Gjykatësit e prokurorët “bojkot” shtetit, a kanë qenë kaq të pavarur edhe në kohën e PDK-së dhe AAK-së?

Politika

Gjykatësit e prokurorët “bojkot” shtetit, a kanë qenë kaq të pavarur edhe në kohën e PDK-së dhe AAK-së?

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 8 dhjetor 2022 Në ora: 15:11
Ilustrim

Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe Këshilli Prokurorial i Kosovës ka bojkotuar ftesën e presidentes Vjosa Osmani.

Presidentja Vjosa Osmani, të premten kishte mbajtur një takim të jashtëzakonshëm me Këshillin për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut në të cilin morën pjesën krerë të institucioneve të Kosovës, dhe përfaqësues të shoqërisë civile.

Të ftuar në këtë takim ishin edhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe Këshilli Prokurorial i Kosovës.

Përfaqësues të asnjërës nga këto dy institucione nuk u paraqitën në takimin e jashtëzakonshëm të Këshillit për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut.

“Në secilin nga rastet e krimit dështoi të paktën një hallkë e sistemit”

Për këtë pati kritika edhe presidentja Osmani, e cila tha se me mospjesëmarrjen e tyre ata bojkotuan shtetin dhe të drejtat e lirive të njeriut.

“Sipas Presidentes, shumica dërmuese e vrasjeve që kanë ndodhur në Kosovë, ku gratë u bënë viktima të bashkëshortëve dhe partnerëve të tyre e me raste edhe të baballarëve, mund të parandaloheshin. Në secilin nga këto raste dështoi të paktën një hallkë e sistemit”, thuhet në njoftimin që është dërguar nga zyra e presidentes Osmani.

Ky bojkotim i KGJK-së dhe KPK-së ka ardhur pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për miratimin e Projektligjit të ri për pagat, që parasheh zvogëlimin e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve krahasuar me ato aktuale, sipas një vendimi të qeverisë Haradinaj të vitit 2017.

Pas vendimit të Qeverisë, Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), ka vendosur që të reduktohet puna në gjykata si dhe të pezullohet bashkëpunimi në çdo aktivitet që organizohet, apo ku janë të pranishëm përfaqësues të Qeverisë së Kosovës.

Kjo gjendje zgjati deri këtë të hënë, kur Gjykata Themelore në Prishtinë, vendosi javën që shkoi për pezullimin e vendimit të Qeverisë, që ulte pagat, para hyrjes në fuqi të ligjit të ri për pagat. Çështja i qe dërguar gjykatës nga Shoqata e Prokurorëve kundër vendimit të Qeverisë, e cila vendosi që ta caktojë masën e sigurisë dhe të shtyjë ekzekutimin e këtij vendimi.

Të gjitha institucionet ishin pjesë e pandashme e njerëzve të fuqishëm të politikës

Analistët politikë kanë kërkuar që KGJK-ja dhe KPK-ja ta rrisin efektivitetin dhe efikasitetin në punë dhe jo çdo gjë ta lidhin me pagën.

Sipas tyre, bojkote nuk ka pasur në qeverisje të kaluara pasi që pushtetet ishin të kapura.

Juristi dhe njohësi i çështjeve politike në vend, Blerim Burjani, thotë për “Bota sot”, se në kohën e PDK-së, AAK-së dhe LDK-së ka pasur qetësi, sepse pushtetet ishin të kapura.

Sipas tij, shumë institucione ishin të kapura nga njerëzit e fuqishëm të politikës.

“Në kohën e pushtetit të PDK-së dhe AAK-së dhe LDK-së, ka pasur qetësi të funksionimit të pushteteve të ndara, gjyqësori dhe prokuroria ishin pushtete të kapura. Akuzat më të rënda janë bërë kundër PDK-së që kishte rritur paga për gjyqtarët dhe prokurorët në mënyrë marramendëse në krahasim me institucionet tjera. Edhe Universitetet publike të kapura plotësisht nga politika, pra të gjitha institucionet ishin pjesë e pandashme e njerëzve të fuqishëm të politikës. Në anën tjetër, mjekët kanë mbetur të vetmuar dhe në mizori me 600 euro pagë mujore dhe ishin totalisht të përbuzur si kategori”, ka pohuar Burjani.

Image
Blerim Burjani

Sipas Burjanit, ruajtja e pavarësisë së gjyqësorit nuk bëhet me paga, siç ka ndodhur në të kaluarën, pasi që ajo ka qenë gjyqësi e blerë.

“Ruajtja e pavarësisë së gjyqësorit nuk bëhet me paga siç ka ndodhur në të kaluarën, ajo ishte gjyqësi e blerë me para, asnjë lider politik apo individ i partive nga PDK-ja dhe AAK-ja të zhytur në shumë afera korruptive, probleme me prona nuk ishin çuar në burgje, kjo është tragjike për një shtet të ri. Është e dhimbshme kur drejtësia i takon të fortit, të tjerët nuk shpëtojnë nga drejtësia, asnjë drejtësi e blerë nuk është pavarësi e gjyqësorit”, thekson Burjani.

Drejtësia nuk ka funksionuar si barazi para ligjit për të gjithë, sipas Burjanit dhe për këtë asnjë politikan nuk është dënuar me burg.

“Drejtësia nuk duhet bërë me para, por duhet respektuar rendi dhe ligji, Kushtetuta e Kosovës. Drejtësia nuk ka funksionuar në parim, barazi para ligjit për të gjithë, por në bazë të kuletës e shpatës, kush ka pasur para e fuqi politike nuk e ka “rrok” shpata e drejtësisë, e të tjerët që nuk kanë pasur po. Asnjë politikan nuk është dënuar me burg, realisht nuk janë politikan, ata janë hajna e matrapaza për përfitime të tyre e kanë pasur pushtetin”, ka deklaruar juristi.

Ai përmend rastet kur nuk është dënuar askush, gjersa ka shtuar se ka pasur punësime familjare në shërbime civile dhe publike.

“Rasti “Dosja e shefave”, asnjë i dënuar me burg, rasti i “Hades”, asnjë i dënuar me burg, rasti “Hidrocentralet”, asnjë i dënuar me burg, rasti “Toka”, asnjë i dënuar, rasti “Stenda” njëjtë. Pastaj, kemi punësime familjare në shërbime civile dhe publike, shkatërrimin e Valës 900 me borxhe, mbrojtja nga falimentimi për shkak se shumica e njerëzve të politikës janë të punësuar në Postë, Telekom e Vala. Tutje, kemi shpërdorim të pronës publike, pra të gjitha këto probleme, populli u revoltua dhe nga mllefi votoi VV-në, jo pse ata dinë diçka për pushtet dhe shtet, sepse janë amatorë dhe të pa përvojë totale e të padijshëm, por rasti është mbret i botës nga revolta u votua VV”, thotë tutje, Burjani.

Në vitin 2017, kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Ramush Haradinaj, pati marrë vendim për rritje 100 për qind të pagave për kabinetin qeverisës.

Më 2020, Kurti e pati shfuqizuar këtë vendim, mirëpo atëherë nuk janë prekur pagat në sistemin e drejtësisë.

Sipas Institutit të Kosovës për Drejtësi, paga mesatare mujore e punëtorëve të sistemit të drejtësisë arrin në 2.200 euro.

Jo diskriminim dhe injorim

Ndërsa, analisti politik Hidajet Ahmeti, ka thënë se KGJK-ja dhe KPK-ja duhet ta rrisin efektivitetin dhe efikasitetin në punë dhe jo çdo gjë ta lidhin me pagën.

Sipas tij, për ruajtjen e balancit të pushteteve duhet bashkëpunim institucional, por jo ndërhyrje në punën e pavarur që garantohet me aktet normative.

Image
Hidajet Ahmeti

“Për ruajtjen e balancit të pushteteve duhet bashkëpunim institucional, por jo ndërhyrje në punën e pavarur që garantohet me aktet normative. KGJK-ja dhe KPK-ja duhet të ngrisin efektivitetin dhe efikasitetin në punë, por jo çdo gjë ta lidhin me pagën. Duhet pasur parasysh kategoritë tjera që punojnë në institucione publike, por edhe private e jo një kategori të privilegjohet aq shumë, duke diskriminuar apo injoruar kategoritë tjera në institucione, ku janë e të një rëndësie të veçantë. Përfundimisht, pushteti ekzekutiv nuk duhet të përdor mekanizma për të kontrolluar pushtetin gjyqësor, por të punojë në infrastrukturën ligjore, profesionale dhe fizike për të ngritur efikasitetin dhe profesionalizmin në punë”, thotë Ahmeti.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat