Rikthimi i kërcënimeve me atentate politike, synim për destabilizimin e Kosovës para finales me Serbinë?

Politika

Rikthimi i kërcënimeve me atentate politike, synim për destabilizimin e Kosovës para finales me Serbinë?

Petrit Rudi Nga Petrit Rudi Më 20 janar 2023 Në ora: 12:10
Lumir Abdixhiku

Dy ditë më parë opinioni u godit nga lajmi se ishin planifikuar një seri atentatesh, ku të paktën katër deputetë të LDK-së, ishin shënjestruar.

Në media u raportua se zyrtarët e LDK-së kishin marrë informacione të besueshme se kishte planifikim të atentateve ndaj kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku dhe tre deputetëve tjerë të LDK-së, Avdullah Hotit, Armend Zemajt dhe Arben Gashit. E zbulimin e përgatitjes së atentatit ndaj lideri të LDK-së, u tha se e ka bërë shërbimi sekret gjerman.

Deputeti Zemaj dhe të tjerët, kërcënimet i denoncuan në polici.

Policia e Kosovës e konfirmoi nisjen e hetimeve për një atentat të planifikuar ndaj kreut të LDK-së dhe tre deputetëve të tjerë të saj.

“Policia e Kosovës, në këtë rast drejtoria kompetente e PK-së, ka ndërmarr të gjitha veprimet e nevojshme policore lidhur me rastin/kanosjen në fjalë. Të gjitha veprimet e mëtejme policore do të ndërmerren në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë”, ka thënë Baki Kelani nga policia e Kosovës.

Kurse vet deputeti Armend Zemaj, ka thënë se policia e Kosovës është në kontakt me Abdixhikun, atë dhe kolegët e tjerë të LDK-së që janë kërcënuar.

“Ne duhet të besojmë në organet tona të sigurisë, pavarësisht nga përvojat jo të mira nga e kaluara. Nuk është mirë që kemi këso informacione, por shpresojnë se organet e sigurisë do të bëjnë punën e tyre për të sqaruar rastin. Është në duar të Policisë së Kosovës shtjellimi i rastit. Ne jemi institucionalistë dhe presim të shohim se çfarë do të hetojnë. Është e frikshme që ekziston një mendësi në Kosovë që dikush duhet të eliminohet politikisht, vetëm pse mendon ndryshe në aspektin politik… Nuk i kemi hak askujt”, ka thënë Zemaj.

Por, pse po ndodhin këto skenarë për dhunë? Cilat mund të jenë motivet, dhe a janë vërtetë të drejtuara nga synime politike nga shqiptarët apo nga agjenci armiqësore, si ato serbe?

Një përpjekje për të hedhur më shumë dritë, flasin analistët politik, ndërsa disa qarqe reaguan ndaj këtyre lajmeve duke i konsideruar të pavërteta dhe të stisura.

Synohet destabilizimi i Kosovës

Ndërsa profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, doktor Enver Bytyçi thotë se atentati i përgatitur ndaj kreut të LDK-së ka për qëllim destabilzimin e situatës në Kosovë.

“Skenari i atentateve është i njohur kur aktorë të ndryshëm kanë si objektiv destabilizimin e shteteve e sidomos të rajoneve. Unë besoj se i tillë është edhe skenari për atentat kundër kreut të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, dhe tre deputetëve të tjerë të kësaj partie, përkatësisht , Armend Zemajt, Arben Gashit dhe Avdullah Hotit, ish-kryeministër. Jo rastësisht janë përzgjedhur kësaj radhe pikërisht këta personalitete. Të katër këta njihen si liderë dhe politikanë të moderuar, të arsyeshëm, racionalë dhe me logjikë politike në administrimin politik. Për këtë arsye ekstremistët nuk pajtohen me të tillë politikanë”, shprehet Bytyçi për “Bota sot”.

Image
Enver Bytyçi

Me tej, Bytyçi thekson se edhe në të kaluarën LDK-ja ka qenë target, siç i quan ai i ‘ekstremistëve’ të majtë në Kosovë e diasporë.

“Nga ana tjetër, Lidhja Demokratike e Kosovës, që në kohën e presidentit historik, Ibrahim Rugova, ka qenë target i goditjes nga ana e ekstremistëve të Kosovës e të diasporës së saj. LPK-ja ishte asokohe qendra e përgatitjes së kurtheve të terrorit në Kosovë. Këta e cilësonin Lidhjen Demokratike si “luajale” dhe “të gatshme të bëjë lëshime ndaj Serbisë”! Por më vonë, sidomos në periudhën e qeverisjes së disa eksponentëve të LPK-së, tashmë të anëtarësuar në PDK, këta ekstremistët majtistë e enveristë bënë lëshime që shkuan deri në tradhti. Ranë në ujdi me Serbinë që Kosova të humbë territore për llogari të armikut shekullor, të cilin gjoja këta e luftojnë dhe LDK-ja nuk e “lufton”!”, thekson profesor Bytyçi.

Vetë presidenti Rugova disa herë ka qenë target i atentateve, përfshirë atij sulmit me tritol në vitin 2005, të cilit i mbijetoi falë xhipit të blinduar.

Por, politikanë të LDK-së, si Enver Maloku, Xhemail Mustafa, Haki Imeri, Ukë Bytyçi, deputeti Smajl Hajdaraj, Manaj, Rraci e qindra të tjerë nuk u kanë mbijetuar plumbave të atentatorëve.

Edhe atëherë motivet ishin të qarta, LDK-ja dhe mbështetja për Rugovën të tkurreshin, aq sa të mos arrinin fitore në zgjedhje. Madje, qëllimi për të penguar popullaritetin e Rugovës, ishte targetuar që në luftë, kur vranë edhe udhëheqësit ushtarak, që luftonin nën hierarkinë apo duke e njohur për komandant suprem Ibrahim Rugovën.

Sipas Bytyçit, shkaku themelor i një atentati të mundshëm është rezultati i LDK-së në zgjedhjet e kaluara lokale.

“Fatkeqësisht sa kohë që aleat i këtyre ekstremistëve terroristë ishte Isa Mustafa, ata nuk përgatitën asnjë lloj atentati ndaj LDK-së. Të gjitha ndodhën kur ishte Rugova dhe u rishfaqën sot kur Abdixhiku e drejton këtë parti. Shkaku themelor është rezultati i LDK-së në zgjedhjet e kaluara lokale. Aty Lidhja Demokratike u dëshmua si partia e parë në Kosovë. Çka do të thotë se elementët ekstremistë në partitë e majta të Kosovës nuk e pranojnë renditjen në vend të dytë ose të tretë”, shpjegon Bytyçi.

Për fund, Bytyçi deklaron se këto ambicie i shfrytëzon shërbimi sekret serb e rus, me qëllim destabilizimin e Kosovës.

“Destabilizimi i Kosovës është interes i Beogradit dhe Moskës. Ndërsa ekstremistët terroristë me emra shqiptarësh bien viktimë e kurtheve serbo-ruse. Sigurisht që si viktima, ata u besojnë disa elementëve shqiptarë, të cilët paguhen në Beograd. Pra, nëse ekstremistët kosovarë, siç thuhet në lajme, projektojnë eliminimin e politikanëve, është e sigurt se shtytës të këtyre atentateve janë agjentët serbë e rusë”, shprehet për “Bota sot”, profesor Dr.Enver Bytyçi.

Skenari për atentatin më të ri është krejtësisht selektiv dhe synon të godas demokracinë

Vetëm pak javë kanë kaluar nga një situatë gati kritike në veri, kur nën trysninë ndërkombëtare, serbët i hoqën barrikadat në veri, për të shmangur një situatë konflikti të armatosur.

Serbët kishin bërë gati llogoret për luftime.

Ndërkohë, kanë filluar hetimet për zyrtarë të lartë të Bashkimit Europian, të cilët në kundërshtim me detyrimet, kanë mbështetur politikat ekspansioniste të Serbisë ndaj Kosovës, Bosnjës e Malit të Zi, dhe i kanë relativizuar qëndrimet proruse të Vuçiqit.

Ndërsa, këto premisa po krijojnë një situatë më të favorshme për Kosovën, shfaqen kërcënimet për vëllavrasje, për të komprometuar politikën dhe sistemin tonë shtetëror.

Se po synohet destabilizimi i vendit në prag të një marrëveshje finale me Serbinë, e thotë edhe analisti Skënder Zogaj.

“Kërcënimet vrastare janë mallkimi më i rëndë që godet popullin e Kosovës, përpjekjen shekullore për çlirim dhe sakrificën madhështore të gjakut të derdhur për liri e pavarësi, që aktualisht është arritur, por që nuk po mund të funksionojë pikërisht nga elementet kriminale që po e kërcënojnë shtetformimin dhe realizimin e aspiratës për sovranitet! Skenari për atentat është shumë perfid dhe me thellësi të madhe antishqiptare, sepse edhe pse lidhet me emra të përveçëm, nuk ka të bëjë me ta, por ka të bëjë me destabilizimin e vendit në prag të marrëveshjes finale me Serbinë, e cila filozofinë e saj pushtuese e ka mbështetur te propaganda se "shqiptarët janë primitivë dhe të paaftë për t'u vetëqeverisur"! Kjo ka qenë dhe po vazhdon të jetë arsyeja e vargut të vrasjeve politike të figurave më të shquara shqiptare, nëpërmjet të duarve të zgjatura të Serbisë tek argatët e saj antishqiptarë”, deklaron Zogaj për “Bota sot”.

Image
Skender Zogaj

Ai thotë se atentati i planifikuar ndaj kreut të LDK-së është tentim për ta goditur demokracinë e brishtë në Kosovë.

“Edhe skenari për atentatin më të ri është krejtësisht selektiv dhe synon të godas demokracinë, që është kryevlera e traditës shpirtërore të shqiptarëve dhe që këtu qëndron forca kombëtare! Pra, skenari i atentatit nëpërmjet shënjestrimit të emrave të përveçëm, ka pasur qëllim përgjakjen e idealeve demokratike të Kosovës. Ky atentat po të ndodhte, Kosova do të kthehej në destabilizim të tmerrshëm sepse, jemi dëshmitarë të pakënaqësive të thella konceptuale dhe kontradiktave ideologjike që në popull janë irrituese, dhe që Parlamentin e Kosovës e kanë shndërruar në një arenë gladiatorësh, aq sa vërtetë kapërcen çdo kufi të vetëdijes elementare shtetërore e kombëtare!”, thekson Zogaj.

Zogaj thotë se partitë politike duhet të jenë të ndërgjegjshme se atentatet politike janë kundër interesave nacionale të shqiptarëve.

“Atentatorët me këtë rast janë të parëndësishëm, por duhet të ndërgjegjësojë partitë politike që ta kuptojnë se vrasjet politike kanë qëllim ndalimin e realizimit të aspiratës kombëtare që ndodhet afër kthesës epokale, që shkon përtej gjeografisë së Kosovës! Këtë dëshiron Serbia ta ndalojë me çdo kusht, sepse kjo e kërcënon hegjemoninë serbo-sllave!”, përfundon për “Bota sot”, analisti Skënder Zogaj.

Vetë presidenti Rugova, pas disa atentateve, përveç se i quante ato terroriste, i bënte thirrje partive politike, që t’i pengonin ato, dhe që të mësoheshin me demokracinë dhe pluralizmin.

Si duket thirrjet e tilla, duhet të përsëriten sot nga të gjithë liderët.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat