“Kurthet serbe ndaj Kosovës”, sociologu tregon tri kundërpërgjigjet e shmangies

Politika

“Kurthet serbe ndaj Kosovës”, sociologu tregon tri kundërpërgjigjet e shmangies

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 24 janar 2023 Në ora: 19:25
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Të dielën në media është publikuar përmbajtja e planit franko- gjerman, projekt ky i cili synon normalizimin e raporteve Kosovë- Serbi.

Gjersa, në Kosovë e konsiderojnë si “bazë e mirë, gjersa të bëhet njohja reciproke”, në Serbi këto bisedime i konsiderojnë të vështira.

Në përmbajtjen e projektit, nuk përmendet konkretisht formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ndërsa sot ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Beograd, Christopher Hill ka thënë se fillimisht duhet që të krijohet Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe dhe pastaj të procedohet me planin franko-gjerman.

Ai ka thënë se Asociacioni është një detyrim që rrjedh nga Marrëveshja e Brukselit.

“Nëse e lexoni tekstin me kujdes, gjashtë pikat e para kanë të bëjnë me formimin e Asociacionit dhe ky është një element thelbësor për të ecur përpara. Kjo duhet të trajtohet në radhë të parë, pasuar nga ajo që thuhet në propozimin franko-gjerman i cili gëzon përkrahje nga BE. Ky dokument ka të bëjë me ide më të gjera që kërkojnë më shumë kohë”, ka thënë Hill.

Sociologu dhe profesori universitar, Fadil Maloku, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka treguar sesi Kosova mund të dalë nga kurthet e Serbisë.

Maloku ka përmendur tri kundërpërgjigje të rekomandueshme.

Në kundërpërgjigjen e parë futen ithtarët që kurthet serbe i shmangin përmes mundësisë së kompromiseve të dhimbshme.

“Tani, nëse shtrohet çështja se si Kosova mund të dalë nga kurthe tjera perfide që i lançoj e i “promovoj” Serbia, jo vetëm gjatë këtyre tri dekadave të fundit, por, edhe gjatë gjithë historisë dhe përvojave të hidhura shekullore ndaj shqiptarëve, mendoj se na duhen “dioptri” e kundërpërgjigje më të sofistikuara dhe më të avancuara. Ndër këto opsione, mendoj që janë tri kundërpërgjigje të rekomandueshme; 1. Kundërpërgjigjja realiste. Ithtarët e këtij këndvështrimi perspektiven e shmangies së kurtheve serbe, e shohin dhe e projektojnë ekskluzivisht përmes mundësisë së kompromiseve të dhimbshme, që duhet t’i bëjnë si ata të palës serbe (oferta në këmbim; ulësja për Kosovën në OKB) po ashtu, edhe ata të palës kosovare (oferta në këmbim; anëtarësimi i Serbisë në BE-ne plus Asociacioni për pakicën serbe kosovare). Themi realiste, edhe për shkakun se; rrethanat e krijuara (disa thonë favorizuese për Kosovën) pas invazionit rus në Ukrainë, mundësuan revidimin e qëndrimit të Brukselit dhe Washingtonit (pak a shumë!) lidhur me sintagmën e (“njohjes reciproke”) supozuar se definitivisht përveç relaksimit midis dy kombeve kryesore në Ballkan, presupozon edhe një Marrëveshje historike…”, ka deklaruar Maloku.

Image
Fadil Maloku

Në kundërpërgjigjen e dytë, që sipas Malokut quhet kundërpërgjigjja optimiste, Serbia jo vetëm që do të duhej të ndalojë interesimin e saj për të thurë kurthe e shantazhe, por edhe ta njoh sa më parë dhe sa më shpejtë jo vetëm shtetësinë e Kosovës, por edhe rolin e shqiptarëve në rajon.

“2. Kundërpërgjigjja optimiste, që përfundimin e kurtheve serbe e identifikon jo vetëm me fitoren e Kosovës, por edhe me fundin politik të Projektit serb mbi Kosovën dhe vetë Presidentit autokrat serb Aleksandër Vuçiqit dhe klikës së tij. Në të njëjtin kontekst, Sipas këtij këndvështrimi, Serbia jo vetëm që do duhej të ndaloj interesimin e saj për thurur kurthe e shantazhe të mëtejme, por edhe të ta njohë sa më parë, dhe sa më shpejt jo vetëm shtetësinë e Kosovës, po edhe rolin e shqiptarëve në rajon. Pra, thënë më thjesht; optimizmi reflektohet edhe përmes demonstrimit të rolit dhe faktorizimit sistematik të shqiptarëve në Ballkan”, ka pohuar Maloku.

Tutje, në grupimin e tretë, Maloku thotë se metodologjia përkitazi me zgjidhjen, nuk adresohet vetëm përmes realizimit të rrethanave që i prodhon dhe menaxhon tendenca e globalizimit.

“3. Kundërpërgjigjja skepticiste, është grupimi apo kampi i tretë që supozon dhe garanton se ka zgjidhjen për t’i përmbyllë kurthet serbe. Por, metodologjia përkitazi me zgjidhjen, nuk adresohet vetëm përmes realizimit rrethanave që i prodhon dhe menaxhon tendenca e globalizimit. Projekt, ky që projektohet përmes arkitekturës së BE-ne. Dyshimi qëndron vetëm tek natyra e globalizimit që me invazionin rus në Ukrainë, po pëson jo vetëm “trauma” sociale, politike, ekonomike, por edhe sosh kulturore e madje edhe sosh ushtarake…

(P.S. Janë ca të gjetura këto… që Shoqata e Sociologëve të Kosovës (përmes një studimi) ka arritur t’i identifikoj si të tilla. Ndërkaq, ekspertëve qeveritar dhe atyre opozitar u mbetet t’i elaborojnë më tutje këto kurthe shumë perfide e tejet djallëzore, të Serbisë)”, ka përfunduar Maloku.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat