E kërkoi Edi Rama, po e mbështet KE-ja/ Konferenca ndërkombëtare, rrezik i madh për Kosovën?

Politika

E kërkoi Edi Rama, po e mbështet KE-ja/ Konferenca ndërkombëtare, rrezik i madh për Kosovën?

Petrit Rudi Nga Petrit Rudi Më 29 qershor 2023 Në ora: 15:06

Pasi ia dorëzoi Gjermanisë dhe Francës një propozim për Asociacionin e Komunave serbe në Kosovë, tani kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama po kërkon mbajtjen e një konference, ku kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiq do të mbylleshin deri kur të përfundonte diskutimi për gjithë mospajtimet.

“Të dy liderët të merren dhe të mbyllen brenda në një konferencë noramlizimi, pa të drejtë dalje deri kur të përfundoj bashkëbisedimi që të trajtohen ato pika, që askush nuk i kundërshton, por në të njejtën kohë secili ia hedh tjetrit fajin pse nuk zbatohen, sepse s’ka vullnet. Ky është fakti. Ka edhe një dehje nga ky karshilleku me gjithë planetin demokratik, në emër të nuk e di se çfarë. Por realiteti i përditshëm sot, po bëhet bazë për një realitet shumë negativ nesër, në të gjitha aspektet. S’më takon mua të diskutoj ekonominë e Kosovës apo aq më pak të Serbisë”, deklaroi kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Sot Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, mbështeti idenë për një konferencë ndërkombëtare për Kosovën dhe Serbinë, me qëllim uljen e tensioneve mes tyre.

Michel i bëri komentet në prag të një samiti të BE-së, që zhvillon punimet sot dhe nesër në Bruksel.

“Dua të them se ne e mbështesim edhe idenë për të organizuar, sa më parë që të jetë e mundur, një konferencë – së bashku me disa shtete anëtare të BE-së”, tha Michel, duke theksuar edhe nevojën e koordinimit me SHBA-në.

Por kjo po kundërshtohet nga analistë dhe njohës të fushës së politikës. Madje sipas tyre, organizimi eventual i një konference të tillë do të ishte kthim në kohë, si dhe një rrezik i ri për diskutimin e statusit të shtetit të Kosovës.

Konferenca ndërkombëtare, qëllimi i Serbisë

Image
Dr. Gurakuq Kuqi

Doktori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Gurakuç Kuçi për gazetën “Bota sot” thotë se qëllimi kryesor i Serbisë është që çështjen e Kosovës ta dërgojë në një konferencë ndërkombëtare.

“Serbia po ndjek në mënyrë aktive strategjinë që dërgon çështjen e Kosovës në një konferencë ndërkombëtare, mundësisht një konferencë që ka fuqinë për të përcaktuar rezultatin e luftës së vazhdueshme midis Rusisë dhe Ukrainës, aty të përfshihet edhe Kosova. Shtatorin e kaluar, ndërsa vendet demokratike vendosën sanksione ndaj Rusisë, Serbia nënshkroi publikisht një marrëveshje për të koordinuar politikën e saj të jashtme me Rusinë”, thotë Kuçi.

“Sipas burimeve të cituara nga “Evropa e Lirë”, Rusia i ka kërkuar Serbisë të mos e pranojë marrëveshjen e Brukselit dhe ka propozuar shtyrjen e saj deri në vendosjen e një “rendi të ri botëror”. Edhe pse Serbia e pranoi teknikisht marrëveshjen e Brukselit, ajo qëllimisht u përmbajt nga nënshkrimi i saj, duke mohuar kështu juridiksionin e marrëveshjes. Për më tepër, Serbia vazhdimisht ka shprehur rezerva për marrëveshjen, duke e cilësuar atë të pazbatueshme dhe të parakohshme. Ajo ka përdorur manovra të ndryshme për të shmangur pranimin e plotë të marrëveshjes, duke e cilësuar atë të pranueshëm si një koncept dhe jo si përmbajtje”, shpjegon më tej Kuçi.

Sipas tij, strategjia kryesore e Serbisë duket se sillet rreth manipulimit të Perëndimit.

“Ndërsa Perëndimi ndaj Serbisë po përdor politikën e “paqëtimit” dhe përpiqet të përfshijë Serbinë në rrethin e sigurisë së NATO-s, Serbia, në realitet, po angazhohet në një projekt të koordinuar me Rusinë. Kjo qasje manipulative tregon se Serbia synon të ruajë besimin e Perëndimit duke ndjekur interesat e veta në bashkëpunim me Rusinë”, shpjegon Kuçi.

Ai deklaron se çfarëdo konference ndërkombëtare që devijon nga marrëveshja e Brukselit, duhet të konsiderohet e pa papranueshme për Kosovën.

“Si rezultat, çdo konferencë ndërkombëtare lidhur me Kosovën që devijon nga marrëveshja e Brukselit dhe marrëveshja zbatuese e arritur në Ohër, duhet të konsiderohet e papranueshme. Kosova duhet t’i përmbahet me vendosmëri këtyre marrëveshjeve, duke u siguruar që ato të mos komprometohen apo tejkalohen në asnjë moment. Vlen të theksohet se historikisht, territoret shqiptare i janë nënshtruar ndarjes përmes kongreseve”, përfundon për “Bota sot”, doktori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Gurakuç Kuçi.

Mehmeti kritikon qasjen e Edi Ramës

Image
Faton Mehmeti

Ashtu si Kuçi, edhe analisti Faton Mehmeti e sheh si rrezik për statusin e Kosovës organizimin e një konference ndërkombëtare.

“Konferencat e tilla si ajo e Rambujes ashtu edhe ajo e Dejtonit kanë prodhuar situata të favorshme për Serbinë, andaj një ide e tillë më shumë i shkon për shtati Serbisë se Kosovës. Për më tepër besoj se një situatë e tillë do të prodhonte me shumë konflikte se zgjidhje. Tek e fundit konferencat e të kaluarës janë bërë për të zgjidhur çështjen e statutit, të cilin Kosova e ka të zgjidhur. Kështu që, nga një konferencë e tillë Kosova mund të këtë rreziqe të mëdha duke vë në pikëpyetje sovranitetin e vet”, shprehet Mehmeti.

Mehmeti e kritikon ashpër qasjen e kryeministri të Shqipërisë, Edi Rama karshi Kosovës.

“Kosova ka kryer me kohë të gjitha çfarë ka pasur sa i përket statutit të saj, është Serbia ajo që ka probleme me hemogjinizimin ndaj Kosovës, me mungesën e demokracisë brenda saj. S’mund të bëhet Kosova kuban për të demokratizuar Serbinë, kur dihen synimet e saja dashakeqe ndaj Kosovës. Ledhatimet e kanë sjellë Serbinë deri këtu ku është. Rama më mirë të kërkojë nga Serbia heqjen dorë nga përpjekjet për të destabilizuar Kosovën se sa t'i kërkojë Kosovës të pranojë konferenca për tu kthyer pas në kohë. Nuk i duhet Kosovës një konferencë e tillë”, shton analisti Mehmeti.

Por cili është qëllimi i Edi Ramës me kërkesën për organizimin e një konference ndërkombëtare?

“Pas kësaj fshihet përpjekja e Ramës për t'u faktorizuar si personalitet në rajon, të cilën e ka si ëndërr dhe synim. Dhe në anën tjetër synon të vazhdojë “vëllazërinë” me Vuçiqin, i cili është në hall të madh nga protestat e opozitës në Beograd”, përfundon për “Bota sot”, analisti Faton Mehmeti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat