“Për inat të Albinit e pafsha Kosovën të ndarë”!- Propozohet “Këshill i të Urtëve” kundër asociacionit dhe për ruajtjen e miqësisë me ndërkombëtarët

Politika

“Për inat të Albinit e pafsha Kosovën të ndarë”!- Propozohet “Këshill i të Urtëve” kundër asociacionit dhe për ruajtjen e miqësisë me ndërkombëtarët

M.Lakna Nga M.Lakna Më 29 janar 2023 Në ora: 22:08
Gabriel Escobar, Albin Kurti, Misroslav Lajçak

Çështja e themelimit të asociacionit të komunave me shumicë serbe ka qenë kryetemë e ditëve të fundit. Kjo, pas kërkesës së vazhdueshme të partnerëve ndërkombëtarë të Kosovës për themelimin e tij.

Të martën do të mbahet edhe një diskutim publik i organizuar nga Ambasada e SHBA-së në Prishtinë, pikërisht për asociacionin.

Qeveria e Kosovës ka shfaqur dilema lidhur me kërkesat e njëpasnjëshme të ndërkombëtarëve lidhur me këtë çështje. Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se është hedhur ideja për krijimin e një asociacioni një-etnik, gjë të cilën nuk do ta pranojnë pasi është kundërkushtetues.

Kësisoj, Kosova po ballafaqohet me sfidën më të madhe të shtet-ndërtimit të saj. 

Por, profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare Dr. Enver Bytyçi, thotë se mirënjohja ndaj partenerëve ndërkombëtarë nuk duhet të shnëdërrohet në mit.

Image
Prof. Dr. Enver Bytyçi

Ai thotë se derisa me “Ballkanin e hapur” synohej një Jugosllavi e re, me asociacionin krijohet situata e padiskutueshme e ndarjes së Kosovës.

“Portali i Baton Haxhiut ka publikuar sot një gjoja dokument, me të cilin euro-amerikanët i bëjnë presion Kosovës me aksiomën: O prano asociacionin dhe paqe të qëndrueshme, ose kthim mbrapa i Kosovës”! E dini pse ndodh kjo? Sepse ne krijojmë mite. Ne duhet të jemi mirënjohës për çdo ndihmë që na ka dhënë e na jep Perëndimi, Euroja, SHBA dhe NATO! Por ne mirënjohjen e kemi shndërruar në mit. Dhe Baton Haxhiu e të tjerë shërbëtorë të Serbisë luajnë tani me shqiptarët! Sepse jetojmë me mitin „Po të mos kemi mbështetjen e Perëndimit, ne zhdukemi si komb“!

Në fakt ky mit vetëm se na shkakton frikë e panik, na bën të pa dinjitet dhe frikacakë para kërcënimeve të Serbisë. Asociacioni është tema e ditës në Kosovë e përtej saj. Kjo sepse me asociacionin krijohet situata e padiskutueshme e ndarjes së Kosovës. Ballkani i Hapur synonte të krijohej një Jugosllavi e Re dhe Kosova ishte parashikuar si një republikë e vogël brenda kësaj Jugosllavie. Asociacioni është mekanizëm që e copëton territorin e Kosovës. Pra përmes tij Mitrovica e ndoshta deri në Viti do të vijë Serbia e pjesa tjetër do t’i bashkohet Shqipërisë”, ka thënë ai.

Por, sipas Dr. Bytyçit kjo do të ndodh jo menjëherë, pasi jo rastësisht marrëveshja përfundimtare është lënë pas pesë ose dhjetë vitesh, në momentin kur Serbia do të marrë datën e pranimit në BE.

“Sepse atëherë do të rikthehet përsëri, njësoj si sot zgjidhja përfundimtare e konfliktit midis Kosovës dhe Serbisë. Asociacioni do të jetë mekanizmi që do ta mundësojë ndarjen e Kosovës. Armiqtë shqipfolës të Kosovës thonë se “Amerika është garant” për integritetin territorial të Kosovës. Por mbas pesë vitesh do të ketë marrë fund lufta në Ukrainë. Në çdo rrethanë që të përfundojë kjo luftë, Serbia do të jetë më shumë në avantazh. Pastaj dëgjojeni çfarë thotë Christofer Hill: “Unë kam qenë kundër pavarësisë së Kosovës”, thotë ai. D.m.th sot ai është akoma më shumë kundër kësaj pavarësie. Dhe për ta zhbërë këtë pavarësi duhet që Kosova ose të rikthehet nën sovranitetin e Serbisë, çka është e pamundur. Ose të ndahet dhe pjesët e ndara të bashkohen me Shqipërinë dhe Serbinë. Kësaj skeme I shërben Albanian Post e financuar nga Serbia, Soros dhe qarqe të tjera anti-shqiptare! Kësaj skeme I shërben ky portal, I cili u ngrit në këmbë me përkujdesjen e kryeministrit të Shqipërisë për këshilltarin e tij ndërmjetës me Aleksandër Vuçiç. Fatkeqësisht projekti i ashtuquajtur franko-gjerman nuk i sjell asgjë të mirë Kosovës. Thjesht një pauzë për t’u rikthyer sërishmi pas disa vitesh te konflikti i sotëm midis Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë ai.

Prandaj, Bytyçi thotë se sociacioni nuk mund të pranohet, por që të fitohet beteja për asociacionin do të duhet që politika në Kosovë të jetë unike.

“Kjo politikë nuk mund të udhëhiqet nga parimi “Për inat të Albinit e pafsha Kosovën të ndarë e nën Serbi”! Ndërkaq kryeministri Kurti nuk mund të sillet si kapedan që i di të gjitha, edhe pse ai është më i kultivuar se kundërshtarët e tij politikë! Klasa politike në Kosovë ka nevojë për unitet të plotë kur është fjala për Kosovën, shtetin, pavarësinë dhe integritetin territorial. Duhet të jetë në një mendje për asociacionin. Thuhet se Kurti ka vendosur të gjejë një mënyrë për të mos e nënshkruar asociacionin, duke lejuar që këtë ta bëjë dikush tjetër. Se çfarë mekanizmash do të përdoren për këtë unë nuk e di. Përveç Kurtit dhe presidentes Osmani askush nuk mund të nënshkruajë asgjë në emër të Kosovës. Por gjithçka mund të ndodhë në këto katundet tona ballkanike. Mjafton të thuhet se “duhet dëgjuar çfarë thonë amerikanët, francezët, gjermanët, italianët”!”, potencon ai.

Bytyçi thekson se vetëm britanikët kësaj radhe kanë qëndruar jashtë situatës.

Sipas tij, askush nuk flet se çfarë thonë qytetarët e Kosovës, çfarë thonë politikanët atdhetarë të saj!

“Vetëm çfarë thonë ndërkombëtarët! Duhet të hiqet ky lloj miti. Nëse nuk i besojmë vetes tonë, as miqtë tanë evropianë dhe amerikanë nuk na besojnë më ne. Ndoshta për këtë arsye jemi në këtë situatë tragji-komike. Me Kosovën, me ne shqiptarët po luajnë armiqtë e kombit tonë, po luan para së gjithash Serbia e Vuçiç. Unë besoj se do të gjenden burra dhe gra të urta e të mençur që të gjejnë një zgjidhje. Unë besoj se qeveria dhe presidentja duhet të krijojnë një Këshill të Urtësh me pjesëmarrjen e mendjeve më të ndritura në fusha të ndryshme në Kosovë, me qëllim që të gjejnë zgjidhje racionale, me të cilën Kosova të mbrohet dhe miqësia me ndërkombëtarët të ruhet! Bëjeni një gjë të tillë sa më shpejt, sepse nuk dilet nga të tilla situate me vendimmarrje personale e të njëanshme brenda vendit”, përfundoi profesori..

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat