“Të gjitha ranë në ujë”/ Biseda me Sekretarin Blinken demantoi zërat për “antiamerikanizmin” e Kurtit

Politika

“Të gjitha ranë në ujë”/ Biseda me Sekretarin Blinken demantoi zërat për “antiamerikanizmin” e Kurtit

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 29 qershor 2023 Në ora: 20:03
Anthony Blinken dhe Albin Kurti

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, të hënën ka zhvilluar bisedë telefonike me Sekretarin Amerikan të Shtetit, Anthony Blinken, dhe siç u njoftua, ata kishin folur për gjendjen në katër komunat veriore të Kosovës.

Qeveria e Kosovës, kishte dhënë detaje më shumë për bisedën.

“U fol për nevojën për zbatim të plotë, të sekuencuar drejt e pa kushte të Marrëveshjes Bazike të Brukselit”.

“Të dy u pajtuan që të mbeten në komunikim të rregullt e të dendur në funksion të paqes e sigurisë në Kosovë e drejt normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë”, thuhej në njoftim të Qeverisë.

Derisa, edhe sekretari amerikan, Antony Blinken, bëri të ditur se plani tre pikësh i Bashkimit Evropian është rruga që duhet ndjekur.

“Sot fola me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për të qetësuar situatën në veri të Kosovës dhe për t’u kthyer menjëherë në dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Plani me tre pika i BE-së është rruga përpara”.

Këtyre ditëve është folur mjaft në lidhje me raportet ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së, madje është përmendur edhe mundësia e sanksionimit të vendit tonë për shkak të raporteve me Serbinë.

Por, si janë dhe si do të shkojnë raportet SHBA-Kosovë në vazhdim?

Mehazi: Kryeministri i Kosovës nga tre pretenduesit e forcave ndërkombëtare në Kosovë duhet të lë mënjanë BE-në, Serbinë e Rusisë

Image
Sulejman Mehazi

Profesori Sulejman Mehazi, në një përgjigje për gazetën “Bota sot” ka thënë se tre pikat shtensionuese të dala nga sekretari i SHBA-së, Blinken, tregojnë se “sanksionet” dolën të jenë gënjeshtra dhe se kjo telefonatë është më e besueshme.

“Sesa e përkushtuar është SHBA-ja për situatën amorfe në veri të Kosovës tregon vetë telefonata e Sekretarit Amerikan, Antony Blinken, me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, pikërisht biseda telefonike e Blikenit me Kurtit u bë pas lirimit të tre policëve të kidnapuar nga Serbia, i cili shprehu brengosjen e tij për situatën e tensionuar dhe të rrezikshme në veri të Kosovës. Tre pikat shtensionuese të dala nga sekretari i SHBA-së, Blinken, shpalosën zërat spekuluese mediatike se amerikanët do saksionojnë Kosovën, se të gjitha këto thashetheme mediatike dolën gënjeshtra të kulluara dhe se SHBA-të seriozisht janë të vendosur për të shtensionuar situatën në veri në dobi të Kosovës, biseda telefonike e Sekretarit të SHBA-së, Blinket me Kurtin, është shumë më e besueshme për Kosovën dhe shqiptarët sesa përfaqësuesit e BE-së të cilët që në start të dialogut të Kosovës me Serbinë zgjodhën si ndërmjetësues dy përfaqësues nga shtetet evropiane Spanja dhe Sllovakia, Borrellin dhe Lajçakun që janë në anën e Serbisë duke mos e njohur Kosovën”, deklaron Mehazi.

Sipas tij, reagimi i amerikanëve jo i evropianëve ishte vendimtare me lirimin e tre policëve të Kosovës nga Serbia.

“Raporti i SHBA-së ndaj Kosovës është shumë më i qartë në krahasim me BE-në e cila pas ngjarjeve të dhunshme në veri në vend që të sulmojnë kriminelët e Vuçiqit të cilët brenda territorit të Kosovës janë duke bërë çfarëdo do llojesh hororesh ata kritikojnë Kurtin, qeverinë dhe policinë e Kosovës të cilët mbrojnë sovranitetin dhe kushtetutën e shtetit.

Sikur SHBA-të, Sekretari Bliken të mos e kishte kushtëzuar Serbinë për lirimin e tre policëve të Kosovës ata ende do ishin të burgosur në emrin e Serbisë dhe BE-së.

Reagimi i amerikanëve jo i evropianëve ishte vendimtare me lirimin e tre policëve të Kosovës nga Serbia.

Kryeministri i Kosovës nga tre pretenduesit e forcave ndërkombëtare në Kosovë duhet të lë mënjanë BE-në, Serbinë e Rusisë për t'u lidhur dhe bashkëpunuar me aleatët më të mëdhenj të Kosovës, SHBA-të, si mos të lidhet Kurti me Bonstillin dhe NATO-n amerikane që mbrojnë Kosovën jo vetëm nga Serbia, por edhe nga intrigat e BE-së, përfundoi Mehazi.

Mehmeti: Biseda me z.Blinken vetëm sa e demanton atë që është thënë deri tani

Image
Faton Mehmeti

Edhe analisti Faton Mehmeti në një përgjigje për “Bota sot”, thotë se të gjitha ato që u thanë për Kurtin, se ai është antiamerikan, ranë në ujë me bisedën e Kurtit me Blinkenin.

Sipas tij, amerikanët vet kanë theksuar se raportet me Kosovën nuk do të prishen kurrë, pavarësisht se ndonjëherë mund të ketë mospajtime.

Në mungesë të argumenteve, të aferave korruptive dhe formave të tjera nga të cilat do të mund të shantazhonin kryeministrin, opozita dhe segmentet e lidhur me të kanë trilluar gjëra të pista. Ndër to ka qenë gjoja antiamerikanizmi i Kurtit, sanksionet amerikane ndaj Kosovës etj.

Këto, të gjitha ranë në ujë, biseda me z. Blinken vetëm sa e demanton të kundërtën e asaj që është thënë deri tani. Ndonëse vet amerikanët kanë theksuar se raportet me Kosovën kurrë s’do prishen, pavarësisht mospajtimeve që mund të ketë në raste të caktuara. ShBA është vend i demokracisë, ku lejohet mendimi ndryshe, jo të jetë vend nga ku hajnat fshihen pas patriotizmit”, përfundon Mehmeti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat