Asociacioni dhe kushtet e Kurtit, a do t’i rikthejnë serbët barrikadat?

Politika

Asociacioni dhe kushtet e Kurtit, a do t’i rikthejnë serbët barrikadat?

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 8 shkurt 2023 Në ora: 19:31
Kryeministri Albin Kurti gjatë prezantimit të 6 kushteve për asociacionin

Daton që nga viti 2013 kur është nënshkruar nga kryeministrat e atëhershëm të Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq dhe më pastaj në vitin 2015 e nënshkruar nga ish- kryeministri Isa Mustafa me parim se nuk do të kishte kompentenca ekzekutive, por marrëveshja e Asociacionit vazhdon të jetë “problematike” dhe kësisoj të mos ketë një zgjidhje të pranueshme nga palët.

Gjersa, Serbia kërkon me ngulm formimin e tij, ajo përkrahet nga ndërkombëtarët që serbët në Kosovë ta kenë një asociacion të komunave, qeveria e Kosovës nuk lejon një “Serbi brenda Kosovës”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, javën e kaluar ka prezantuar në Kuvend të Kosovës “kushtet” për formimin e Asociacionit, ndërsa të hënën i ka njoftuar edhe ambasadorët dhe diplomatët e akredituar të misioneve diplomatike në Kosovë.

Sipas komunikatës së Qeverisë, tema qendrore e diskutimit me ambasadorët dhe diplomatët dhe Kurtit të shoqëruar nga zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, ishte procesi i dialogut, propozimi evropian dhe rruga përpara.

Kryeministri Kurti i njoftoi ata me qëndrimet e Qeverisë së Republikës së Kosovës përfshirë këtu edhe gjashtë pikat e prezantuara në Seancën e Kuvendit, javën e kaluar në lidhje me marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013.

Ndër të tjerash, ai tha se Kosova ka dëshmuar përkushtimin e saj për dialog përmes qasjes konstruktive dhe propozimeve kreative.

Ai po ashtu shprehu gatishmërinë e tij për takime të radhës në Bruksel të nivelit të lartë politik dhe intensifikim të procesit të dialogut për normalizim të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me njohjen reciproke në qendër.

Në anën tjetër, Serbia njihet për kundërshtimet kur bëhen fjalë kërkesat e Kosovës. Pa kënaqësitë e saj për marrëveshjet dhe kur bëhej fjalë për veprimet e Kosovës, ajo i shprehte përmes barrikadave në veri të Kosovës.

Rreth mundësisë që Serbia t’i përdor ato përsëri në rast mos formimit të Asociacionit (siç e kërkojnë ata), ekspertët e sigurisë thonë se Serbia vazhdimisht për arsye të ndryshme ka qëllim destabilizimin e Kosovës, por Asociacioni nuk mund të jetë shkas që Serbia t’i rikthej barrikadat, por edhe në rast të vendosjes ato largohen përsëri na vet serbët.

Halimi: Bashkësia ndërkombëtare nuk do ta tolerojë Serbinë

Armend Halimi nga Instituti për Sigurime të Sigurisë, thotë se Serbia ka qëllim destabilizimin e Kosovës.

Image
Armend Halimi

Sipas tij, ajo nuk ka drejt në kërkesat e saj siç është tani Asociacioni.

Asociacioni, sipas Halimit, është lëshim me apo pa qëllim i pushteteve të kaluara të vendit tonë.

“Serbia vazhdimisht, për çfarë do arsye të shpikur të saj, ka qëllim destabilizimin e Kosovës nëse nuk i arrin synimet e saja agresive, pra për gllabrim të ndonjë pjesë të vendit tonë. Mirëpo, në asnjë rrethane e asnjëherë Serbia nuk ka të drejtë në kërkesat e saja, në këtë rast edhe asociacionit. Ky i fundit është një lëshim me apo pa qëllim të pushteteve të kaluara të vendit tonë, çka nuk duhet jetësuar nga asnjë pushtet tjetër, e as nuk duhet të jetë frikë mos pranimi i saj. Me shume gjase bashkësia ndërkombëtare nuk do të gabojë deri në atë shkallë, që Serbinë një vend i cili akoma do të duhej sanksionuar për të bëmat e saja, ta tolerojë prapë, ta e sulmojë Kosovën”, deklaron Halimi.

Serbia dhe plani franko-gjerman

Në anën tjetër, eksperti i sigurisë, Hajrullah Tërnava, në një prononcim për “Bota sot”, shprehet se Serbia e ka shansin e fundit ta pranojë ofertën franko- gjermane.

Image
Hajrullah Tërnava

Ai ka përmendur lojërat e taktikat e presidentit serb, Aleksandër Vuçiq rreth Kosovës dhe ndërkombëtarëve.

“Serbia në këtë situatë në të cilën tani gjendet e kur është në pyetje çështja e Kosovës, ku po ndërmjetësojnë ndërkombëtarët, e sidomos si shkak i pajtimit dhe i njohjeve reciproke në një afat më të gjatë, tani është në pyetje modeli Franko-Gjerman, si ofertë e fundit që tani Serbia duhet të përcaktohet si kusht që po i imponohet asaj, sepse deri më tani pati mënyra të ndryshme që iu ofruan Serbisë për njohjen reciproke me Kosovën, por ajo deri më tani të gjitha ato oferta i përbuzi-refuzoi, prandaj tani është shansi i fundit që ta pranojë këtë ofertë Franko Gjermane”.

“Edhe në parlamentin serb të fundit u pa mospajtime si të pozitës dhe të opozitës kinse Vuçiq akuzohej për tradhti që dëshirojnë ta njoh pavarësinë e Kosovës, gjë që kjo është një taktikë apo lojë speciale e tyre, sepse me këtë Vuçiq dëshiron t’i thotë faktorit ndërkombëtar se çfarë pengesa i bën opozita për njohje që po kërkojnë ndërkombëtarët nga ai dhe me këtë Vuçiq dëshironte ta njoftonte opinionin se opozita ndaj kësaj çështjeje është edhe më nacionaliste, prandaj Vuçiq gjendet në një situatë të pa lakmueshme që duhen ndërkombëtarët ta kuptojnë situatën e tij, edhe që krejt kjo është një lojë e Vuçiqit, sepse ky dëshiron që të përfitojë kohë për çështjen e luftimit që po bën Rusia ndaj Ukrainës dhe prandaj sa më shumë kohë që kalon, tani dihet edhe bilanci i kësaj lufte dhe atëherë Serbia do ta ketë më të qartë kah t’ia mbajë”, pohon Tërnava.

Ai shton se Vuçiq është i obliguar të pranojë ofertë franko-gjermane.

“Megjithatë për vetë faktin e investimeve të deritanishme të shteteve të forta të BE-së në Serbi është e qartë dhe sikur se disa herë vet Vuçiqi që është deklaruar se sikur të tërhiqeshin shtetet e BE-së me investimet e tyre që aq shumë kanë investuar në Serbi, shteti serb do të kolapsonte, prandaj me vet këtë fakt Vuçiqi e dinë se është i obligueshëm dhe nuk ka tjetër rrugëdalje, por i duhet ta pranojë ofertën franko-gjermane dhe të gjitha gjasat janë se kjo do të ndodhë”, thekson Tërnava.

Sovranitetin e Kosovës e ruan KFOR-i

Duke folur rreth barrikadave dhe vendosjes së tyre nga serbët, Tërnava shprehet se, edhe mund të rikthehen, por do të përfundojnë si deri më tani kur janë larguar në mënyra të turpshme nga vetë ata.

Çështja e asociacionit, sipas Tërnavës, është çështje kohe sesi do të kryhet dhe kjo nuk do të jetë arsyeja që Serbia të shkaktojë një konflikt të ri.

“Ne kosovarët tani jemi të mësuar me sjelljet serbe dhe metodat e pengesave që i ndërmarrin ata në kufi dhe brenda Kosovës, por jo vetëm ne por tani edhe faktori ndërkombëtar i ka mësuar sjelljet e tyre vandaliste, sepse në kufi me Serbinë në Jarinje, Zubin Potoke etj gjinden forcat e KFOR-it që janë pjesë përbërëse të NATO-së, të cilat na e sigurojnë sovranitetin e territorit të Kosovës, sipas marrëveshjes së kapitulimit të Kumanovës, dhe Gjyqit Ndërkombëtarë të Drejtësisë që e ka njohur si ligjor dhe të drejtë shpalljen e pavarësisë të Kosovës të vitit 2008, dhe KFOR-i që sa vite tani që gjendet aty, i ka edhe shumë shërbime të ndryshme të saja që janë pjesë përbërëse të saja, dhe çdo lëvizje që bëhen për aty, e dinë se kush i ndërmerr ato dhe nga kush vijnë, prandaj edhe të rikthehen ato pengesa-barrikada do të përfundojnë si deri më tani që largohen në mënyra të turpshme nga vet ata që i kanë vënë si pengesa, e që dihen se serbët sipas detyrave nga i marrin ata, i kryejnë ato detyra.

Tani, çështja e Asociacionit është sipas të gjitha gjasave çështje kohe se si do të kryhet, dhe kjo nuk është shkak që Serbia të shkaktojë konflikt të ri, sepse sikur e shpjegova më lartë se sovranitetin e Kosovës e ruan KFOR-i, dhe një luftë prapë me NATO-në, dihet se çfarë e pret Serbinë, e që sikur të ndodhë ajo luftë, bëhet pyetja se a do të ekzistonte më Serbia”, përfundon Tërnava.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat