Po kundërshtojnë në vazhdimësi planin franko - gjerman/ Opozitës i vjen një kundërpërgjigjje e ashpër!

Politika

Po kundërshtojnë në vazhdimësi planin franko - gjerman/ Opozitës i vjen një kundërpërgjigjje e ashpër!

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 14 mars 2023 Në ora: 08:00
Aleksander Vuçiq, Emannuel Macron, Olaf Scholz, Albin Kurti; foto ilustrim nga "Bota sot"

Situata mes Kosovës dhe Serbisë është duke vazhduar të jetë temë diskutimi, dhe e papërfunduar me një marrëveshje finale.

Emisarët ndërkombëtar janë duke zhvilluar bisedime me të dy palët për të arritur një dakordim mes dy palëve.

Së fundmi është pranuar propozimi franko-gjerman, duke u pritur kështu që më 18 mars të arrihet edhe një takim për të jetësuar më shumë këtë propozim.

Mirëpo, kundër këtij plani po vazhdon të jetë opozita e Kosovës, përkatësisht LDK dhe PDK.

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Europian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajcak, takoi ditë më parë liderët e partive më të mëdha opozitare në vend, që nuk prodhoi ndonjë risi apo ndryshime substanciale të qëndrimeve ndaj planit franko-gjerman.

Fillimisht kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, pas takimit me emisarin special të Bashkimit Europian (BE), për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajcak, ka thënë se marrëveshja me Serbinë pa njohje reciproke, nuk përfundon konflikti i ngrirë dhe si i tillë është e papranueshme për këtë parti.

Në anën tjetër Lajçak ka vizituar edhe partinë tjetër opozitare në vend, Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK).

Në takim, Abdixhiku thuhet të ketë kërkuar nga Lajçaku sqarime në lidhje me tekstin e marrëveshjes së propozuar, “në mënyrë të veçantë në lidhje me preambulën, me nenin 7, nenin 10 dhe me planin implementues të marrëveshjes së tanishme”.

Por sa e drejtë është një kundërshtim i tillë nga opozita, kur e dim që të njejtit kanë qenë për 20 vite në pushtet dhe nuk kanë arritur të kenë një dakordim me Serbinë?

Mehazi: Opozitë, mos vallë jeni në anen e Vuçiqit?

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur profesori Sulejman Mehazi.

Image
Profesori Sulejman Mehazi.

Ai u shpreh se nuk është për të u habitur për qëndrimet e opozitës, pasi të njejtit nuk pajtohen vetëm për inat të kryeministrit Kurti.

“Nuk habitemi me partitë opizitare të PDK-në e LDK-në që nuk pajtohen me planin franko-gjerman dhe pas takimit me përfaqësuesin evropian, Miroslav Lajçak, përmbajtja e planit evropian sikurt të ishte edhe parajsore për Kosovën, përsëri kryetari i LDK-së, Abdixhiku dhe ai i PDK-së, Krasniqi, nuk do pajtoheshin vetëm për inat të kryeministrit Kurtit, i cili me drejtimin e tij politik përballë dialogut me Serbinë mbron denjësisht kushtetutën e Kosovës kundër asociacioneve të nënshkruar nga PDK-ja e LDK-ja”, u shpreh ai.

Profesori më tej vazhdon duke parashtruar pyetje për opozitën, nëse mbajnë anen e Kosovën apo atë të Serbisë.

“Po t'iu bëjmë një pyetje partive opozitare të Kosovës, PDK-së e LDK-së, se nëse nuk pajtohen me planin franko-gjerman, të BE-së, Francës, Gjermanisë e SHBA-së që është për njohje reciproke, Kosovë-Serbi, atëherë mos vallë janë në anën e presidentit të Serbisë, Vuçiqit, i cili pak para takimit të radhës në Ohër thuaj se çdo ditë është duke deklaron se nuk do ta njoh Kosovën për t'u anëtarësuar në OKB?! Apo mos ndoshta PDK-ja e LDK-ja nuk pajtohen me planin franko-gjerman për shkak se ky plan nuk është në linjën politike të presidentit të Serbisë Vuçiqit, dhe të partive opozitare të Kosovës për ndarje apo shkëmbimeve të territoreve me Serbinë?, mos ndoshta partive opozitare të Kosovës më së shumti ju djeg se pse kryeministri, Albin Kurti, nuk pajtohet me asociacionet serbe të nënshkruar nga vetë LDK-ja e PDK-ja më 2015. Po, sikur në vend të Albi Kurtit e LVV-së të ishin në qeveri të LDK-së e PDK-së me siguri Serbia do ta kishte më lehtë për shkak se serbët e vegjël të Vuçiqit në Kosovës do të kishin fituar asociacionet ekzekutive të llojit të republikës serbe në Bosnjë-Hercegovinë”, shpjegoi për “Bota sot”, profesori Sulejman Mehazi.

Elezaj: Qëndrimi kundërshtues i LDK-së dhe PDK-së, tanimë e ka marrë “dënimin” e merituar nga miqtë tanë amerikan

Ndërsa analisti tjetër politik, Rexhep Elezaj në një bashkëbisedim me “Bota sot”, thotë që nuk është korrekte të kundërshtohet një plan për inate politike.

Image
Analisti politik, Rexhep Elezaj

Sipas analistit nuk duhet asnjëhere të dëmtohen interesat e shtetit.

“Qëndrimi kundërshtues i dy partive më të mëdha opozitare në Kosovë, LDK-së dhe PDK-së, ndaj Planit të BE-së për Kosovën, tanimë e ka marrë “dënimin” e merituar nga miqtë tanë amerikan, të cilët para pak ditësh përmes ambasadorit të SHBA-ve në Kosovë, z. Jeffrey M. Hovenier, i kanë kritikuar ashpër këto dy parti për shkak të mos pranimit të këtij Plani nga ana e tyre, dhe atë për shkaqe të cilat i dinë vetëm udhëheqësit e këtyre dy partive..!? Të bësh opozitarizëm politik ndaj qeverisë “Kurti-2” në dëm të interesave të shtetit tënd, siç është rasti me mos pranimin e Planit të BE-së për Kosovën nga LDK dhe PDK, ai nuk është fare opozitarizëm, veçse thikë pas shpine ndaj interesave të Kosovës, kur dihet fare mirë, se pa pëlqimin dhe përkrahjen e SHBA-ve, ky Plan as nuk do të ndodhte, dhe as nuk do të aprovohej nga 27 vendet anëtare të BE-së, i cili qysh në shtator të vitit 2022 u është dërguar palëve negociuese, Kosovës dhe Serbisë”, thotë Elezaj.

Tutje, analisti shpjegon që SHBA e ka çliruar Kosovën nga gjenocidi serb dhe tani të dëmtohet nuk do të lejohet nga ndërkombëtarët.

“Me një fjalë, udhëheqësit e këtyre dy partive opozitare, me qëndrimet e tyre kundërshtuese ndaj këtij Plani prej 11 pikave, me arsyetimin naiv, se i njëjti nuk përmban njohjen e pavarësisë së Kosovës nga ana e Serbisë, dhe se aprovimi i këtij Plani do e vazhdon “status-quon” në bisedimet aktuale mes dy vendeve, etj., shikuar rrethanat politike në Evropë, luftën në Ukrainë, si dhe kohën kur ky Plan i është ofruar dy palëve, duke mos e harruar faktin, se i njëjti brenda tij e ka njohjen “de-facto” të pavarësisë së Kosovës nga ana e Serbisë, përfshirë këtu dhe pro-amerikanizmin verbal të udhëheqësve të LDK-së, të vetë deklaruar si parti institucionale, ky refuzim nuk mund të vlerësohet ndryshe, përveç se si antiamerikanizëm në vepër..!? Sepse, e gjithë bota e dinë se janë SHBA-të, ato të cilat Kosovën e kanë çliruar nga gjenocidi dhe masakrat e Serbisë në vitin 1998-99, ato të cilat Kosovën e bënë shtet sovran dhe të pavarur, bile duke e bombarduar Serbinë, si një rast unik në botë, që NATO e bombardon një shtet sovran, vetëm për ta mbrojtur një populli tjetër nga zhbërja e tij, siç ishte rasti me 2 milion shqiptarët e Kosovës”, shtoi analisti.

Në fund, ai thekson që ky kundërshtim i propozimit franko-gjerman le të mbetët në ndërgjegjen e tyre pasi shumë shpejt koha do të tregoj se kush kishte të drejtë.

“Se çfarë do bënin dhe si do silleshin këto dy parti opozitare, LDK dhe PDK, po sikur sot të ishin në pushtet, përgjigja në të cilën vetëm se mund të supozohet, prandaj qëndrimi i tyre mohues ndaj Planit të BE-së (franko-gjerman) le të mbetet në ndërgjegjen e tyre politike dhe kombëtare, mbase shumë shpejtë koha do ta tregon se kush kishte më shumë të drejtë, ata që e aprovuan, apo ata që e kundërshtuan këtë Plan”, përfundoi për “Bota sot”, analisti politik, Rexhep Elezaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat