Jo për zgjedhje, e për targa, Geci “zbulon” pse u krijua situata kaotike në veri

Politika

Jo për zgjedhje, e për targa, Geci “zbulon” pse u krijua situata kaotike në veri

N.Ejupi Nga N.Ejupi Më 10 dhjetor 2022 Në ora: 10:25
Pamje nga veriu i Kosovës

Java që po kalon nuk ka qenë e qetë për anën veriore të Kosovës. Incidente e sulme të një pas njëshme kanë ndodhur në atë anë, duke shqetësuar banorët atje dhe duke sjellë sytë e ndërkombëtarëve përsëri drejt Kosovës.

Ata shprehen se në këso rrethanash, zgjedhjet nuk duhet të mbahen, kurse sipas analistëve politikë zgjedhjet nuk janë shkas i situatës kaotike.

Në një prononcim për gazetën “Bota sot”, analisti politik, Halil Geci, ka thënë se zgjedhjet, targat nuk janë shkak i krijimit të situatës kaotike në veriun e Mitrovicës.

Image
Halil Geci

Sipas Gecit, humbja e territorit në luftë ka krijuar një situatë të tillë.

“Krijimi i kësaj situate kaotike në veriun e Mitrovicës i konvenon Serbisë, nuk janë shkak zgjedhjet, as targat, por territori që ajo e ka humbur me luftë dhe e ka fituar në tavolinën e bisedimeve, duke e nënshkruar dy herë marrëveshjen për Zajednicën dhe duke e ratifikuar në parlament me votat e deputetëve tradhtarë dhe të shiturit e atdheut Hashim Polari dhe nga shpiuni Isa Mustafa. Kjo tradhti i kushtoi Kosovës, ndoshta edhe me humbje jetësh, por Serbia nuk do të fitoj. Serbia nuk po i kërkon territore vetëm Kosovës, por edhe të gjithë fqinjëve përreth, kjo është një argument që Serbia nuk guxon ta përdor forcën në Kosovë. Serbia po vepron në mbrojtje të marrëveshjes së ratifikuar me vota në parlamentin kosovar të ndërmjetësuar nga pala evropiane”, ka deklaruar Geci.

Tradhtia e tradhtarëve dhe Zajednica me kompentenca ekzekutive, sipas Gecit, është stopuar nga Vjosa dhe Albini me mbështetjen e Amerikës.

Sipas tij, Serbia po e teston prezencën amerikane dhe institucionet e vendit dhe kësisoj nuk ka guxim të futet me tanke.

“Tradhtia e tradhtarëve dhe Zajednica e tyre me kompetenca ekzekutive është stopuar nga Vjosa dhe Albini me mbështetjen e Amerikës, e cila nuk do ta kalojë. Megjithatë Serbia po i thotë Evropës zbatojeni marrëveshjen për Zajednicën, atë për të cilën ju ishit ndërmjetësues! Serbia po shkon duke e testuar prezencën amerikane dhe institucionet e vendit, prandaj edhe nuk ka guxim të futet me tanke për ta aneksuar veriun të cilën e quan Jerusalem serb. E vetmja zgjedhje e Serbisë është kjo çfarë po bënë, duke paguar grupe kriminale për destabilizim në krye me Listën Serbe të Beogradit, Listë kjo e ndërtuar nga tradhtarët e përmendur më lartë, duke i dhunuar qytetarët e asaj ane që të mos guxojnë t’i përgjigjen thirrjeve të institucioneve të Kosovës për dalje në zgjedhje”, ka pohuar analisti.

Krejt çka mund të bëjë Serbia, sipas Gecit, është ajo çka bënë sot, e pastaj të mbrohet kinse serbët në veri po bëjnë kryengritje në mbrojtje të jetës dhe pronave të tyre.

“Krejt çka mund të bëjë Serbia është kjo çka bënë sot, e pastaj të mbrohet kinse serbët në veri po bëjnë kryengritje në mbrojtje të jetës dhe pronave të tyre.! Fatbardhësisht Serbia dhe udhëheqësia e saj njihet nga e tërë bota demokratike me politikanët e saj luftënxitëse dhe destabilizuese e tërë Ballkanit, gjithashtu Vuçiq dhe udhëheqësia e Serbisë njihen bashkëpjesëmarrës në krimet e bëra në tri luftëra e ish- Jugosllavi si dhe krahu i djathtë i Millosheviqit dhe i Putinit, si dhe mbështetësitë kryesorë të Rusisë fashiste. Pas ikjes së Listës Serbe, policisë, gjyqësisë dhe kryetarëve të rretheve nga institucioneve, e ka vështirësuar situatën, por jo edhe aq sa duket dhe sa e trumbojnë opozita nga Kosova dhe Beogradi”, ka thënë tutje Geci.

Ajo e ka interesit te Mitrovica për shkak të Trepçës dhe Ujamnit, ka vazhduar Geci, duke shtuar se Zajednica nuk do të kalojë.

“Serbia është vazhdimisht nën vëzhgimin permanent të Amerikës dhe të evropianeve, edhe në sytë e gjithë botës shihet se asaj i intereson Mitrovica dhe interesi i saj me Trepçën dhe Ujmanin. Serbia po provon variante të ndryshme dhe intriga politike për shkëmbim territoresh, duke munduar ta jetësoj Zajednicën dhe “botën serbe” të përkrahur nga Rusia dhe Edi Rama si dhe politikanët e korruptuar shqiptarë. Në këtë situatë po rrezikohet interesi amerikan, kjo është arsyeja se nuk do të kaloj as Zajednica dhe as “bota serbe””, ka vazhduar Geci.

Ai ka kërkuar përfshirjen e politikës amerikane në negociata, sepse sipas tij pa përfshirjen e saj nuk do të arrihet marrëveshja.

“Pa përfshirjen e politikës amerikane në negociata nuk do të arrihet as një marrëveshje. Serbia dhe evropianët deri më sot kanë treguar se nuk janë larg njëra- tjetrës. Amerika është çlirimtarja e Kosovës, prandaj e ka edhe përgjegjësinë e shtetndërtimit të saj. Amerika e ka parë se Serbia është armiku i pa korrigjueshëm i Ballkanit perëndimor e veçmas i shqiptarëve dhe Amerikës, prandaj edhe i ka ardhur fundi duke caktuar muajin mars si kohën e fundit për marrëveshje përfundimtare. Unë them se nuk do të shkojë shumë kohë, kur grupet kriminale që po e terrorizojnë veriun do të arrestohen dhe Kosova do të funksionojë si shtet falë Amerikës dhe rrethanave të krijuara me luftën e Ukrainës”, ka përfunduar Geci.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat