Ngrihet alarmi/ Analistët paralajmërojnë Kosovën – ja skenari i Serbisë!

Politika

Ngrihet alarmi/ Analistët paralajmërojnë Kosovën – ja skenari i Serbisë!

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 9 maj 2023 Në ora: 13:59
Albin Kurti, Aleksandar Vuçiq

Gjatë ditës së djeshme kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, e ka ripërsëritur qëndrimin e Qeverisë së Kosovës se marrëveshja e Ohrit e ka në vete njohjen de fakto të shtetit të Kosovës nga Serbia.

Këtë deklaratë Konjufca e bëri në një konferencë të përbashkët për media me kryetarin i Kuvendit të Austrisë, Wolfgang Sobotka.

Sipas tij, shteti serb assesi nuk po e pranon këtë gjë, teksa tha se qëllimshëm po e keqlexon marrëveshjen.

Konjufca tha se Serbia po tenton me ngulm ta formojë një “Republika Srpska”, brenda territorit të Kosovës, e që sipas tij, kjo është e papranueshme.

Konjufca tha se këto shqetësime ia ka shprehur edhe homologut të tij nga Austria, Sobotka.

“Ia ngrita shqetësimet kryetarit Sobotka, për sjelljen e papranueshme të shtetit serb, jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon. Kosova me vullnet të mirë e pranoi marrëveshjen e Ohrit, por ne jemi dëshmitarë se si Serbia, e lexon krejtësisht në mënyrë të kundërt marrëveshjen që e ka pranuar prej asaj se qysh e lexon Kosova”, ka thënë ai.

Qarri: Deklarata e z. Konjufca përveçse është plotësisht e drejtë dhe e pranueshme, në gjithë tërësinë e saj

Image
Analisti politik, Gani Qarri.

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur analisti politik, Gani Qarri.

Ai për gazetën mirëpret deklaratën e Konufcës duke u shprehur që Serbia po vazhdon të krijoj tensione të reja për vendin, duke shtuar që këtë po tenton ta bëj përmes aktivizimin e grupeve kriminale.

“Në fakt është plotësisht e vërtetë se pikërisht ashtu siç shprehet kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, sjellja e Serbisë përballë Kosovës, jo vetëm që nuk i kontribuon paqes në rajon, por nxitë në vijimësi dhe prodhon pareshtur tensione të reja në vend dhe rajon me aktivizimin e bandave kriminale serbe, edhe pas mbajtjes së zgjedhjeve të lira e demokratike në veri të Kosovës. Madje duke qenë se Serbia, me gjithë inskenimet dhe insinuatat që përdori nuk arriti ti kushtëzoj as pengojë zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunat në veri të Kosovës, ajo tani,po përpiqet që dështimin e saj në këtë drejtim, ta "kompensojë" me aktivizimin e grupeve kriminale dhe dirigjimin e tyre për akte të kontrolluara terroriste, duke filluar nga hedhja e bombave dhe vendosja e lëndëve eksplozive, deri te djegia e veturave e kërcënimet sporadike dhe të organizuara, kundër serbëve lokal, që respektojnë rendin e ligjin dhe duan bashkëjetesën e qetë e normale me shqiptarët dhe të tjerët në Kosovë”, tha ai.

Analisti shton tutje që i gjith ky revoltim po vjen si pasojë e mbështetjes së vendeve QUINT-it për mbajtene zgjedhjeve në veri të Kosovës.

“Kurse mbështetja e vendeve të QUINT-it (SHBA, Britani e Madhe, Gjermani, Francë, Itali) për mbajtjen e zgjedhjeve më 23 prill, në veri të Kosovës, e ka acaruar edhe më shumë kriminelin Vuçiq, i cili për dhjetë vite me radhë, ishte mësuar të luante me përfaqësuesit e Kosovës, si mace me miun, duke caktuar vet Vuçiqi, jo vetëm agjendën e bisedimeve por edhe diktuar marrëveshjet që duhej të implementoheshin nga Kosova, pa reciprocitet dhe pa e vënë veten dhe shtetin serb, nën obligim për asgjë. Shto kësaj edhe dështimin e përpjekjeve më të reja të Serbisë hegjemoniste, që përmes ekipit menaxhues serb për asociacionin dhe ndihmën e ndërmjetësuesve të lartë të BE-së, për dialogun Kosovë-Serbi, Josepp Borell e Mirosllav Lajçak, t`ia imponojë edhe Kosovës, njëjtë si Bosnjë Hercegovinës edhe një "Republika srpska", krejt këto kanë bërë që kriminelit Vuçiq ti humb rruga në oborr, ndaj dhe mund të ndërmarr akte të tilla të pakontrolluara, sa që të mos e di as vet, se çfarë bënë dhe si po vepron”, shpjegon ai.

Ndër të tjera Qarri përkufizon që deklarata e Konjfucës duhet të jetë “alarm” për të gjitha institucionet e vendit, që të jenë të gatshme dhe në gjendje të aktivizohen me kohë, kundër veprimeve kriminale të bandave serbe.

“Prandaj deklarata e z. Konjufca përveçse është plotësisht e drejtë dhe e pranueshme, në gjithë tërësinë e saj, ajo vije edhe si “alarm” për të gjitha institucionet e vendit, që të jenë të gatshme dhe në gjendje të aktivizohen me kohë, kundër veprimeve kriminale të bandave serbe, në krye me kriminelin Radojçiq, të orkestruara nga Serbia hegjemoniste. Dhe asnjë propozim kundër-kushtetues, siç shprehet edhe z. Konjufca, nuk mund të shndërrohet në bazë për negociata, e në qoftë se qëllimi, jo vetëm i Serbisë por edhe i ndërmjetësuesve ndërkombëtar, është që në emër të "asociacionit" të minohen themelet e shtetit dhe përmes krijimit të një "republike serbe" të shkatërrohet Republika e Kosovës, atëherë Kosova duhet të largohet urgjentisht nga bisedimet e tilla, që kanë për çmim, shkatërrimin e shtetit të Kosovës”, përfundoi analisti Gani Qarri për “Bota sot”.

Duhanaj: Serbia ka mision armiqësor ndaj Kosovës

Image
Analisti politik Leon Duhanaj

Ndërsa analisti politik Leon Duhanaj në një bashkëbisedim me “Bota sot”, thotë që tashmë dihet që ka shumë tension mes Kosovës dhe Serbisë, dhe për këtë duhet të jemi të vëmendshëm si shtet.

“Kur flasim për raportet Kosovë-Serbi, ideale do të ishte me qenë se kemi të bëjmë me një shtet fqinj, me të cilin praktikohen marrëdhënie normale. Për fat të keq, kjo gjë nuk është akoma në orbitën e normalitetit, prandaj mendoj që në raport me ta , çdoherë duhet me qenë syçelë dhe në alarm. Serbia duke nisur nga preambula kushtetuese e saj, e deri në aktivitetin me të vogël, ka mision armiqësor ndaj Kosovës dhe, për ketë s'kemi as nevojë ta përkujtojmë askënd”, tha analisti.

Në fund, ai përmbylli që duhet dashur shtetësinë e Kosovës për mbrojtur në vazhdimsi atë nga Serbia.

“Edhe z. Konjufca e di dhe poashtu besoj e dinë edhe të gjithë përfaqësuesit ndërkombëtarë. Ajo çfarë z. Konjufca përkatësisht shefi i tij nuk e di, është se për të qenë në alarm karshi Serbisë, siç e paska thënë, së pari duket dashur pa hile shtetësinë e Kosovës”, përfundoi Duhanaj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat