“Kurti është në dijeni të këtij skenari”/ A është kjo arsyeja kryesore e trazirave në veri?

Politika

“Kurti është në dijeni të këtij skenari”/ A është kjo arsyeja kryesore e trazirave në veri?

P. Rudi Nga P. Rudi Më 5 qershor 2023 Në ora: 22:09
Aleksander Vuçiq dhe Albin Kurti

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka thënë së fundi se dhuna e nxitur në veri të vendit nga strukturat kriminale serbe, është parë si skenar për ndarjen e Kosovës.

"Ata prej këtij projekti të dështuar nuk kanë hequr dorë në formën e një ideje. Por kjo ide, për të ardhur në shprehje mund të bëhet vetëm nëpërmjet dhunës. Dikur ka mundur të vijë në shprehje edhe nëpërmjet bisedimeve, për shkëmbim territorial dhe ndarje të Kosovës. Sot kjo ide mund të vijë në shprehje vetëm nëpërmjet dhunës dhe këtë ne jemi duke e parë dhe këtë duhet ta zmbrapsim dhe për këtë na nevojitet ndihma e partnerëve dhe miqve tanë ndërkombëtarë Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bashkimit Evropian, NATO-s, Mbretërisë së Bashkuar e kështu me radhë”, deklaroi kryeministri Kurti.

E këtë po e mbështet edhe profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, doktor Enver Bytyçi.

Image
Dr. Enver Bytyçi

“Në rastin e trazirave të fundit Serbia luajti me një intrigë të hollë. Nëse keni vënë re, trazirat, dhuna, mospranimi i kryetarëve të rinj të komunave ndodhi në tri komuna, në Leposaviç, në Zubin Potok dhe në Zveçan. Nuk u trazua Mitrovica e Veriut. Ndërkohë që edhe në Mitrovicën e veriut u bënë zgjedhje të ngjashme si në ato tri komunat e tjera. Pos asgjë nuk ndodhi në hapësirën e kësaj komune. Pse? Vuçiq u përpoq t’i thotë Perëndimit se “është dakord që Mitrovica të mos ndahet. Që ajo të mbetet pjesë e Kosovës”! Nuk e di nëse dikush nga diplomatët perëndimorë, mik i Serbisë, e ka rekomanduar këtë lojë të intrigës. Por unë mendoj dhe besoj se është një kurth i ri, me të cilin presidenti serb dëshiron të thotë se “është lojal ndaj kërkesave të Perëndimit” e madje “bamirës” ndaj Kosovës!”, thotë Bytyçi, sipas të cilit, kjo mund të jetë edhe kjo arsyeja pse ndërkombëtarët sulmuan ashpër Albin Kurtin.

“Ndoshta Kurti është në dijeni të këtij skenari, të cilin unë thjesht po e potencoj. Ndoshta ia ka thënë atij dikush nga diplomatët, me të cilët ka kontaktuar. Ndoshta Londra gjithashtu është në dijeni dhe për këtë arsye nuk pajtohet e nuk vihet në një linjë me SHBA dhe Fuqitë e tjera evropiane, si Franca!”.

Më tej, profesor Bytyçi thotë së ngjarjen në veri të Kosovës, treguan mesazhin së ndarja e Kosovës shihet ende si një mundësi.

“Sido që të jetë ngjarjet e fundit patën këtë lloj mesazhi. Një mesazh, i cili na bën me dije se projekti i ndarjes së Kosovës është rikthyer si ide dhe si mundësi. A do të jetë Turqia pro një projekti të tillë. Deri më tani më rezulton se Londra dhe Ankaraja, si dhe me pak rezerva Berlini, nuk e pranojnë një ide dhe plan të tillë. Megjithatë të shohim”, thekson Bytyçi.

Për fund, Bytyçi tregon arsyen pse nuk mund të ketë ndarje të Kosovës.

“Por në fund të fundit nuk mund të ketë ndarje të Kosovës, nëse nuk gjendet dikush në Prishtinë që ta nënshkruajë një marrëveshje me këtë ide me Serbinë. Opozitarët e Kosovës ndoshta do të donin të arrihej një akord i tillë, sepse ndryshe unë nuk e kuptoj reagimin e tyre kundër Albinit, reagim që në opinion përkthehet si pro- Vuçiqit! Por zoti Kurti nuk do ta bëjë këtë. Nuk besoj se e bën. As zonja Osmani nuk i qaset këtij projekti. Ajo ka qenë e prerë edhe në opozitë, madje kundër partisë së saj në vendimmarrje që dëmtojnë interesat e Kosovës, si psh për Asociacionin”, përfundon për “Bota sot”, profesor, doktor Enver Bytyçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat