Plagosja e Milan Jovanoviç dhe skenari i errët i Serbisë në veri – analistët e komentojnë situatën!

Politika

Plagosja e Milan Jovanoviç dhe skenari i errët i Serbisë në veri – analistët e komentojnë situatën!

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 12 prill 2023 Në ora: 15:21
Policia në veri

Ka tri ditë që një nga temat më të përfolura në opinonin publik, është plagosja e serbit, Milan Jovanoviç në veri të Kosovës.

Jovanovic, ka thënë se ende nuk është i sigurt se kush e ka plagosur. Ai pretendon se në vendin ku është plagosur kanë qenë vetëm pjesëtarë të Forcave Speciale të Kosovës.

E për këtë çështje të menjëhershëm kanë qene Policia e Kosovës, ku edhe ka pezulluar nga detyra katër zyrtarë policorë lidhur me rastin.

Policia tha se nuk dihen motivet, ndërsa, qytetari serb është jashtë rrezikut për jetën.

“Bazuar në informacionet dhe dëshmitë e siguruara bëhet e ditur se janë marrë masa të suspendimit ndaj zyrtarit policor, pasi i njëjti nuk kishte raportuar lidhur me rastin dhe për përfshirjen e tij në rast”, thuhet në njoftimin e policisë.

I ashtuquajturi drejtori i Zyrës për Kosovë, Petar Petkoviq, ka dënuar sulmin ndaj Milan Jovanoviqit, i cili u shpreh se këto gjëra po ndodhin në mënyrë që të shmanget themelimi i Asociacionit.

Reagime pas incidentit pati nga Ambasada Amerikane në Prishtinë. Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jefry Hovenier ka shprehur shqetësimet e SHBA-së lidhur me incidentin në veri dhe tha se duhen zhvilluar hetime të plota.

Elezaj: Suspendimi i katër policëve, veprim i ngutshëm

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur analisti politik Rexhep Elezaj.

Sipas tij plagosja është bërë pasi i njëjti nuk ka zbatuar urdhrin e policisë së Kosovës për ta ndaluar makinën, dhe se suspendimi i katër policëve të cilët kanë kryer detyrën që ju takon, është e padrejtë.

“Milan Jovanoviç, banor i Kosovës në veri, sipas shpjegimit të ministrit tonë për punë të brendshme, z. Sveçla, ai është plagosur për shkak se me makinën e tij nuk i është përgjigjur urdhrave të policisë së Kosovës për t’u ndalur, ndaj të cilit një polic i ynë paska shti me armë në drejtim të tij duke e plagosur të njëjtin. Dhe se për këtë veprim, siç tha ministri Sveçla, qenkan suspenduar katër policë të SHPK-së, një veprim ky i ngutshëm nga ana e ministrisë tonë për punë të brendshme, meqë në asnjë shtet në botë nuk ndodhë që për një veprim legjitim të policisë ndaj cilitdo qytetar që nuk i zbaton urdhrat e policisë së shtetit, të suspendohen përnjëherë katër policë, në vend se në pyetje të merrej vetëm polici i cili me të drejtë e ka përdorur armën, e jo të ndëshkohen edhe tre policë tjerë për veprimin e tepruar të kolegut të tyre. Ndërsa në anën tjetër, siç e dimë të gjithë, janë serbët e veriut të udhëhequr nga Lista Srpska dhe regjimi i Serbisë në krye me A. Vuçiqin, ata të cilët i gëzohen çdo trazire”, u shpreh ai.

Image
Rexhep Elezaj

Elezaj më tej thekson që udhëheqësit e Listës serbe, dhjetë prej të cilëve janë deputet të ngrirë në Kuvendin e Kosovës, bashkë me grupet dhe bandat kriminale serbe në veri, ka vite që përpiqen ta destabilizojnë situatën në atë pjesë të Kosovës.

“Pra, për t’i marrë këto raste si alibi para faktorëve ndërkombëtarë, ja se autoritetet shqiptare të Prishtinës po bëjnë gjoja presion ndaj pakicës serbe në veri që të shpërngulën nga Kosova! Pra, udhëheqësit e Listës serbe, dhjetë prej të cilëve janë deputet të ngrirë në Kuvendin e Kosovës, bashkë me grupet dhe bandat kriminale serbe në veri, ka vite që përpiqen ta destabilizojnë situatën në atë pjesë të Kosovës, siç dihet në koordinim të plotë me Beogradin zyrtar, dhe atë përmes aksioneve dhe akteve kriminale, me qëllim që në veri të shkaktohen trazira dhe konflikte të hapura me policinë e Kosovës, si pretekst për realizimin e planeve të tyre për ndarjen e veriut të Kosovës dhe bashkëngjitjen e tij Serbisë.

Pra, nuk qëndron fare ajo që ka thënë në reagimin e tij ky farë çetniku serb, Petkoviç, se gjoja pala shqiptare po bënë akte të këtilla me qëllim për mos ta formuar AKS-së, dhe çdo “gabim” të organeve shtetërore të Kosovës ta paraqesin para botës si akte terroriste ndaj pakicës serbe në Kosovë, dhe se ndaj të cilave regjimi i Beogradit nuk mund të rrika duarkryq”, shpjegon analisti.

Ndër të tjera, Elezaj thotë që e gjithë kjo është një lojë e ndytë serbe me qëllim që të ketë ndërhyrje të ushtrisë serben në Kosovë.

“E gjithë kjo lojë e ndytë serbe, për gjoja mbrojtjen e serbëve nga policia dhe njësia “terroriste” ROSU, ka për qëllim që përmes një konflikti të armatosur në veri t’i mundësohet ushtrisë së Serbisë të ndërhyjë në Kosovë, me qëllim ogurzi që së pari ta okupojë e pastaj ta shkëpus veriun e Kosovës për t’ia bashkëngjitur Serbisë fashiste. Prandaj, edhe rasti i plagosjes së fundit të qytetarit serb në veri të Kosovës, po keqpërdorët nga zyrtarët e Beogradit duke akuzuar palën shqiptare, se me “qëllim” po e pengon normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi sipas Planit të fundit të BE-së, dhe se Prishtina zyrtare nuk do ta formojë kurrë “Zejednicën” për serbët në Kosovë, se Albin Kurti është pengesa kryesore për zbatimin e gjitha marrëveshjeve të nënshkruara në Bruksel, dhe kështu me radhë, duke e bërë fajtore qeverinë e “përkohshme” të Albin Kurtit për çdo incident në veri si dhe për çdo dështim në dialogun dhjetëvjeçar Kosovë-Serbi”, u shpreh Elezaj për “Bota sot”.

Duhanaj: Serbia çdoherë ka vrarë natën e ka quajtur ditën

Ndërsa, analisti tjetër politik, Leon Duhanaj në një bashkëbisedim me “Bota sot”, thotë që reagimet e politikës serbe janë vetëm deklarata të vazhdueshme që Serbia ka bërë tash e disa vite.

Sipas tij, Serbia çdoherë ka vrarë natën e ka qarë ditën.

“Reagimet e politikës serbe në këso raste, janë krejtësisht të bazuara në metodat e operimit të tyre, të cilat historikisht i kanë bërë. Serbia çdoherë ka vrarë natën e ka quajtur ditën. Shih në çdo rast, në çdo eksese që ka ndodhur, kanë dalë duke vajtuar e akuzuar shqiptarët. Shteti serb ka vrarë njerëz të panumërt për t'i fajësuar shqiptarët. Madje, për fat të keq ketë edhe ja ka dalë, duke nxitur vëllavrasje e thyerje në kombin tonë. Madje si rezultat i kësaj kuzhine e kemi edhe Gjykatën Speciale sot”, foli analisti.

Image
Leon Duhanaj

Në fund, analisti uroi që e gjithë kjo situatë të zbardhet në detaje nga organet e rendit e duke mos lënë kështu vend për propagandë manipuluese.

“Në këtë kontekst, nuk me duket diçka e re në ketë segment, sepse nga kjo listë, nga ky komunitet i manipuluar, kontrolluar e dirigjuar skajshmërish nga shteti serb, është e vetmja gjë që dinë dhe duan ta bëjnë në raport me ne. Uroj që organet e rendit të zbardhin çdo detaj të rastit dhe mos të lënë asnjë hapësirë për propagandë manipuluese”, përfundoi Duhanaj, për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat