Kushtet e Kurtit për Asociacionin ‘tmerruan’ opozitën, Ramabaja kritikon ashpër – ja çfarë thotë për Haradinajn

Politika

Kushtet e Kurtit për Asociacionin ‘tmerruan’ opozitën, Ramabaja kritikon ashpër – ja çfarë thotë për Haradinajn

A.Morina Nga A.Morina Më 5 shkurt 2023 Në ora: 12:02
Analisti Sadri Ramabaja

Përballë thirrjes së bashkësisë ndërkombëtare, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës për formimin e Asociacionit të komunave serbe në Kosovë, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti i ka vendosur gjashtë kushte, që sipas tij duhet fillimisht të plotësohen, e më pas të formohet Asociacioni.

Kurti këto kushte i bëri të ditura gjatë seancës së fundit në Kuvendin e Kosvës.

Këto kushte të kryeministrit nxitën debate dhe reagime të ashpra nga partitë opozitare, të cilët më pas iu ‘vërsulën’ Kurtit me akuza.

Analisti Sadri Ramabaja në një prononcim për gazetën “Bota sot” komentoi reagimet e opozitës ndaj kryeministrit Kurti, pasi ky i fundit vendosi gjashtë kushte për themelimin e Asociacionit.

Fillimisht, ai këto reagime i cilësoi si të paarsyeshme të diçka të momentit, pasi është pikërishit opozita, ajo që e ka sjellë shtetin në këtë pozitë.

"Janë reagime të pamenduara, të qastit, që burim kanë smirën dhe irracionalitetin politik.

Në esencë reagimi i tillë flet më shumë për ndjesinë e përgjegjësisë që ka opozita për pozicionin në të cilin e ka sjellë Republikën nënshkrimi i marrëveshjes së 19 prillit 2013 dhe sidomos ratifikimi i saj në Kuvend. Por jo më pak e dëmshme ishte edhe marrëveshja e gushtit 2015.

Ka kohë që e ashtuquajtura marrëveshje e prillit 2013 e njohur zyrtarisht si Marrëveshja e Parë e Parimeve që Rregullojnë Normalizimin e Marrëdhënieve, e nënshkruar në prill 2013 nga ish-kryeministrat Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq dhe ajo e gushtit 2015 (zyrtarisht e titulluar: Asociacioni/Bashkësia e komunave me shumicë serbe në Kosovë – Parimet e përgjithshme/Elementet kryesore) që u nënshkrua nga ish-kryeministrat Isa Mustafa dhe Aleksandër Vuçiq, në vokabularin politik, juridik e diplomatik na imponohen si “Marrëveshje me karakter të obligueshëm ndërkombëtar””, deklaroi analisti.

Ramabaja shpejgoi se pse Asociacioni nuk mund të imponohet si marrëveshje e obligueshme ndërkombëtare, derisa përmendi edhe faktin se Serbia këtë marrëveshje nuk e ka ratifikuar në Parlament.

“Njohësit e mirë të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe ata të të drejtës ndërkombëtare këto dokumente nuk i vlerësojnë fare si të tilla. Ato duket se nuk janë asgjë më shumë se një eksperiment i diplmacisë që e ka cilësuar Bashkësinë e Komunave Serbe si “marrëveshje ndërkombëtare” pa i përmbushur elementet qenësore të një marrëveshjeje me karakter obligativ ndërkombëtar.

Shih për këtë derisa Kosova nuk është shtet i pranuar në OKB, rrjedhimisht nuk ka pas si ta regjistrojë atë “marrëveshje” pranë Sekretariatit të OKB-së, siç kërkohet me nenin 21) të Ligji Nr. 04/L-052 për Marrëveshjet Ndërkombëtare e poashtu edhe sipas nenit 102) të Kartës së Kombeve të Bashkuara, ku, traktatet dhe marrëveshjet ndërkombëtare, duhet të regjistrohen dhe publikohen, për t’i vënë në fuqi.

Ndërkaq Serbia, marrëveshjen në fjalë nuk e ka ratifikuar fare në Parlament, rrjedhimisht as nuk e ka regjistruar pranë Sekretariatit të OKB-së, sepse nuk e njeh Republikën e Kosovës. Po ta bënte këtë veprim, ajo de fakto dhe de jure do ta njihte Kosovën si shtet”, theksoi ai.

“Më trishtues është qëndrimi i asaj pjese të opozitës që vije nga një mileum tjetër – ai i rezistencës së shkëlqyer gjatë luftës së lavdishme të UÇK-së së vegjëlisë”

Po ashtu, analisti tha se duke parë reagimet e opozitës dhe ndërkombëtarëve, siç duket ata e kanë harruar aktgjykimin e Kushtetueses për këtë marrëveshje.

“Prandaj duket se qëndron konkluzioni se përtej, përkufizimeve ligjore, kjo “marrëveshje ndërkombëtare” mbi Asociacionin/ Bashkësinë … është e paprecedentë, mbase për shkak të karakterit eksperimental juridik-administrativ.

Në debatin e ringjallur dhe imponuar nga faktorët ndërkombëtar rreth Bashkësisë së Komunave Serbe, edhe nga opozita aktualisht, sikur harrohet aktgjykimi i nxjerrë nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës! Le të kujtojmë shkurt se ajo pat konstatuar se përcaktimet specifike të marrëveshjeve të atëhershme lidhur me »Bashkësinë…« janë jokushtetuese në shumë aspekte, respektivisht se marrëveshje është në kundërshtim me frymën kushtetuese”, nënvizoi Ramabaja.

Në vazhdim, ai potencoi se asnjë nga deputetët që e kanë ratifikuar marrëvshjen për Asociacion nuk ka kërkuar falje.

Madje, u shpreh se disa injorantë politik që prodhoi periudha e luftës së lavdishme të UÇK-së, e aprovuan këtë si një “Kalë Troje”, për përgatitjet e terenit për ndarjen e Kosovës.

“Në mediat tona elektronike dhe në studiot televizive, e më pak aty ku duhet – në Parlament, asnjëherë nuk na ka rastisur të dëgjojmë e lexojmë as ndjesinë më të vogël të kërkimfaljes nga ana e atyre që kanë nënshkruar marrveshjet në fjalë, por as nga deputetët që kanë votuar ratifikimin e marrëveshjes së vitit 2013. Përkundrazi, në kor shtrojnë pyetje banale për gjoja përgjegjësinë e lidershipit të qeverisë se pse na serviret sot një draftmarrëveshje e tillës si është kjo franko-gjermane?! Kjo kategori kalemxhinjësh e kuazipolitikanësh as që marrin erë nga fusha e marrëdhënieve ndërkombëtare, e aq më pak nga gjeopolitika dhe ndryshimet që ka imponuar lufta në Ukrainë. Duket se kjo shtresë e hollë e bazës gjenetike të kolaboratorëve tanë gjatë gjithë historisë, nuk kanë mësuar asgjë nga gabimet e etërve të tyre ideologjik e politik. I ashtuquajturi pragmatizëm politik i pararendësve të tyre që votonin pro ndryshimeve kushtetuese në 23 mars 1989 konform kërkesës së Serbisë për heqjen e autonomisë së Kosovës, ishte prologu i luftës dhjetë vite më vonë. Sërish është po ajo sortë e “liberalëve tanë” me ca injorantë politik që prodhoi periudha e luftës së lavdishme të UÇK-së së vegjëlisë, që sot tumirin aprovimin nga Kuvendi të Bashkësisë së Komunave Serbe si Kalë Troje, respektivisht si Republika Serbska që ka për intencë imanente politike federalizimin e Kosovës dhe pregaditjen e terrenit për ndarjen e saj”, vlerësoi analisti.

Gjithashtu, Ramabaja tha se më të turpshëm këtë reagim e bën fakti, se vjen nga një pjesë që ishin pjesë e luftë së UÇK-së.

“Ata që nuk kanë mësuar kurrë leksionin e historisë, nuk kanë si të jenë të rreshtuar në shërbim të Republikës sot. Kjo sortë nuk e ka kuptuar kurrë ligjërimin e rezistencës së vegjëlisë, madje as atëherë kur lufta bëhej në Drenicë e Dukagjin. Nëdrkaq rezistencën e Shtetit ajo e kupton edhe më pak.

Por edhe më trishtues është qëndrimi i asaj pjese të opozitës që vije nga një mileum tjetër – ai i rezistencës së shkëlqyer gjatë luftës së lavdishme të UÇK-së së vegjëlisë.

Në një intervistë dhënë Zërit të Amerikës ish gjenerali nga më të lavdishmit të UÇK-së këto ditë pohoi se “krijimi i Asociacionit është rruga e vetme për të arritur tek marrëveshja finale.””, shpjegoi ai.

“Uniteti do të ishte i dëshirueshëm, por realiteti dëshmon se ai është i pamundur të arrihet me këtë opozitë parlamentare”

Më tej, ai kritikoi kreun e AAK-së, Ramush Haradinaj për deklaratën e tij për Asociacion, ku shtoi se është për keqardhje një qasje e tillë.

“Luftrat dhe revolucionet (këta të fundit qoftë edhe të heshtur, si ky i 14 shkurtit të vitit 2021 në Kosovë), prodhojnë trandje të thella shoqërore. Si luftrat edhe revolucionet shoqërore nxjerrin në sipërfaqe figura historike mjaft komplekse. Jo rrallë këto figura marrin përmasat e legjendave.

Lufta e UÇK-së së vegjëlisë nxori në sipërfaqe një figurë të tillë me përmasa legjende – Ramush Haradinajn. Por, çfarë t’i thuhet këtij (vet)devalvimi të legjendës sonë?

Si kalorës fisnik ai lë Kështjellën e Lirisë [Dukagjinin], pa disiplinuar mirë as hapin, defilon n’parketin e diplomacisë, përvetëson gjuhën e oportunitetit ekstrem të “këshilltarëve të tij” dhe pa çarë kokën as për historinë personale, deklarohet kështu si është deklaruar! Keqardhje!””, vlerësoi Ramabaja.

Në fund, analisti u shperh pesimist se mund të arrihet një unitet politikë mes pozitës dhe opozitës, duke marrë parsysh qëndrimet e këtyre të fundit,

“Uniteti do të ishte i dëshirueshëm, por realiteti dëshmon se ai është i pamundur të arrihet me këtë opozitë parlamentare. Ndërkaq uniteti me forcat politike jashtparlamentare, shoqërinë civl, qytetarët, e mbi të gjitha me pjesëtarët e popullit tonë në Serbi – jo vetëm me ata në tri komunat juglindore (Preshevë, Bujanoc e Medoë), por edhe me shqiptarët e boshnjakët në Novi Pazar dhe krahinat tjera të Sanxhakut, është i mirëseardhur. Ky unitet i ndërtuar rreth një projekti strategjik të veprimit nga ana e kryeministrit Kurti në përgjigje të presionit serb dhe diplomacisë perëndimore, që me çdo çmim pretendon ta imponoi Bashkësinë e Komunave Serbe në Kosovë, është përgjegjia më e mirë e mundshme”, përfundoi Sadri Ramabaja për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat