“Lëvizje e rrezikshme”, vjen paralajmërimi për Kosovën: Çmenduri - ja çfarë fshihet në ‘sirtarët’ e Ramës dhe Vuçiqit!

Politika

“Lëvizje e rrezikshme”, vjen paralajmërimi për Kosovën: Çmenduri - ja çfarë fshihet në ‘sirtarët’ e Ramës dhe Vuçiqit!

Nga: A.M. Më: 9 qershor 2023 Në ora: 21:02
Aleksandar Vuçiq, Albin Kurti dhe Edi Rama; foto ilustrim nga "Bota sot"

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka bërë të ditur në një konferencë për media se dje ua ka përcjellë një draft për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë presidentit të Francës, Emmanuel Macron, dhe kancelarit gjerman, Olaf Scholz.

“Jam këtu për t’ju bërë të ditur një fakt të panjohur më parë. Dje ua kam përcjellë Scholzit dhe Macronit një draft të Asociacionit, për të cilin e kam vënë në dijeni edhe Charles Michel dhe palën amerikane”, tha Rama gjatë konferencës.

E ky njoftim i kryeministrit të Shqipërisë, nxiti reagime të mëdha, ku shumica ishin kundër propozimit të tij, për të cilin ka shumë pak ose fare informacione.

Profesori Enver Bytyçi në një prononcim për gazetën “Bota sot” tha se propozimi i Ramës është një rrugë shumë e rrezikshme për Kosovën.

Sipas tij, qeveria e Shqipërisë po synon ta marrë përsipër ta zgjidhë konfliktin së bashku me Serbinë dhe të flasë në emër të Kosovës.

“Dje ka ndodhur diçka e jashtëzakonshme. Kryeministri u Shqipërisë, Edi Rama, ka shpallur se ka formuluar një projekt të Asosacionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe ia ka dorëzuar atë presidentit francez, Emmanuel Macron, dhe kancelarit gjerman, Olaf Scholz. Kjo iniciativë ose vetiniciativë e zotit Rama është e paprecedentë në historinë e marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Kosovës. Sepse i hapet rruga një rruge të rrezikshme për Kosovën. Shqipëria merr përsipër ta zgjidhë konfliktin së bashku me Serbinë dhe të flasë në emër të Kosovës. Pra, ndodh ajo që në Kosovë e shprehin shpesh: “Këmisha e Kosovës pritet në Beograd dhe qepet në Tiranë”!

Serbia ka dashur që me krijimin e shtetit shqiptar që çështjen e Kosovës ta zgjidhë me bisedime dhe me bashkëpunim me Shqipërinë. Në vitin 2012 presidenti i Serbisë, Boris Tadiq, shkoi për vizitë në Bruksel dhe u kërkoi autoriteteve europiane që konflikti midis Kosovës dhe Serbisë të zgjidhet me Shqipërinë. Asokohe qeveria shqiptare e zotit Berisha refuzoi publikisht të marrë përsipër të bëhet palë me Serbinë për konfliktin e saj me Kosovën. Zoti Rama ka luftuar prej ditës së parë që erdhi në pushtet që të marrë përsipër zgjidhjen e këtij konflikti në marrëdhënie të ngushtë me Aleksandër Vuçiq”, deklaroi ai.

Image
Profesori Enver Bytyçi

Bytyçi vlerëson se Rama ëshë palë me Serbinë dhe si i tillë nuk mund të i besohet atij.

Po ashtu, ai beson se ky plan është porositur nga Vuçiq dhe për këtë nuk dihet ende përmbajtja e tij.

“Ky është problemi më serioz në këtë iniciativë. Por jo vetëm kaq. Rama bën protagonistin. Kur ke të drejtë dhe i vjen në ndihmë Kosovës mund ta pretendosh edhe protagonizmin. Por fatkeqësisht Rama që pretendon të marrë iniciativën në dorë e të krijojë asosacionin serb në Kosovë është palë. Ai është palë me Serbinë. Është vëlla binjak me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq. Si i tillë Edi Rama është i pabesueshëm. Aq më tepër që asnjë nuk e di se çfarë përmban ky lloj projekti.

Ky projekti i Ramës mua më duket si ai përqafimi i papritur që ndodhi në Moldavi me kryeministren italiane, Meloni. Rama është i njohur për një lloj shou të tillë. Megjithatë vazhdoj të këmbngul se projekti, nëse ekziston një i tillë, është shkruar në Beograd. Është porositur nga Aleksandër Vuçiq. Ne nuk e njohim përmbajtjen, por e sigurt është se ai projekt që paraqet Rama ose do ta paraqiste Rama nuk bie në kundërshtim me shijet nacional-shoviniste të presidentit të Serbisë dhe me projektin e krijimit të “Botës Serbe””, theksoi profesori.

Më tej, ai potencoi se kryeministri i Shqipërisë po e luan lojën e armikut të Kosovës, e që kjo është një e vërtet e hidhur.

Krahas kësaj, tha se dihet që Rama këtë draft e ka përgatitur me Vuçiqin, ku tha se përveç këtij, ata e kanë gati edhe një plan tjetër, në rast se dështon propozimi në fjalë.

“Të thuash në kushte normale se kryeministri i Shqipërisë bën lojën e armikut të Kosovës, Serbisë, duhet të jesh i çmendur. Por e vërteta është e tillë, edhe pse një e vërtetë e hidhur. Sa herë që ka patur konflikt midis Kosovës dhe Serbisë në këto vite të qeverisjes së zotit Kurti, kryeministri i Shqipërisë ka fajësuar Kosovën dhe ka marrë në mbrojtje presidentin serb dhe Serbinë. Nuk ka nevojë të japim shembuj. Madje ai e ka marrë në mbrojtje Serbinë edhe kur Beogradi nuk i vendosi sanksione Rusisë. Edhe kur policët serbë qëlluan me armë ushtarët e KFOR-it. Na kujtohet! Fajësoi Kurtin, jo vëllain e tij binjak, Vuçiq.

Në këto kushte gjithkush e di se Edi Rama atë projekt e ka krijuar së bashku me Vuçiq, ose e ka marrë të gatshëm nga ai. Jam i sigurt se në sirtarin e këtyre dyve, çiftit Rama-Vuçiq ndodhet edhe një projekt tjetër, nëse Rama do të gjendet në vështirësi me projektin e parë. Nëse ndodh që drafti i porositur në Beograd të dekonspirohet para firmosjes së tij, atëherë Rama do të ketë gati një draft tjetër për ta shpallur në publik e do të thotë se ajo çfarë kanë thënë mediet janë shpifje. Por ajo që bie në sy, ka të bëjë me faktin se mediet dhe opinion në Serbi është entuziast për projektin e Ramës. Nëse do të kishte hartuar një draft për asosacionin, p.sh Sali Berisha, do kishte nisur reagimi kundër në Beograd e Serbi dhe të gjithë do thonin se “nuk e pranojmë””, nënvizoi Bytyçi.

Ndër të tjera, profesori shtoi se ky projekt ka në plan të parë ndarjen e Kosovës, ku autorë të hartimit ka Sorosin dhe fondacionin e tij.

“Por megjithëse drafti që pretendon Rama se qenka original nga angazhimi i tij është prodhuar në Beograd, hartimi i tij ka për autorë Sorosin dhe fondacionin Soros në Serbi. Ky fondacion ishte hartuesi i projektit të ndarjes së Kosovës dhe sërishmi ai është vënë në lëvizje për të ndërtuar një projekt të asosacionit që çon në në mënyrë graduale në ndarjen e Kosovës. Pra ka ndryshuar modeli dhe shpejtësia e operacionit politik për ndarjen e Kosovës. Nuk ka ndryshuar qëllimi.

Se ky është projekt ndarjeje me etapa, këtë e kupton çdo person me dy gram tru. Sepse një asosacion që nuk përmban “Botën serbe” nuk do ta kishte kundërshtuar askush, as Albin Kurti. E për pasojë nuk do ta kishim këtë situatë të vështirë në Kosovë. Jam i bindur se Vuçiq edhe tensionet në veri të vendit i organizon dhe zhvillon me lejen e disa ndërkombëtarëve, me qëllim që t’i bëhet presion Kurtit të pranojë ndarjen e Kosovës! Kjo është e vërteta. Ndryshe nuk mund të ndodhë që ndërsa dhunën e ushtron dikush, për atë dhunë të fajësohet dikush tjetër, më saktë viktima e dhunës! Më duket se bota po merr fund. Amoraliteti po shitet si vlerë. Padrejtësia si drejtësi! E keqja e ajo që është perverse po shitet si moral. Shkurt kanë ndërruar vendet dhe djalli po na serviret si Zot”, përfundoi Enver Bytyçi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat