Trazirat dhe plani i ri serb/ Rikthehet rreziku për ndarjen e Kosovës – skenari me veriun

Politika

Trazirat dhe plani i ri serb/ Rikthehet rreziku për ndarjen e Kosovës – skenari me veriun

Nga: Petrit Rudi Më: 7 qershor 2023 Në ora: 10:05
Veriu i Kosoves

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka thënë së fundi se dhuna e nxitur në veri të vendit nga strukturat kriminale serbe, është parë si skenar për ndarjen e Kosovës.

Ai ka rikujtuar idenë e “shkëmbimit të territoreve” duke thënë se ajo kjo ide mund të vijë në shprehje vetëm nëpërmjet dhunës.

"Ata prej këtij projekti të dështuar nuk kanë hequr dorë në formën e një ideje. Por kjo ide, për të ardhur në shprehje mund të bëhet vetëm nëpërmjet dhunës. Dikur ka mundur të vijë në shprehje edhe nëpërmjet bisedimeve, për shkëmbim territorial dhe ndarje të Kosovës. Sot kjo ide mund të vijë në shprehje vetëm nëpërmjet dhunës dhe këtë ne jemi duke e parë dhe këtë duhet ta zmbrapsim dhe për këtë na nevojitet ndihma e partnerëve dhe miqve tanë ndërkombëtarë Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bashkimit Evropian, NATO-s, Mbretërisë së Bashkuar e kështu me radhë”, deklaroi kryeministri Kurti.

Trazirat në veri të Kosovës, synim ndarjen e Kosovës

E sipas profesor, doktor Enver Bytyçit, ndarja e Kosovës nuk do të hiqet nga rendi i ditës asnjëherë, sa kohë që Serbia do të punojë me të gjitha mjetet e saj për realizimin e saj.

“Në qershorin e vitit 1920, kur Gjykata Speciale e Hagës shpalli akt-akuzën kundër ish-presidentit Hashim Thaçi, u duk se mori fund projekti serb i ndryshimit të kufijve dhe shkëmbimit të territoreve. Asokohe, pra para tri vitesh, ajo akt-akuzë u shpall në momentin kur zoti Thaçi po udhëtonte drejt Uashingtonit, ku së bashku me presidentin e Serbisë, Vuçiq, do të nënshkruanin marrëveshjen në fjalë për shkëmbim territoresh. Qëllimi politik i akt-akuzës ishte ta parandalonte këtë akt tradhtie për Kosovën. Dhe kur Thaçi u arrestua njerëzit do të duhej të ishin të trishtuar. Po rata që u gëzuan, besuan se me arrestimin e tij mori fund edhe loja politike Vuçiq -Rama-Thaçi për ndarjen e Kosovës dhe grabitjen e territoreve të saj nga Serbia. Thaçi iku. Nuk është më për ta ndihmuar Serbinë në projektin e saj anti-shqiptar të ndarjes së vendit. Por në atë trekëndësh mbeten ende edhe dy kënde të tjera. Tirana e Edi Ramës dhe Beogradi i Aleksandër Vuçiq”, shprehet Bytyçi për “Bota sot”.

Image
Enver Bytyçi

Siç thotë ai, gjithçka që ndodh në veri të Kosovës ka këtë objektiv.

“Të pamundësojë sovranitetin e Kosovës në komunat e veriut dhe të japë mesazhin te Fuqitë e Mëdha Perëndimore se vetëm ndarja e Kosovës është opsion për zgjidhjen e konfliktit midis të dy vendeve. Edhe përpëlitjet e presidentit serb në mes Moskës dhe Perëndimit bëjnë pjesë në këtë strategji. Vuçiq po e luan këtë rol aktorial në mënyrë virtuoze. Po e tremb Perëndimin me destabilizimin e rajonit, duke u thënë: “Ose më jepni komunat e veriut të Kosovës, ose do ta ndez luftën midis Kosovës dhe Serbisë”! Shumë diplomatë në Perëndim për arsyet që ata i dinë, po e ndihmojnë Serbinë në këto përpjekje. Shihni p.sh SHBA-të! Ndryshe flasin në departamentin e Mbrojtjes dhe në Senat, ndryshe flet DASH. Dy të parat mbështesin fuqimisht pavarësinë dhe tërësinë territorial të Kosovës, Antony Blinken dhe të dërguarit e tij në Ballkan mbështesin më shumë Beogradin, sesa Prishtinën”, nënvizon Bytyçi, cipas të cilit, në lojë është edhe George Soros.

“Kjo do të thotë se në lojë është gjithashtu George Soros, i cili ka shpallur që në pranverën e vitit 2018 projektin e ndarjes së Kosovës, duke planifikuar që pjesë e Serbisë të bëhen të gjitha minierat dhe uzinat e Trepçës, si dhe Ujmani. Nën komandën e gjeneralit Soros punon gjithashtu për këtë projekt kapterri Edi Rama. Ai I është bashkuar presidentit të Serbisë, Vuçiq, me urdhër të padronit të tij George Soros dhe birit të tij, Aleksit. Një Ed dhe dy Aleksë janë bërë bashkë për ta zhbërë pavarësinë, lirinë, sovranitetin, shtetësinë dhe integritetin e Kosovës. Për çfarë? Nëse kemi parasysh deklaratat e ekspertëve perëndimorë, si Patrick Moore, gjithçka bëhet për pasuri, për Trepçën dhe që Liqeni i Ujamnit të menaxhohet nga Beogradi, që rubinetat e sraccineskave të këtij liqeni t’i lirojë dhe shtrëngojë sipas dëshirës qeveria serbe e Kosova t’i lutet gjithë jetën për pak ujë Beogradit”, shpjegon Bytyçi.

Më tej, profesor Bytyçi thekson se me trazirat në veri të Kosovës, Vuçiq dërgoi një shantazh të hapur ndaj bashkësisë ndërkombëtare.

“Por në rastin e trazirave të fundit Serbia luajti me një intrigë të hollë. Nëse keni vënë re, trazirat, dhuna, mospranimi i kryetarëve të rinj të komunave ndodhi në tri komuna, në Leposaviç, në Zubin Potok dhe në Zveçan. Nuk u trazua Mitrovica e veriut. Ndërkohë që edhe në Mitrovicën e Veriut u bënë zgjedhje të ngjashme si në ato tri komunat e tjera. Pos asgjë nuk ndodhi në hapësirën e kësaj komune. Pse? Vuçiq u përpoq t’i thotë Perëndimit se “është dakord që Mitrovica të mos ndahet. Që ajo të mbetet pjesë e Kosovës”! Nuk e di nëse dikush nga diplomatët perëndimorë, mik i Serbisë, e ka rekomanduar këtë lojë të intrigës. Por unë mendoj dhe besoj se është një kurth i ri, me të cilin presidenti serb dëshiron të thotë se “është lojal ndaj kërkesave të Perëndimit” e madje “bamirës” ndaj Kosovës!”.

“Mund të jetë edhe kjo arsyeja pse ndërkombëtarët sulmuan ashpër Albin Kurtin. Ndoshta Kurti është në dijeni të këtij skenari, të cilin unë thjesht po e potencoj. Ndoshta ia ka thënë atij dikush nga diplomatët, me të cilët ka kontaktuar. Ndoshta Londra gjithashtu është në dijeni dhe për këtë arsye nuk pajtohet e nuk vihet në një linjë me SHBA dhe Fuqitë e tjera evropiane, si Franca! Sido që të jetë ngjarjet e fundit patën këtë lloj mesazhi. Një mesazh, i cili na bën me dije se projekti i ndarjes së Kosovës është rikthyer si ide dhe si mundësi. A do të jetë Turqia pro një projekti të tillë. Deri më tani më rezulton se Londra dhe Ankaraja, si dhe me pak rezerva Berlini, nuk e pranojnë një ide dhe plan të tillë. Megjithatë të shohim”, deklaron Bytyçi.

Por pavarësisht gjithave, Bytyçi shprehet se nuk do të ketë ndarje të Kosovës.

“Por në fund të fundit nuk mund të ketë ndarje të Kosovës, nëse nuk gjendet dikush në Prishtinë që ta nënshkruajë një marrëveshje me këtë ide me Serbinë. Opozitarët e Kosovës ndoshta do të donin të arrihej një akord i tillë, sepse ndryshe unë nuk e kuptoj reagimin e tyre kundër Albinit, reagim që në opinion përkthehet si pro- Vuçiqit! Por zoti Kurti nuk do ta bëjë këtë. Nuk besoj se e bën. As zonja Osmani nuk i qaset këtij projekti. Ajo ka qenë e prerë edhe në opozitë, madje kundër partisë së saj në vendimmarrje që dëmtojnë interesat e Kosovës, si psh për Asociacionin. Megjithatë zoti Kurti duhet të bëjë me shpejtësi gati projektin e statutit të Asociacionit dhe ta dorëzojë në Bruksel. Duhet të eliminojë çdo keqkuptim dhe çdo alibi për trazira të reja. Sepse qëllimi i Vuçiqit është të nxisë trazira të njëpasnjëshme, në funksion të idesë së tij të ndarjes së Kosovës!”, përfundon për “Bota sot”, profesor Enver Bytyçi.

Serbia po kërcënon me një luftë të re

Se trazirat në veri të Kosovës kanë për synim ndarjen e Kosovës, e thotë edhe studiuesi i politikave ndërkombëtare, Seb Bytyçi.

“Kundërshtimi i pranisë së kryetarëve shqiptarë në objektet komunale e shpërfaqë dëshirën për etnizim të çdo gjëje publike dhe segregim, duke krijuar një etnokraci për serbët e Kosovës, sidomos në veri. Kjo është mjaft e rrezikshme dhe në kundërshtim me demokracinë multietnike të ndërtuar në Kosovë”, nënvizon Bytyçi, i cili deklaron se Serbia po kërcënon me një luftë të re në Evropë.

“Serbia përmes trazirave po e kërcënon perëndimin me një luftë të re në Evropë, dhe po kërkon hise në veri duke kundërshtuar gjithçka joserbe aty. Kjo qasje duhet të ekspozohet si e rrezikshme dhe përfundimisht e pafrytshme për stabilitet”, shprehet Seb Bytyçi për “Bota sot”.

Image
Seb Bytyçi

Nuk përjashtohet rreziku

E analisti politik, Faton Mehmeti, për gazetën “Bota sot” thotë se ende ka rrezik për ndarjen e Kosovës.

“Ideja për ndarje ka ekzistuar gjithmonë dhe si e tillë ende ekziston tek Serbia dhe Rusia. Kryeministri Kurti ka thënë një gjë të njohur, dhe të provuar shumë herë nga Serbia. Dikur kjo ide kishte marrë edhe bekimin e disa shqiptarëve, tani nuk ndodh, gjë që e di fortë mirë Vuçiqi. Prandaj po nxit konflikt në veri për ta përdor si argument të “pasigurisë se serbëve””, thekson Mehmeti,

Image
Faton Mehmeti

Ai bën thirrje që i gjithë faktori shqiptar të jetë unik përballë Serbisë.

“Rreziku nuk përjashtohet kurrë, faktori shqiptar të jetë unik, ndryshe veriu mund të përdoret si kurban për marrëveshje me Serbinë. Vendosmëria jonë mund ta pengojë, asgjë tjetër nuk e ndal Serbinë të punojë në këtë drejtim”, përfundon Faton Mehmeti për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat