Paralajmërojnë ekspertët: Asociacioni, ndarje e Republikës dhe programim i një konflikti të armatosur

Politika

Paralajmërojnë ekspertët: Asociacioni, ndarje e Republikës dhe programim i një konflikti të armatosur

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 8 shkurt 2023 Në ora: 12:10
Foto ilustrim

Kosovës dhe kryeministrit Albin Kurti po i bëhet presion për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Marrëveshjet e nënshkruara më parë mes Kosovës dhe Serbisë po kërkohet me ngulm që të zbatohen, ndonëse Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka hedhur poshtë formimin e Asociacionit, gjegjësisht 23 pika të saj.

Kryeministri Kurti iu ka bërë thirrje ndërkombëtarëve që të mos bëhet presion për ta pranuar themelimin e Asociacionit.

Madje, ai ka thënë se perëndimorët duhet të mësojnë nga shembulli i Republikës Sërpska në Bosnjë e Hercegovinë, duke shprehur gjithashtu frikën se një asociacion do të krijonte një mini-shtet në Kosovë, për çka se Beogradi e ka përdorur çështjen e themelimit të Asociacionit si “armë kundër pavarësisë sonë”. “Nëse ne prezantojmë në Ballkanin Perëndimor idenë e një asociacioni të komunave me bazë etnike, kjo do të jetë recetë për konflikte të reja”, ka thënë Kurti.

Halimi: Bashkësia ndërkombëtare ka qasje të pakuptusheme tani ndaj Kosovës!

Image
Armend Halimi

Armend Halimi nga Instituti për Studime të Sigurisë ISS, në një përgjigje për “Bota sot” ka thënë se Kosova që nga themelimi i saj si shtet sovran ka bërë kompromise si asnjë vend tjetër, duke ua njohur të drejtat minoriteteve, pastaj edhe garantimin e vendeve të rezervura në Parlament dhe institucione.

“Republika e Kosovës që nga themelimi i saj si projekt, është i ndërtuar me artitekturë dhe korniza të kërkesave ndërkombëtare. Që nga përpilimi i Kushtetutes si akt më i lartë, e deri tek secili ligj.

Duke qenë në haromni me direktiva ndërkombëtare, edhe është pranuar organizimi i tillë si shtet i pavarur dhe sovran. Madje, në konsulidim e sipër, shteti i Kosovës ka bërë kompromise si asnjë vend tjetër, ngase duke qenë mbi 90 përqind me popullsi shqiptare, u ka njohur të drejta minoriteteve, përqindja e të cilave në vende tjera as që përfillet, sikurse garantimi i vendeve të rezervura në Parlament dhe institucione.

Për të mos mjaftuar kjo, madje minoriteti serb është toleruar deri në padëgjueshmëri apo rezistencë ndaj rendit kushtetues të Kosovës”, thotë ai.

Sipas tij, në këto kohë qasja e ndërkombëtarëve ndaj Kosovës është e pakuptueshme, duke thënë se ata po krijojnë modele jo demokratike dhe nxitëse për konflikte.

“Andaj, edhe bashkësia ndërkombëtare ka qasje të pakuptusheme tani ndaj Kosovës. Në vend se të vlerësojë përpjekjen e vendit tonë për kompromiset e deritanishme, dhe tolerimet si dhe integrimet e minoriteteve, dhe që Serbia të qortohet deri në disiplinimin e saj, po krijojnë modele tërësisht jo demokratike dhe nxitëse për konflikte.

Ngase, nëse një model i ri demokratik vlen për një vend, do duhej vlejë për çdo vend tjetër, s’paku atë rajonal. Çka praktikisht i bie se duke qenë shtetet e rajonit janë të përziera me etni të ndrysheme, etnite brenda tyre kanë të drejtë të ngrisin zërin për organizim të modelit të asocacioneve të llojit siç po i kërkohet Kosovës, e që dëmi i tyre më së miri vërehet me Bosnjën, çka Republika Srbska është si një bombë e kurdisur brenda federatës së këtij vendi”, përfundon Halimi.

Kelmendi: E ardhmja paqësore në Ballkan sigurohet vetëm pa ndarje e copëtim të Kosovës dardane

Image
Muhamet Kelmendi

Juristi Muhamet Kelmendi ka thënë se Asocacioni është organizim i një subhekti që vetëm konflikte dhe në fund edhe luftë të armatosur do të sjellë, duke shtuar se po ashtu është një ndarje Republikës dhe programimi një konflikti te armatosur.

“Çështja e asociacionit në Kosovë de-fakto është një organizim i një subhekti që vetëm konflikte dhe në fund edhe luftë të armatosur do të sjellë. Minoriteti serb edhe tash është destabilizues dhe i orientuar në dezorganizim, në konflikte të armatosura dhe në shkatërrimin e Republikës. Serbët dhe Beogradi e duan Kosovën të ripushtuar.

Aq më parë, kur dihet se ky subjekt politiko-organizativ, me kompetencat e komunave, të cilat planifikohen të barten në asociacion, edhe de-jure e krijojnë një udhëheqje politiko-organizative dhe edhe ekzekutive, përkatësisht një autonomi të gjerë. Ky asociacion i ka edhe 6 komuna tjera në mbrendi të Kosovës, që nuk kanë lidhje territoriale me komunat në veri, por të cilat paramendohet të futen nën asociacion. Kjo është ndarje e Republikës dhe programimi një konflikti të armatosur.

Natyrisht se SHBA dhe UE po japin garanci se nuk ka gjoja pushtet ekzekutiv.

Pikërisht, këtu duhet të përmendim vetëm kompetencat e gjera që i kanë komunat, e të cilat barten në një qendër udhëheqëse kuptohet për të qartësuar pushtetin ekzekutiv të asociacionit.

Këtu duket qartë pushteti ekzekutiv. Këtij garancioni vetëm ka karakter formal, pa fare përmbajtje dhe pa të ardhme”, thotë ai.

Madje, ai thotë se historia na ka mësuar se tokat e shqiptarëve janë copëtuar gjithmonë dhe asnjëherë nuk është llogari për to.

“Edhe në vitin 1878 kur bë Kongresi i Berlinit, i cili ia aneksoi Serbisë viset veriore të Kosovës, deri në Nish, kishte garanci. Madje, që përcaktuar edhe kompensimi i pronës. Por, kjo kurrë nuk u bë. U vranë dhe u terrorizuan shqiptarët. Deri edhe nënat shtatëzana u therën me bajoneta, ndërsa shtetet që ishin në Kongres kurrë nuk protestuan.

E si kaloi Ulqini, Plava e Gucia, Hoti e Gruda dhe Tivari nën sundimin malazez? Pse nuk iu kthye Ulqini Shqipërisë që mendohet se iu dha Malit të Zi për 100 vite!

E njejta situatë ishte edhe kur gjysma e Shqipërisë iu aneksua Serbisë, Malit të Zi e Greqisë, në Konferencën e Ambasadorëve, më 1913, por as këtu kurrë nuk u ndal dhuna gjenocidiale mbi shqiptarët. Madje Çamëria u zbrazë nga shqiptarët, pas Luftës së dytë Botërore, nga fashistët grek. As edhe emri çam nuk lejohet të përdoret në Çamëri nga demokratët fashistë të UE-së. Mbetën rrugëve çamët. Populli shqiptar ka nevojë edhe për garanci, por edhe për një Republikë jo të copëtuar. Ai e dëshiron paqen dhe fqinjësinë, mirëpo jo të ndarë dhe të copëtuar. Kosova dardane ka humbur mjaft. Thika nuk ka ku shkon më thellë. Këtë nuk e pranon kurrë”, përfundon ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat