Zyrtarja e BE-së tronditet me paralajmërimet e evropianëve dhe amerikanëve ndaj Kosovës, tregohet e ashpër ndaj tyre

Politika

Zyrtarja e BE-së tronditet me paralajmërimet e evropianëve dhe amerikanëve ndaj Kosovës, tregohet e ashpër ndaj tyre

Nga: A.Zh Më: 1 korrik 2023 Në ora: 09:56
Josep Borrell, Gabriel Escobar dhe Miroslav Lajçak

Këshilltarja e Bashkimit Evropian, Kati Schneerberger, ka thënë se përmes tensioneve në veri të Kosovës, qëllimi i presidentit serb Aleksandar Vuçiq, është largimi i vëmendjes nga demonstratat kundër tij në Serbi.

Sipas saj, trazirat në Kosovë po e ndihmojnë edhe presidentin rus Vladimir Putin.

“Vuçiq dëshiron të largojë vëmendjen nga demonstratat kundër tij në Serbi. Por, ai gjithashtu po bën kauzë të përbashkët me Putinin. Vulin ishte në një konferencë sigurie në Moskë, ndërsa banditë pranë Vuçiqit sulmuan paqeruajtësit e NATO-s. Vuçiq po bojkoton Kosovën, jo vetëm duke bllokuar Kosovën, por duke krijuar trazira shtesë. Kjo gjithashtu ndihmon Putinin, për të cilin një Evropë e ndarë, e zënë me vetveten vjen pikërisht në kohën e duhur”, ka deklaruar Schneerberger për gazetën “Bota sot”.

Image
Kati Schneerberger

Për tensionet në veri, SHBA dhe BE po e bëjnë përgjegjëse Kosovën, madje kanë paralajmëruar edhe masa ndëshkuese. Por, këshilltarja lokale e BE-së nga Austria, është shprehur e tronditur lidhur me këto qëndrime amerikane dhe evropiane.

“BE-ja dhe SHBA-ja po bëhen bashkëpunëtorë të gatshëm të Putinit, përmes ndryshimit të tyre viktimë-shkelës dhe presionit të tyre kundër Kosovës në vend të Serbisë, nismëtares së trazirave.

Jam e tronditur kur shoh BE-në dhe SHBA-në duke punuar me kaq këmbëngulje për të bllokuar demokracinë dhe për të përkëdhelur forcat autoritare, nacionaliste. Ata nuk kanë mësuar asgjë nga politika e qetësimit me Putinin”, ka thënë më tej Kati Schneerberger për gazetën “Bota sot”.

Schneerberger ka qenë mjaft e zëshme, në mbrojtje të Kosovës, madje organizoi edhe një protestë në Vjenë. Teksa ka kujtuar gjithë ecurinë e ngjarjeve të fundit në veri, ajo i ka quajtur absurde akuzat e SHBA-së dhe BE-së ndaj Kosovës, dhe mos paralajmërimet për sanksione ndaj Vuçiqit.

“Vuçiq u sigurua që zgjedhjet e reja do të ishin të nevojshme dhe i bojkotoi ato. Inaugurimi i tij u shoqërua me sulme brutale ndaj paqeruajtësve të NATO-s. Kërcënohen dhe sulmohen gazetarët që nuk raportojnë në interes të Vuçiqit. Makinat e policisë u dogjën dhe policët u rrëmbyen. Për një sjellje të tillë agresive, organizatorët do të mbaheshin përgjegjës në gjykatë në çdo vend tjetër demokratik. Atje nuk do të shihej si provokim, por si një gjë e natyrshme.

Por çfarë ndodh në Kosovë? Kur shteti i së drejtës vepron ashtu siç pritet në një shtet demokratik, ai largohet nga SHBA dhe BE. Por jo vetëm kaq. Madje për këtë janë shqiptuar edhe dënime. Kjo është absurde. Por nuk ka asnjë kritikë për Vuçiqin, sigurisht që nuk ka sanksione. Dhe kur ka komente të qeta nga SHBA-ja dhe BE-ja, gjithmonë theksohet se të dyja palët duhet të de-përshkallëzojnë situatën”, ka theksuar më tej këshilltarja e BE-së.

Ajo në fund ka tërhequr një paralele mes situatës në Kosovë dhe asaj në Ukrainë.

“Në rastin e pushtimit rus të Ukrainës, tashmë është pranuar se ekziston një agresor i qartë dhe një viktimë e qartë. Pse janë akoma kaq të verbër sa i përket Serbisë dhe Kosovës? Është e njëjta lojë që luhet këtu. Të njëjtat metoda, të njëjtat tregime. Një agresor, një viktimë”, ka shtuar Kati Schneerberger.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat