E zbuloi inteligjenca gjermane/ Kush po synon destabilizimin e Kosovës? Ja pse u zgjodhën Abdixhiku, Hoti, Zemaj e Gashi

Politika

E zbuloi inteligjenca gjermane/ Kush po synon destabilizimin e Kosovës? Ja pse u zgjodhën Abdixhiku, Hoti, Zemaj e Gashi

Petrit Rudi Nga Petrit Rudi Më 19 janar 2023 Në ora: 21:02
Lumir Abdixhiku, Avdullah Hoti, Armend Zemaj dhe Arben Gashi

Mbrëmë Policia e Kosovës i konfirmoi raportimet në media për një atentat të planifikuar ndaj kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku dhe tre deputetëve tjerë të LDK-së, Avdullah Hotit, Armend Zemajt dhe Arben Gashit.

“Policia e Kosovës, në këtë rast drejtoria kompetente e PK-së, ka ndërmarr të gjitha veprimet e nevojshme policore lidhur me rastin/kanosjen në fjalë. Të gjitha veprimet e mëtejme policore do të ndërmerren në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë”, ka thënë Baki Kelani nga Policia e Kosovës.

E sipas raportimeve, zbulimin e përgatitjes së atentatit ndaj lideri të LDK-së e ka bërë shërbimi sekret gjerman.

Kurse vet deputeti Armend Zemaj, tha se policia e Kosovës është në kontakt me Abdixhikun atë dhe kolegët e tjerë të LDK-së që janë kërcënuar.

“Ne duhet të besojmë në organet tona të sigurisë, pavarësisht nga përvojat jo të mira nga e kaluara. Nuk është mirë që kemi këso informacione, por shpresojnë se organet e sigurisë do të bëjnë punën e tyre për të sqaruar rastin. Është në duar në Policisë së Kosovës shtjellimi i rastit. Ne jemi institucionalista dhe presim të shohim se çfarë do të hetojnë. Është e frikshme që ekziston një mendësi në Kosovë që dikush duhet të eliminohet politikisht, vetëm pse mendon ndryshe në aspektin politik…Nuk i kemi hak askujt”, tha Zemaj.

Kurse profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, doktor Enver Bytyçi thotë se atentati i përgatitur ndaj kreut të LDK-së ka për qëllim destabilzimin e situatës në Kosovë.

Image
Enver Bytyçi

“Skenari i atentateve është i njohur kur aktorë të ndryshëm kanë si objektiv destabilizimin e shteteve e sidomos të rajoneve. Unë besoj se i tillë është edhe skenari për atentat kundër kreut të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, dhe tre deputetëve të tjerë të kësaj partie, përkatësisht Arben Gashi, Armend Zemaj dhe Avdullah Hoti. Jo rastësisht janë përzgjedhur kësaj radhe pikërisht këta personalitete. Të katër këta njihen si liderë dhe politikanë të moderuar, të arsyeshëm, racionalë dhe me logjikë politike në administrimin politik. Për këtë arsye ekstremistët nuk pajtohen me të tillë politikanë”, shprehet Bytyçi për “Bota sot”.

Me tej, Bytyçi thekson edhe në të kaluarën LDK ka qenë target, siç i quan ai i ‘ekstremistëve’ të majtë në Kosovë e diasporë.

“Nga ana tjetër, Lidhja Demokratike e Kosovës, që në kohën e presidentit historik, Ibrahim Rugova, ka qenë target i goditjes nga ana e ekstremistëve të Kosovës e të diasporës së saj. LPK-ja ishte asokohe qendra e përgatitjes së kurtheve të terrorit në Kosovë. Këta e cilësonin Lidhjen Demokratike si “luajale” dhe “të gatshme të bëjë lëshime ndaj Serbisë”! Por më vonë, sidomos në periudhën e qeverisjes së disa eksponentëve të LPK-së, tashmë të anëtarësuar në PDK, këta ekstremistët majtistë e enveristë bënë lëshime që shkuan deri në tradhti. Ranë në ujdi me Serbinë që Kosova të humbë territore për llogari të armikut shekullor, të cilin gjoja këta e luftojnë dhe LDK-ja nuk e “lufton”!”, thekson profesor Bytyçi.

Por pse pikërisht tash inteligjenca gjermane zbuloi se po përgatitet atentat ndaj Lumir Abdixhikut dhe tre deputetëve të LDK-së?

“Fatkeqësisht sa kohë që aleat i këtyre ekstremistëve terroristë ishte Isa Mustafa, ata nuk përgatitën asnjë lloj atentati ndaj LDK-së. Të gjitha ndodhën kur ishte Rugova dhe u rishfaqën sot kur Abdixhiku e drejton këtë parti. Shkaku themelor është rezultati i LDK-së në zgjedhjet e kaluara lokale. Aty Lidhja Demokratike u dëshmua si partia e parë në Kosovë. Çka do të thotë se elementët ekstremistë në partitë e majta të Kosovës nuk e pranojnë renditjen në të dytë ose të tretë”, shpjegon Bytyçi.

Për fund, Bytyçi deklaron se këto ambicie i shfrytëzon shërbimi sekret serb e rus, me qëllim destabilizimin e Kosovës.

“Destabilizimi i Kosovës është interes i Beogradit dhe Moskës. Ndërsa ekstremistët terroristë me emra shqiptarësh bien viktimë e kurtheve serbo-ruse. Sigurisht që si viktima, ata u besojnë disa elementëve shqiptarë, të cilët paguhen në Beograd. Pra, nëse ekstremistët kosovarë, siç thuhet në lajme, projektojnë eliminimin e politikanëve, është e sigurt se shtytës të këtyre atentateve janë agjentët serbë e rusë”, përfundon për “Bota sot”, profesor, doktor Enver Bytyçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat