“Fundi i UNMIK-ut në Kosovë”, përkrahet kërkesa e Amerikës dhe Britanisë: ‘Çetnikët’ e Beogradit po gënjejnë!

Politika

“Fundi i UNMIK-ut në Kosovë”, përkrahet kërkesa e Amerikës dhe Britanisë: ‘Çetnikët’ e Beogradit po gënjejnë!

Nga: A.M. Më: 29 prill 2023 Në ora: 10:12
Mbledhje e Këshillit të Sigurimit të OKB-së

Ditë në parë, përfaqësuesit e SHBA-së dhe Britanisë së Madhe, në mbledhjen e Këshillit të OKB-së, kërkuan përfundimin e misionit të UNMIK-ut në Kosovë.

Marrë parasysh zhvillimet e fundit, sipas tyre duhet të rishikohet një mënyrë tjetër të mbikëqyrjes së Kosovës.

“Ky është një momentum pozitiv që është koha që OKB të shikojë një rol tjetër sa i përket mbikëqyrjes së Kosovës dhe se mandati që ka qenë deri më tani nuk është i nevojshëm andaj duke falënderuar angazhimin e deritanishëm të UNMIK-ut ne duhet të pranojmë faktin që misioni ka përfunduar”, tha ndër të tjera Përfaqësuesi i SHBA-së në mbledhjen e Këshillit të OKB-së, Jeffrey DeLaurentis

E për këtë çështje në një prononcim për “Bota sot” foli opinionisti Rexhep Elezaj.

Fillmisht, ai u shpreh i befasuar se si edhe pas kaq shumë vitesh që nga shpallja e pavarësisë, UNMIK vazhdon mandatin e tij në Kosovë.

“Siç dihet, mandati i Misionit të Administratës së Përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK) është përcaktuar nga Këshilli i Sigurimit përmes Rezolutës 1244 me 10 qershor 1999, dhe i cili është dashur të përfundojë me 17 shkurt 2008, kur Kosova u bë shtet i pavarur dhe sovran.

Andaj, është për t’u habitur se pse Kosova, e cila e ka shpallur pavarësinë e saj me 17 shkurt 2008, pavarësinë e të cilës e kanë njohur më shumë se 116 shtete anëtare të OKB-së, sot e kësaj dite UNMIK-u vazhdon të zbatojë mandatin e vet në bazë të Rezolutës 1244, e cila rezolutë faktikisht nuk është më në fuqi”, deklaroi opinionisti.

Image
Opinionisti Rexhep Elezaj.

Elezaj mbështeti kërkesën e SHBA-së për përfundimin e këtij misioni, derisa tha se mbetet të shihet se çfarë dop të ndodhë në muaj në vijim.

“Prandaj, ishte tejet e qëlluar kërkesa e përfaqësuesit të SHBA-ve, i cili në mbledhjen e KS të OKB, ndër të tjera tha; “Ky është një momentum pozitiv që OKB-ja të shikojë një rol tjetër sa i përket mbikëqyrjes së Kosovës, dhe, se mandati që ka qenë deri më tani nuk është më i nevojshëm, andaj duke falënderuar angazhimin e deritanishëm të UNMIK-ut, ne duhet të pranojmë faktin që misioni i tij ka përfunduar”. Se cili do ishte roli tjetër, kjo me siguri se do sqarohet javët dhe muajt e ardhshëm, mbase Republika e Kosovës nuk ka më asnjë nevojë për shërbimet e UNMIK-ut, sepse këtë vit ajo e festoi 15 vjetorin e pavarësisë, shtet sovran dhe i pavaruar”, theksoi ai.

Sipas opinionistit, UNMIK me disa qëndrime vazhdon të jetë në favor të plotë të Serbisë, ku përmendi edhe raportin e prezantuar në KS të OKB-së.

“Të njëjtën gjë e ka kërkuar edhe përfaqësuesi i Britanisë së madhe, mirëpo, sipas përfaqësuesve të UNMIK-ut në Prishtinë, ata disa herë kanë deklaruar për opinion, se roli i tij mbetet i palëkundur në përmbushjen e mandatit në shërbim të popullit të Kosovës, gjë që nënkupton qartë, se një qëndrim i këtillë dhe i prerë nga ana e tyre, vazhdon të jetë në favor të plotë të Serbisë, udhëheqësit e të cilës e kanë bërë për vete, ndoshta edhe korruptuar, që, sa herë që ata flasin për Kosovën, siç e dëshmoi edhe Raporti i SP të OKB-së për Kosovën, i lexuar në mbledhjen e KS nga përfaqësuesja e tij në Kosovë, znj. Caroline Izadeh, ia mbajnë anën Serbisë”, nënvizoi Elezaj.

Më tej, ai vlerëson se UNMIK ka dështuar që ta kryejë misionin e tij, ku më shume e ka luajtur rolin e ‘arbitrit’ se sa që ka ndihmuar shqiptarët.

“Pra, misioni i UNMIK-ut në Kosovë ka pasur për detyrë primare t’i ndihmojë shqiptarët e dëbuar nga makineria vrastare serbe që të kthehen në shtëpitë dhe vatrat e tyre të shkatërruar, t’iu sigurojë jetë të qetë dhe të sigurt, t’iu ndihmojë në vënien e bazave të administrimit lokal, në veçanti nëpër komuna, ta ndihmojë në ngritjen e policisë, të organeve të drejtësisë, por edhe në organizimin e mbajtjes së zgjedhjeve lokale, e jo ta luan rolin e arbitrit në shumë çështje për të cilat nuk ka pasur as mandate”, vlerësoi opinionisti.

Në fund, Elezaj e nënvizoi faktin se Rezolutës 1244 i ka ‘skaduar afati’ dhe si i tillë edhe misioni i UNMIK-ut do duhej që moti të përfundonte.

Krahas kësaj, ai tha se ‘çetnikët’ e Beogradti po e gënjejnë rënd opinionin se kinse sipas kësaj rezolute Kosova na qenka pjesë e Serbisë.

“Prandaj, analizuar mirë sipas normave ndërkombëtare juridike, sidomos ekspertët e kësaj fushe, e dinë mirë se Rezolutës 1244 e KS të OKB-së për Kosovën, me të cilën edhe është përcaktuar roli dhe mandati i UNMIK-ut në Kosovë, i ka skaduar afati, si në aspektin politik, ashtu dhe atë juridik, sepse në këtë Rezolutë askund nuk përmendet Serbia, veçse RFJ-në (Republika Federale Jugosllave), një subjekt juridik i cili është shuar para një dekade e më shumë, pra është fshirë nga anëtarësia e OKB-së, kur Serbia edhe bëhet anëtare e saj për herë të parë në vitin 2006. Pra, çetnikët e Beogradit po e gënjejnë rënd opinionin serb dhe atë ndërkombëtar, se sipas kësaj rezolute Kosova na qenka pjesë e Serbisë, një manipulim ky absurd i krerëve të shtetit serb, si tentim dhe kapje për një fije kashte, në mos po e bindin KS të OKB-së që ta nxjerr një rezolutë të re vetëm për Serbinë, me të cilën Kosovën do ia kthente në tepsi regjimit fashist të Serbisë. Mirëpo, kjo ide fantazmë serbe nuk do të ndodhë kurrë, për derisa në botë të ketë humanizëm, drejtësi si dhe vlera reale demokratike”, përfundoi Rexhep Elezaj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat