Asociacioni dhe formimi i tij, analistët këshillë qeverisë/ Kjo është “karta” që e ndihmon Kosovën

Politika

Asociacioni dhe formimi i tij, analistët këshillë qeverisë/ Kjo është “karta” që e ndihmon Kosovën

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 16 maj 2023 Në ora: 10:14
Foto ilustrim

Pa themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe po i humb kuptimi vazhdimit të dialogut për normalizimin e raporteve me Kosovën, ka deklaruar të hënën kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq.

Sipas saj, për krijimin e Asociacionit po presin tash e 10 vjet.

Këto komente ajo i bëri pas një takim që pati me ministren për BE-në dhe Kushtetutën e Austrisë, Karoline Edstadtler me të cilën foli për zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit.

Asociacioni tash e sa vjet mbetet çështja e pa zgjidhur në mes Kosovës dhe Serbisë.

Gjersa Serbia por edhe BE kërkon me ngulm formimin e tij, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nuk pranon një version të asociacionit mbi kompetenca ekzekutive.

Një “fije” shprese që asociacioni të mos formohet me kompetenca ekzekutive, qeveria e gjen në letrën e 24 gushtit të vitit 2015.

Letra e ish- Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Frederica Mogherini, dërguar ish-Kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa se Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë nuk do të ketë kompetenca ekzekutive dhe nuk do të përbëjë nivel të tretë të pushtetit në Kosovë, sipas analistëve duhet të përdoret dhe Kosova të insistojë në një gjë të tillë.

Haziri: Këto dokumente i ka shpërfillur edhe vet qeveria aktuale

Nexhat Haziri, analist politik në një prononcim për gazetën “Bota sot”, thotë letra e Mogherinit duhet të shndërrohet në parimin bazë mbi të cilin duhet të shkruhet statusi i Asociacionit.

Image
Nexhat Haziri, analist politik

“Natyrisht se duhet përdorur letra e ish-përfaqësueses së lartë të BE-së Frederica Mogherini për asociacionin e komunave me shumicë serbe pa kompetenca ekzekutive, një garanci që e kishte kërkuar ish-kryeministri Isa Mustafa, Dhe kjo letër duhet të shndërrohet në parimin bazë mbi të cilin duhet të shkruhet statuti i AKS-së dhe në përputhje të plotë me opinionin e Gjykatës Kushtetuese”, deklaron Haziri.

Sipas tij, ka tendencë që të shmanget letra e Mogerinit.

“Natyrisht se ka tendencë nga dy ndërmjetësit, por edhe nga Serbia që ta shmangin si letrën e Fedrika Mogerinit, që është garancë nga BE që ky organizëm mos të ketë kompetenca kushtetuese, por edhe opinioni i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës. Por, duhet të themi se këto dokumente i ka shpërfillur edhe vet qeveria aktuale, pra partia në pushtet, duke bërë spektakël propagandistik se me ta në pushtet nuk do të ketë "Zajednicë" , dhe tani në fund po e kuptojnë se ky proces është obligativ për Kosovën se duhet marrë parasysh të gjitha dokumentet që ka prodhuar marrëveshja e vitit 2015 për formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, e cila është në favor të Kosovës, dhe të lënë me një anë propagandën se qeveria e Kosovës është qendra, rrethi së cilës sillet bota”, shton Haziri.

Letrën e Mogherinit si ndihmesë e ka konsideruar edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, i cili në një intervistë për median vendore ka thënë se është dukur një siguresë e mirë.

“Na u është dukur një siguresë e mirë. Shiko tash duhesh me shfrytëzuar gjithçka në dorë. Nëse keni një qeveri të fuqishme mundeni me përdor atë letër, nëse e ke të dobët e gjuani në mbeturina. Varet qysh e koncepton. Ne sot e përdorim, por nuk e përjashtoj që edhe qeveria Mustafa e ka përdor. Nuk thash kurrgjë. Nëse e ka nxjerrë me shumë mundim atë letër, bravo i qoftë ja jap dorën. Qe dora. Se neve sot po na ndihmon”, ka thënë Konjufca.

Mehmeti: Letra e Mogherinit ishte vetëm një kurth për të nënshkruar Asociacionin

Image
Analisti politik Faton Mehmet

Mirëpo, ndryshe mendon analisti politik Faton Mehmeti, që sipas tij, pavarësisht se Kosova duhet të insistojë për një gjë të tillë, duket shumë e vështirë.

Sipas tij, letra e Mogherinit ishte vetëm një kurth për ta nënshkruar asociacionin.

“Pavarësisht se Kosova duhet të insistojë në një gjë të tillë, më duket shumë e vështirë që një gjë e tillë të ndikojë shumë në mënyrën se si asociacioni është projektuar. Kështu që, e shoh si diçka të shkuar, diçka që nuk do të merret shumë parasysh nga vetë BE dhe organizmat e tjerë vendimmarrës. Zonja Mogherini më nuk është në rolin siç ishte, edhe pse është shkruar letra në emër të BE-së kjo e fundit duket se nuk dëshiron të merret shumë më të kaluarën. Letra e Mogherinit ishte vetëm një kurth për të nënshkruar Asociacionin, të cilën gjë e kapërdinë Isa dhe Hashimi. Gjithsesi, Kosova duhet të insistojë në këtë letër, pavarësisht se e di se gjasat janë të vogla për të ndikuar diçka pozitivisht në heqjen e kompetencave të Asociacionit”, deklaron Mehmeti.

Kujtojmë, se gjatë kohës kur Mogherini ka qenë në krye të diplomacisë evropiane, e kishte nënshkruar një letër që mban datën e 24 gushtit të vitit 2015, ku zotohej se Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe – parimet e përgjithshme të se cilit do të nënshkruheshin të nesërmen e kësaj datë në Bruksel nga Kosova dhe Serbia – nuk do të kishte kompetenca ekzekutive.

Për më tepër, kjo garanci, përmbushte “kushtin” vendimtar të ish-kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa për të nënshkruar dokumentin e parimeve të Asociacionit më 24 gusht të vitit 2015, për më tutje, ajo gjithashtu garantonte se ky Asociacion nuk do të përbënte një nivel të tretë të pushtetit në Kosovë.

“Letra e zonjës Mogerini, e cila në emër të BE-së sqaron se sipas pikëpamjeve të tyre Asociacioni nuk është pushtet i tretë dhe nuk ka kompetenca ekzekutive, ka qenë dokument zyrtar, jo privat. Unë e kërkova atëherë si garanci për ta nënshkruar dokumentin e parimeve… Qëllimi ishte që kur të hartohej statuti, BE-ja të mos kërkojë kompetenca ekzekutive, pra kjo ishte një garanci, sepse zonja Mogerini ishte nënkryetare e Komisionit Evropian dhe shefe e diplomacisë evropiane.”, kishte deklaruar Mustafa.

“Në kontekstin e diskutimeve tona për themelimin e Asociacionit/Komunitetit të Komunave me Shumicë Serbe, unë do të doja të konfirmojë që është në kuptimin e BE-së, që Asociacioni/Komuniteti – në akordancë me Marrëveshjen e Parë dhe Ligjin e Kosovës – nuk do të konstituoj nivel të tretë të qeverisjës dhe nuk do të ketë fuqi ekzekutive. BE-ja, në ushtrimin e rolit të vet si ndërmjetësues në dialogun Prishtinë – Beograd, do të vazhdojë të monitorojë respektimin dhe implementimin e dyanshëm të Marrëveshjes së Parë dhe të të gjitha marrëveshjeve të arritura në dialog”, thuhet në letrën e Mogherinit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat