Vëllai i deputetit të vrarë të LDK-së hedh akuzën e rëndë ndaj Thaçit, Veselit, Selimit e Krasniqit për vrasjet politike

Politika

Vëllai i deputetit të vrarë të LDK-së hedh akuzën e rëndë ndaj Thaçit, Veselit, Selimit e Krasniqit për vrasjet politike

Nga: P.R Më: 8 prill 2023 Në ora: 20:04
Viktimat e vrasjeve politike

Ish deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe ish komandanti i UÇK-së në Rugovë, Smajl Hajdaraj, u qëllua për vdekje në një atentat më 17 janar të vitit 2002.

E kur kanë kaluar 21 vite që nga vrasja e tij, ashtu si shumë vrasje politike që kanë ndodhur në Kosovë, ka mbetur ende një enigmë e pa zbuluar.

Por me nisjen e gjykimit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqin, shpresa për zbardhjen e vrasjes së Smajl Hajdarajt janë rritur.

Së paku kështu pret vëllai i tij Fazli Hajdaraj.

Image
Fazli Hajdaraj

“Nga kjo gjykatë shpresojmë që t’i zbardhë të gjitha vrasjet me motive politike, dhe njëherë e përgjithmonë familjeve të vrarëve tu qetësohen dhimbjet qe tash e mbi 20 vite i bartin në shpirt! Dakord për këtë, por për historinë që ata pretendojnë është histori e shkruar më gjak duke i vrarë burrat më të mëdhenj të Kosovës për ta marrë pushtetin!”, deklaron për gazetën “Bota sot”, Fazli Hajdaraj, vëllai i Smajl Hajdarajt.

Më tej, ai thotë se Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi duhet të përgjigjen për vrasjet që kanë ndodhur në Kosovë.

Sipas Hajdarajt, të akuzuarit e Speciales janë vrasësit apo urdhërdhënësit e vrasjeve politike, përfshirë edhe atë të Smajl Hajdarajt.

“Të akuzuarit në Hagë duhet të përgjigjeni për vrasjet e Fehmi Aganit, Enver Malokut, Xhemail Mustafes, Ahmet Krasniqit, Shaban Manaj, Ismet Rracin, Smajl Hajdaraj, kolonel Tahir Zemaj, Sebahate Tolaj, Isuf Haklaj, Besim Dajakun Besnik Kastratin, plagosjen e Fetah Rudit, Sabri Hamitit, Agim Veliun, Gani Gecin e shumë të tjerë. Ju ose jeni vrasësit, ose kini dhënë urdhra ose e dini kush janë”, shprehet Hajdaraj.

Ai shton se Gjykata Speciale do ta ndriçojë vetëm të vërteten dhe do të sjellë drejtësi.

“Ju deri tani e keni njollosur luftën për çlirim, dhe kuptojeni se Gjykata do ta ndriçojë të vërtetë, e ju nëse do dënoheni për vrasjen e shqiptarëve do jeni turpi i Kosovës! Çka keni mbjellë do korrni! Kjo Gjykatë është shpresa e fundit për në Familjarët, prandaj kërkojmë drejtësi!”, thekson Fazli Hajdaraj.

Marshin e organizuar në Prishtinë, Hajdaraj e quan marsh i turpit e jo i drejtësisë.

“Marshin për drejtësi e konsiderojmë si marshin e turpit, sepse është një paradoks i llojit të vetë, pasi kjo gjykatë është e Kosovës dhe e miratuar në Parlamentin e Kosovës. Këtij marshi i prinin deputetët e PDK-së të cilët kanë ngritur gishtat për miratim. Po e mbrojmë UÇK-në dhe luftën çlirimtare dhe komandantët, ndërsa ata po thonë se nuk ishim në frontet e luftës dhe nuk komandonim pasi Shtabi i Përgjithshëm nuk kishte zinxhir komandues. Ata vetë mohojnë çdo gjë, edhe komandën edhe zinxhirin komandues, edhe luftën edhe pse gjithë kohës na patën lodhur "na ju çliruam, na e udhëhoqëm luftën, na shkruam historinë". Dhe nuk është e rastësishëm parulla "nuk rishkruhet historia"”, thotë Hajdaraj.

“Gjykatën Speciale unë e shoh si një mundësi të mirë për ndriçimin e gjithë asaj çka ka ndodhur edhe gjatë, por edhe pas lufte në Kosovë. Duhet ta themi pa frikë së në Kosovë më luftën për çlirim u abuzua dhe u keqpërdor gatishmëria e popullit për tu bashkuar në një front të përbashkët, në emër të asaj së politika e udhëhequr nga Presidenti historik Dr. Ibrahim Rugova është e gabuar dhe e pa shpresë që kur nuk do e sjellë lirinë. U krijua një urrejtje e tmerrshme ndaj LDK-së gjëja nuk përkrah UÇK-në, dhe po saboton luftën për çlirim. Dhe kush nuk është më ne është tradhtar!... ndërsa në teren 80% e luftëtarëve vinin nga LDK-ja”, shpjegon Hajdaraj.

“Dihet dhe ekzistojnë të dhëna faktike që Dr. Ibrahim Rugova bashkë më Fehmi Aganin përveç rezidencës aktive kishin edhe planin për realizimin e pavarësisë së Kosovës përmes formimit të Ministrisë së Mbrojtjes të cilën e drejtonte zotëri Hajzeraj, prandaj kjo nënkupton edhe luftën. Për të mos hyrë thellë në historinë e gjithë ngjarjeve duhet ta përmendi takimin e Rugovës më Presidentin e atëhershëm të Shqipërisë Ramiz Alia që të dërgohen grupe njerëzish për tu ushtruar ne shtetin shqiptar. Kjo ka ndodhur dhe u dërguan dy grupe ku udhëheqës ishte Sali Çekaj, sekretar i Degës së LDK-së në Gjermani. Formimi i FARK-ut me ministër Kolonelin Ahmet Krasniqi, beteja e Loxhës dhe beteja e Koshares janë betejat më të lavdishme të UÇK-së”, përfundon për “Bota sot” Fazli Hajdaraj, vëllai i deputetit të LDK-së, Smajl Hajdaraj i vrarë tinëzisht më 17 janar të vitit 2002.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat