koshare. U futën më në fund, e kaluan kufirin si e kaluan, dhe pas tre ditësh u dorëzuan. Një brigadë e tërë i dorëzoi armët. Brigada e FARK-ut që u fut, nuk ia di emrin, se mbaj në mend, por kjo është fakt. Ka qenë komandat Tahir Zemaj i asaj brigade”, deklaroi Klosi.

Por ndaj deklaratave të Fatos Klosit, ka reaguar ashpër Saim Tahiraj, ish bashkëluftëtar i heroit të kombit, Sali Çekaj.

Image
Saim Tahiraj, ish bashkëluftëtar i heroit Sali Çekaj

 

“Paska dalur prapë ky në skenë Korbi i Zi dhe me shpifjet e tij monotone që sjellë vetëm momente trishtuese skenash. Po përpiqet t'i arsyetojë veprimet e tija që vetëm kob i sollën popullit shqiptar në Kosovë. Kësaj radhe ky korb i zi krrakëllamën e transmetoi përmes emisionit të Adnan Merovcit duke hedhur vrerë të zi mbi FARK-un dhe komandantëve institucional. Në kohën që ky drejtonte SHISH-in, ndodhën ngjarjet më tragjike për popullin shqiptar në Kosovë, u vra Ministri i Mbrojtjes, kolonel Ahmet Krasniqi në mes të Tiranës. Në vend që ta zbardhte këtë vrasje makabre, e mbuloi me arsyetimin e mungesë faktesh. Tani, 22 vite pas vrasjes së ministrit Krasniqi, pa fije turpi përpiqet ta hëdhë fajin diku tjetër, në vend që ta tregon të vërtetën të cilën e din shumë mirë”, thotë Tahiraj për “Bota sot”.

Sipas tij, Fatos Klosi qëllimisht e ngatërron kolonel Tahir Zemajn me betejën e Koshares, pasi ishte pikërisht Zemaj komandanti që udhëhoqi betejën e lavdishme të Loxhës.

“Duke dezinformuar në vazhdimësi me shumë të pavërteta, përpiqet ta ulë famën e komandantëve që fituan betejat më të lavdishme të Loxhës dhe Koshares. Qëllimisht i ngatërron këto. Komandant Tahir Zemaj i cili komandoi dhe sa ishte gjallë edhe vet e komentoi Betejën e Loxhës dhe me sukses doli fitues, tani ky far sherifi, në një formë mbrojtës i krimit, qëllimisht e ngatërron me Betejën e Koshares. Betejën më të suksesshme të Koshares e cila është edhe krenaria jonë, e paraqet si humbje dhe dorëzim pas tri ditëve. Derisa edhe vetë komandantët kriminel serbë e pranojnë humbjen dhe tmerrin që pësuan në Betejën e Koshares, dhe të Loxhës, madje duke e krahasuar edhe me Vietnamin, ky fatkeq nga Tirana e paraqet si humbje!”, shprehet Tahiraj.

Sipas tij, oficerët e FARK-ut gjatë luftës ishin gjithmonë në front përballë armikut serb.

“Korbi i Zi krejt i verdhë në fytyrë, sigurisht nga skenat shtesë të mbytjeve që i din, duke thënë se oficerët dhe ushtarët e FARK-ut të veshur me uniformën e UÇK-së shëtitshin nëpër Tiranë dhe asnjëherë nuk shkuan në luftë. Ka pasur ministra në Tiranë edhe para dhe pas tij që e vërteta mbi luftën e Kosovës, i ka kompromentuar përgjithmonë. Nuk shtjerret energjia mbi të vërtetën, aq më pak kur disave ju pikojnë duart gjak.. Oficerët e FARK-ut, me uniformën e UÇK-së e cila ishte pjesë përbërëse e FARK-ut, nuk shëtitshin në Tiranë, ata ishin brenda në KOSOVË duke luftuar fyt për fyt me armikun. Në betejat e Loxhës, Lukës, Carrabregut, Koshares e shumë beteja të tjera të lavdishme, të komanduara nga komandantë të lavdishëm si: Adem Ukëhagjaj, Sali Çekaj, Rrustem Bruqi, Tahir Zemaj, Agim Çelaj, Agim Ramadani, Rrustem Berisha, Ukë Bytyçi, Smajl Hajdari, Isuf Haklaj, Skender Rexhahmetaj, komandant Drini e shumë e shumë të tjerë. Paska njohuri ky për ta? Dioptria jote shehë vetëm përmes syzave të LPK-së dhe Xhavit Halitit”, thekson Saim Tahiraj për “Bota sot”.

Më tej, edhe Saim Tahiraj e ka drejtuar gishtin drejt Fatos Klosit, si njeriu kryesor për atentatin ndaj kolonel Ahmet Krasniqit.

“Ky tullumnac më mirë është të tregoi se si i bastiset objektet e MMRK në Tiranë dhe si i torturuat oficerët dhe ushtarët e tyre? Si e organizuat pusinë ndaj eskortës së Ministrit Krasniqi? Pse i ndaluat makinat tjera që e shoqëronin Ministrin Krasniqi? Pse e liruat vetëm makinën e Ministrit Krasniqi për të shkuar te gjelati i tij që e priste te banesa e tij? Të gjitha këto ishin mirë të organizuara, të koordinuara nga SHISH-i që ju e drejtonit”, deklaron Tahiraj.

“Korbat e Zi jetojnë zakonisht në vendet e vetmuara dhe dihet si ushqehen dhe kur duan të dërdëllisen zgjedhin lisa të tharë dhe të vetmuar. Ti sot zgjodhe studion dhe emisionin e Adnan Merovcit, fatkeqësisht. Krrakëllimat e Korbave të zi sjellin vetëm kob. Nuk asht e drejt, as elasticitet, asnjë kompromis, e as i Merovcit që belbëzon, që e din dhe këto tema të ndjeshme kanë përmbysur dhe do të përmbysin secilin që guxon ti shtrembëroi këto të vërteta që u lanë në gjak”, përfundon për “Bota sot”, Saim Tahiraj, ish bashkëluftëtar i heroit Sali Çekaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat