Serbia afër ‘nënshtrimit’/ Vjen paralajmërimi për një marrëveshje finale!

Politika

Serbia afër ‘nënshtrimit’/ Vjen paralajmërimi për një marrëveshje finale!

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 21 janar 2023 Në ora: 18:05
Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiq

Arritja e shpejt e një marrëveshje Kosovë-Serbi po vazhdon të jetë kërkesa kryesore e ndërkombëtarëve në bisedimet e udhëhequra nga Brukseli.

Zgjatja e bisedimeve për më shumë se një dekadë, dhe sidomos lufta pushtuese e Rusisë në Ukrainë, duket se i kanë dhënë një forcë shtytëse përpjekjeve të bashkësisë ndërkombëtare, që ta shtojë dinamikën për të arritur një marrëveshje, në të mirë të dyja shteteve.

Optimizmin nuk e ka fshehur askush, as këtyre ditëve për të arritur një marrëveshje, si nga përfaqësuesit ndërkombëtar në dialog edhe autoritetet më të larta vendore.

E optimist për një marrëveshje finale shumë shpejt, po shprehet edhe kryeministri Kurti.

Kryeministri tha se marrëveshja mund të arrihet brenda pak muajsh, nëse ekziston vullneti.

Në një intervistë kryeministri akuzoi presidentin rus se dëshiron të nxisë konfliktin me Kosovën.

Unë jam optimist se një marrëveshje mund të arrihet brenda pak muajsh nëse ekziston vullneti për të arritur një marrëveshje dhe mbështetja e Perëndimit demokratik, pra BE-së, NATO-s, SHBA-së dhe Britanisë së Madhe. Unë kam shprehur vullnetin tim për ta bërë këtë. Por për një marrëveshje duhen dy palë. Për të pasur paqe afatgjatë, siguri dhe stabilitet rajonal, Serbia duhet të distancohet dy herë: nga e kaluara e Millosheviçit dhe tani nga Putini. Sepse Serbia po i afrohet gjithnjë e më shumë Rusisë. Putin dëshiron të nxisë konfliktin me Kosovën”, tha ai.

Sipas Kurtit presidentin rus, Vladimir Putin e pengon suksesi i Kosovës. Ai është shprehur se kreu i Kremlinit është i fiksuar pas Kosovës.

Kujtojmë që gjatë ditës së premte kryeministri ka pritur në takim Emisarin e posaçëm të BE-së për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, të dërguarin amerikan Gabriel Eskobar, këshilltarët për politikë të jashtme të kancelarit gjerman Sholc dhe presidentit francez Macron, - Jens Plötner, përkatësisht Emmanuel Bonne, si dhe z.Talo këshilltarin e kryeministres italiane Melon.

Javën që shkoi për herë të parë dyshimet se drejtues të BE-së po e mbështesin Serbinë, përkatësisht udhëheqësit e saj pro Putin, morën formë në një rezolutë, e cila kërkon të hetojë punën e Komisionarit për Zgjerim Oliver Varhelyi.

Ky hetim, që pritet të fillojë së shpejti, për shkelje të standardeve të BE-së dhe traktateve të veprimtarisë së Komisionarit, ka shtuar dyshimet në Kosovë, se edhe negociatori Lajçaj dhe shefi i tij Borell, mund të jenë ndikuar nga interesat ruso-serbe në procesin negociator.

Ndërkohë, ka dalur në media edhe një spekulim, se për të arritur një marrëveshje, Kosovë-Serbi, po synohet nga jashtë që të mbështeten në modelin e “Belgjikës Lindore”, ku pakica e atjeshme gëzon status të lartë të autonomisë.

Në këtë kontekst të trysninë ndërkombëtare dhe të luftës pushtuese ruse në Ukrainë, a mund të arrihet së shpejti një marrëveshje?

Kelmendi: Serbia e njeh vetëm forcën

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur profesori Muhamet Kelmendi.

Image
Muhamet Kelmendi

Ai u shpreh se marrëveshja është larg dhe se këtë e tregojnë disa fakte që përmend më poshtë.

Nga situata që po zhvillohet dhe qëndrimet që kanë dalur nuk pritet ndonjë ecje para në marrëveshje finale me njohje reciproke në qendër. Marrëveshja është larg.

Qëndrimet e shtetit serb nuk kanë pësuar ndryshime. Çdoherë dhe në çdo nivel kundërshtohet pavarësia e Kosovës.

Faktet që tregojnë këtë janë:

1. Në Kushtetutën e Serbisë qëndron se "Kosova e Metohija është krahinë jugore e shtetit serb".

2. Qëndrimet politike janë të kësaj natyre:

3. Serbia është armatosur dhe po armatoset me armë nga Rusia dhe Kina.

4. Kërkon ripushtimin e Kosovës ose ndarjen e shtetit, duke synuar komunat me shumicë serbe.

Të gjitha këto tregojnë se dialogu do të bëhet, por arritja e marrëveshjes është larg”, u shpreh profesori.

Më tej, ai përmend disa nga gjërat që Serbia duhet t’i pranojë për t’u realizuar një marrëveshje finale.

Natyrisht se mund të realizohet marrëveshja. Mirëpo, këtu kërkohen të merren masa konkrete ndaj Serbisë.

Këtu mendoj:

1. Ndaljen e çdo provokimi ushtarak ndaj Kosovës.

2. Heqjen dorë nga veprimet destabilizuese kundër shtetit të Kosovës.

3. Dënimin e grupeve kriminale të organizuara nga Serbia në Kosovë.

4. Ndalimin e ndikimit rus në Ballkan nëpërmjet Serbisë.

5. Pranimin e gjendjes faktike në terren me bazën se Kosova është shtet i pavarur dhe sovran.

6. Kushtëzimin e çdo integrimi të Serbisë në UE e me gjerë pa pranimin e Kosovës në shtet.

7. Kushtëzimin e Serbisë me mjetet financiare dhe me investimet që i merr nga UE e më tej pa e njohur shtetin e pavarur të Kosovës.

8. Ndalimin e armatimit të shtetit serb ose, në të kundërtën, edhe armatosjen e Kosovës me mjete adekuate për t'u mbrojtur nga Serbia”, shpjegon profesori.

Ndërmjetësuesi amerikan Gabriel Eskobar në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, pas takimeve në Prishtinë dhe Beograd, ka pohuar se krijimi i asociacionit nuk mund të pengohet nga askush, madje duke aluduar, se nëse kryeministri Albin Kurti, e refuzon atë, atëherë ka mjaftueshëm politikan, që janë të gatshëm të bashkëpunojnë dhe të diskutojnë me serbët.

“Shikoni, një person dhe një palë nuk mund të shmangë një detyrim ligjor ndërkombëtar. Ky është fakt. Ne do ta bëjmë këtë dhe unë do ta bëj këtë duke gjetur partnerë dhe ka shumë partnerë, ka shumë njerëz që duan të shohin marrëdhënie më të mira të serbëve në veri dhe pjesës tjetër të vendit”.

Por, sipas Kelmendit marrëveshja mund të arrihet, nëse BE-ja, Gjermania Franca, Anglia, Italia e SHBA-të tregojnë qartë dhe prerë të ardhmen dhe të tashmen e Serbisë.

Megjithatë, marrëveshja mund të arrihet, kuptohet nëse UE, Gjermania Franca, Anglia, Italia e SHBA-të tregojnë qartë dhe prerë të ardhmen dhe aktualen e Serbisë. Sidomos dy çështje duhet të qartësohen ndaj Serbisë dhe, pikërisht:

1. Kosova është shtet i pavarur dhe sovran dhe se këtu nuk ka kthim prapa dhe

2. Ndalimin e varshmërisë së shtetit serb nga Rusia duke kërcënuar me arm ruso-kineze Kosovën dhe Ballkanin.

Këto masa e ndalin Serbinë dhe marrëveshja finale me njohje reciproke në qendër realizohet”, nënvizoi Kelmendi për “Bota sot”.

Ndërsa, këshilltari i Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH), Derek Chollet, në një intervistë për REL-in ka thënë se ShBA-ja nuk do ta pranonte një asociacion që çon në formimin e një republike të dytë serbe, si në Bosnje. “Asociacioni në formën e Republikës Sërpska është një vijë e kuqe që SHBA-ja s’do ta lejojë”. “Shtetet e Bashkuara nuk do ta pranonin këtë dhe kjo nuk do të ishte diçka që do ta çonim përpara”, ka thënë Chollet, një qëndrim ky që jep shpresë që të mos ketë në tavolina një plan, të ngjashëm me atë të “Belgjikës Lindore”!

Ngjashëm ka theksuar edhe Eskobari, duke e thjeshtuar çështjen si bisedime për shkolla, mbeturina etj. “Ne do të fillojmë këtë muaj të flasim me njerëzit që kanë ide shumë të mira dhe ne në fakt flasim për madhësinë e klasave në shkolla, mbledhjen e mbeturinave, apo shërbimet e ndihmës mjekësore, asgjë frikësuese. Ne flasim se si ta bëjmë veriun e Kosovës më funksional dhe më të lidhur me qeverinë në Prishtinë. Ne do ta bëjmë këtë”.

Duhanaj: Gjendja në “status quo” më së paku i shkon për shtati Kosovës

Ndërsa për analistin Leon Duhanaj tanimë edhe ndërkombëtarët janë lodhur dhe duan një marrëveshje finale sa më shpejt.

Image
Leon Duhanaj

Raportet Kosovë- Serbi, përkatësisht konflikti i ngrirë i cili vazhdojë të mbretërojë edhe pas marrëveshjes së Kumanovës ku Serbia, gjegjësisht makineria ushtarake e sajë u detyrua ta lëshojë Kosovën. Edhe përkundër faktit se Kosova shpalli pavarësinë e saj në koordinim të plotë me faktorin ndërkombëtarë, përkatësisht shtetet e QUINT dhe e gjithë kjo ndodhi si rezultat i negociatave para statusit të zhvilluara në Vjenë, serbet, përkatësisht Serbia, në fund nuk e nënshkruan dhe vazhduan luftën e tyre për ta penguar zhvillimin e Kosovën në të gjitha drejtimet. Me pastaj filluar bisedimet për normalizimin e raporteve Kosovë Serbi në Bruksel, ku Serbia paralel vazhdojë luftën e sajë kundër shtetësisë së Kosovës, duke shfrytëzuar mjete diplomatike dhe jo vetëm për sabotimin e shtetësisë së Kosovës, e që jo rrallë me apo pa vetëdije, edhe grupe të caktuara shqiptare, iu bënë argat në ketë përpjekje”, tha ai në një bashkëbisedim me “Bota sot”,.

Në fund, analisti thotë që tani gjërat duken goxha të përafruara, si Qeveria e Kosovës, ashtu edhe ajo e Serbisë, kanë dhënë sinjale që plani i ofruar nga ndërkombëtarët është bazë e mirë për të vazhduar.

“Tani duket që edhe faktori ndërkombëtarë është lodhur me dyfytyrësinë serbe dhe kërkon zgjidhje, përkatësisht përmbyllje të këtij procesi. Gjendja në "status quo" me së paku i shkon për shtati Kosovës, pasi që një zgjidhje e kësaj çështje, do t'i hapte rrugë prosperuese Kosovën. Se kur do të arrihet marrëveshja është vështirë të konkludohet, madje edhe nja vetë akterët në proces, megjithatë mendoj se ka një gatishmëri dhe dakordësi nga komuniteti ndërkombëtarë që kjo të ndodhë sa me shpejt, gjë që lufta në Ukrainë veç sa i ka kontribuar përshpejtimit të këtij procesi. Tani gjerat duken goxha të përafruara. Si Qeveria e Kosovës, ashtu edhe ajo e Serbisë, kanë dhënë sinjale që plani i ofruar nga ndërkombëtarët është bazë e mirë për të vazhduar”, përfundoi Duhanaj për “Bota sot”.

Raundi tjetër i bisedimeve nuk është përcaktuar, por zotimet nga vizita e djeshme e delegacionit të ndërmjetësuesve janë që të përshpejtohet dialogu, dhe të arrihet një marrëveshje.

Ambasadorët e Francës dhe Gjermanisë në Beograd, Pierre Cochard dhe Anke Konrad, kanë dhënë një intervistë të përbashkët, ku kanë qartësuar synimet aktuale, SHBA-BE nga bisedimet aktuale.

Tani është urgjente të ndërmerren hapa të rinj: duke zbatuar marrëveshjet e nënshkruara, duke përfshirë krijimin e një asociacioni të komunave me shumicë serbe dhe kthimin e serbëve në institucione, si dhe duke trajtuar të gjitha çështjet që mbeten mbi tavolinë”, kanë theksuar ata për mediat opozitare në Serbi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat