A zgjidhet problemi Kosovë-Serbi me “9 hapa”? Komentohet propozimi i Osmanit – hidhen dyshime për këtë pjesë

Politika

A zgjidhet problemi Kosovë-Serbi me “9 hapa”? Komentohet propozimi i Osmanit – hidhen dyshime për këtë pjesë

Arife Morina Nga Arife Morina Më 9 qershor 2023 Në ora: 14:06
Bujar Osmani

Zhvillimet e fundit në veri të Kosovës kanë marrë vëmendje të madhe, ku shumë shtete dhe aleatë të fuqishëm të Kosovës po mundohen që të gjejnë një zgjidhje për problemet e krijuara në këtë pjesë të vendit.

Ndonëse, çuditërisht, Qeveria e Kosovës po ndodhet shpesh para një trysnie dhe presioni të madh sa i përket këtyre zhvillimeve.

Së fundi, ishte ministri i jashtëm maqedonas Bujar Osmani, i cili është kryesuesi i radhës i OSBE-së, që ua dorëzoi një plan për qetësim dhe normalizim të situatës në veri të Kosovës, misioneve në Prishtinë e Beograd, “të cilat duhet të komunikojnë dhe ta funksionalizojnë atë”.

Ai tha se “Plani me nëntë hapa”, të cilin e publikoi gjatë fundjavës, “nuk është plan i OSBE-së, sepse ajo organizatë ndërkombëtare i merr vendimet me konsensus, por nga Republika e Maqedonisë së Veriut dhe ai si kryesues i OSBE-së”, transmeton Beta.

“Roli im si kryesues i OSBE-së është të ofroj një zgjidhje për de-përshkallëzimin. OSBE-ja është në thelb një platformë për dialog, komunikim dhe menaxhim të konfliktit. Ne kemi dy operacione të mëdha, një në Prishtinë dhe tjetrin në Beograd”, tha Osmani në një intervistë për televizionin maqedonas “Telma”.

Ai shtoi se propozimi i tij është një nga përpjekjet plotësuese me organizatat dhe organet e tjera ndërkombëtare për të de-përshkallëzuar dhe normalizuar situatën (në veri të Kosovës) dhe që palët (Beogradi dhe Prishtina) t’i “rikthehen dialogut të arritur në Ohër”.

Propozimi:

Udhërrëfyesi: 9 Hapat për De-përshkallëzimin dhe Normalizimin

Arritja e paqes dhe stabilitetit të qëndrueshëm në Kosovë: Rrugët përpara për kthimin dhe pjesëmarrjen e serbëve të Kosovës në proceset demokratike.

1. Kosova dhe Serbia rikonfirmojnë përkushtimin ndaj marrëveshjes bazë dhe Protokollit të Ohrit.

2. Kosova tërheq forcat e Policisë Speciale, ndërsa Serbia ul gatishmërinë luftarake të Forcave të Armatosura

3. Policia e rregullt, me ndihmën e KFOR-it dhe EULEX-it, merret me sigurinë tokësore

4. Protestat anulohen, funksionet dhe shërbimet komunale rikthehen. Jeta normale rifillon. Aksesi u jepet punonjësve komunalë.

5. Kryetarët e komunave japin dorëheqjen në verën e vitit 2023, duke i hapur rrugë zgjedhjeve të parakohshme komunale.

6. Zgjedhjet të parakohshme komunale të mbajtura këtë vit.

7. OSBE-ja mbështet procesin zgjedhor, duke rritur besimin dhe besushmërinë dhe konfidencën ndërmjet komuniteteve.

8. OSBE-ja angazhon të rinjtë në programet dhe proceset e pajtimit

9. OSBE-ja mbështet zbatimin me mirëbesim të dispozitave të dakorduara dhe rifillimin e dialogut kuptimplotë.

E këtë propozim të Osmanit e komentuan analistët politikë për gazetën “Bota sot”.

Zogaj: 9 pikat e Bujar Osmanit edhe sikur të jenë hyjnore, nuk besoj se Serbia do t’i pranojë për normalizimin e tensioneve në veriun e Kosovës

Fillimisht, opinionisti Skënder Zogaj në një bashkëbisedim me “Bota sot” kërkoi unitet të gjithmbarshëm politikë, kur vihet në pyetje sovraniteti dhe siguria e vendit tonë.

Image
Skender Zogaj

Sipas tij, qeveria jonë duhet t’ia kumtojë në detajet qëllimet ndërkombëtarëve dhe më pas të synojnë që ato të realizohen në koordinim të përbashkët.

“Preokupimet dhe problemet në planin kombëtar, për t'u zgjidhur në rend të parë duhet ta gëzojnë unitetin dhe mirëkuptimin e faktorëve të brendshëm, të të gjitha subjekteve politikë dhe të shoqërisë civile, e gjithashtu edhe të miratohen nga institucionet përkatëse shtetërore, në mënyrë që unanimisht popull e shtet litearisht të veprojnë për realizimin e vendimeve të marruna! Kjo i duhet aktualisht Kosovës e cila ka nevojë urgjente ta dijë se çka po do dhe pastaj kjo t'u thuhet edhe miqëve dhe aleatëve ndërkombëtarë në mënyrë që të koordinohen me ta dhe të veprimet. Kjo dhe vetëm kjo është mënyra e duhur. Asnjë iniciativë tjetër, sado e vlershme dhe qëllim mirë të jetë nuk mund të rezultojë e suksesshme. Përkundrazi, e pret mos suksesi të plotë, siç ka ndodhur në të kaluarën me shqiptarët e ndarë dhe i përçarë, që janë humbësit më të mëdhenj të Evropës, që pas daljes nga pushtimi Otoman, u janë copëtuar tokat dhe u janë dhuruar popujve të tjerë, fqinjëve që kanë qenë unik brenda vetes prandaj edhe janë shpallur meritor për t'u shpërblyer me tokat arbërore”, deklaroi opinionisti.

Zogaj përmendi edhe disa raste nga e kaluara, që fatkeqësisht tha se historia  po përsëritet, shkak i pësimeve të së kaluarës.

“Kjo përvojë është që nga lashtësia dhe përfillet edhe sot. Për fat të keq shqiptarët nuk kanë mësuar asgjë nga pësimet e së kaluarës, prandaj po u përsëritet historia, biles forma më e keqe e saj, sepse 6 milionë shqiptarë sot kanë 10 milionë mendime të ndryshme dhe nuk ka dreq që u bie bë fije pse veprojnë kështu, për çfarë qëllimi, kush j mëson kaq keq... Kjo tashmë është tepruar me shembuj të këqinj, që nga "Ballkania" e Adem Demaçit, Autonomia e Millosheviqit që ia ka sjellë në Kosovën e paraluftës Behxhet Pacolli, pastaj projekti shumë "gjentëlmen" i Edi Ramës; të gjitha këto iniciativa krye më vete dhe në kundërshtim me përcaktimin historik të Kosovës që nën udhëheqjen e Ibrahim Rugovës, ishte përcaktuar për Kosovë demokratike të lirë e të pavarur, që e kishte vulosur edhe me referendumin gjithë popullor, ku mbi 90 përqind e shqiptarëve e përcaktuar drejtimin dhe objektivin historik, që për fat të mirë edhe u realizua, por nuk po mund të finalizohet pikërisht nga iniciativat e mendjeve të "ndritura" që ofrojnë plane e projekte këpurdhërore”, theksoi ai.

Ndër të tjera, pensionistit nuk i lë shumë për të dëshiruar plani i ministrit Osmani, pasi nuk e ka miratimin e Qeverisë së Kosovës.

“Vet fakti që ky këtë planin ia ka ofruar Kosovës dhe Serbisë, para se të ketë një miratim zyrtar transparent nga Qeveria e Kosovës, është veprim që lë shumë për t'u dëshiruar!? Me kënd është marrë vesh Bujar Osmanin që ta hartojë këtë plan 9 pikësh për Kosovën, shtet i lirë dhe i pavarur, e që e merituaka të ndërmjetësohet nga Maqedonia fqinje? Nuk dua të dyshoj në qëllimin e mirë të Bujar Osmanit por, them se si udhëheqës i një vendi të tretë, e me përkatësi etnike të njëjtë me shumicën e popullatës së Kosovës, dihet mirëfilli se për Serbinë antishqiptare, 9 pikat e Bujar Osmanit edhe sikur të jenë hyjnore, nuk besoj se Serbia do t'i pranojë për normalizimin e tensioneve në veriun e Kosovës. Serbia nuk po u bindet elefantëve prandaj, zor se do të mirëkuptojë fluturat”, përfundoi Skënder Zogaj për gazetën “Bota sot”.

Duhanaj: Serbia synon që përmes rrëmujave të krijuara, ta realizoj planin për ndalimin e ndërhyrjeve nga njësitë speciale të policisë së Kosovës.

Ndërsa, analisti politik, Leon Duhnaja e vlerëson planin e Osmanit dhe vlerëson se është qëllim mirë.

Image
Leon Duhanaj

Mirëpo, ai nuk mbështet disa pika, ku kundërshtoi krahasimin e Njësisë Speciale të Kosovës me forcat serbe në kufij

“Për mendimin tim, propozimi 9 pikësh i z. Osmani, mund të jetë qëllim mirë megjithatë, disa nga pikat me duken mund të jenë të ekspozuara interpretimeve ambigualente. Për mendimin tim, kur flasim për policinë e Kosovës, nuk guxojmë të bëjmë ndarje në njësi speciale, apo të rregullt. Kosova ka një polici unike dhe ashtu duhet të mbetet. Serbia synon që përmes rrëmujave të krijuara, ta realizoj planin për ndalimin e ndërhyrjeve nga njësitë speciale të policisë së Kosovës. Kjo gjë nuk guxon të ndodhë assesi, sepse do të ishte kthim mbrapa dhe dorëzim i sovranitetit.

Për ketë pikë, për mendimin tim, fajtor kryesor është Kryeministri Kurti, i cili tash e sa herë, i dërgoj këto njësi pa asnjë plan, duke i lënë në mëshirën e fatit dhe, duke i ekspozuar e shndërruar si pjesë e tavolinës negociuese. Nuk bën assesi të krahasohet njësia speciale e Kosovës me forcat serbe në kufij, kjo është totalisht e papranueshme”, deklaroi analisti.

Po ashtu, Duhanaj, kundërshtoi pikat që ndërlidhen me aktivitetin e OSBE-së dhe përfshirjes së saj në zgjedhjet në Kosovë.

“Pastaj pikat që kanë të bëjnë me aktivitetin e OSBE-së, po ashtu me duket tejet problematike.

Kosova është shtet i pavarur dhe KQZ ka zhvilluar me dhjetëra palë zgjedhje demokratike, duke dhënë shembull edhe për vendet tjera.

Çdo rol i OSBE-së me shumë se në rol monitorimi, është dorëzim i sovranitetit shtetëror dhe, kjo nuk guxon assesi të ndodhë”, nënvizoi ai.

Në fund, analisti tha se qeveri jonë duhet të ketë qasje diplomatike, por të mos tërhiqet nga detyrat e saj kushtetuese.

“Po, duhet që Qeveria dhe institucionet e Kosovës, të kenë qasje me diplomatike e jo ketë formë konfrontuese të cilën po e bëjnë tani. Por assesi të çojnë situatën, që Kosovë të zmbrapset nga detyrat e saja kushtetuese, sepse kjo do të ishte parapërgatitje për ndarje përfundimtare, njëherësh edhe tradhti ndaj gjakut të derdhur për liri”, përmbylli Leon Duhanaj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat