I dhanë kartonë të kuq qeverisë Kurti, Maxharraj del me kërkesë “të veçantë” për LDK-në: E keni gjetur çelësin

Politika

I dhanë kartonë të kuq qeverisë Kurti, Maxharraj del me kërkesë “të veçantë” për LDK-në: E keni gjetur çelësin

Nga: Naile Ejupi Më: 5 gusht 2023 Në ora: 12:01
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti- Lumir Abdixhiku

Opozita ka filluar të bëhet më e zëshme kundër pozitës e vendimeve të saj. Zgjedhjet e reja dhe deklarata të vazhdueshme për mbajtjen e tyre kanë filluar të shpeshtohen, madje edhe konferenca të një pas njëshme për kritika ndaj qeverisë po shtohen.

Të premten, Lidhja Demokratike e Kosovës përmes një konference për medie ka akuzuar sot Qeverinë e Kosovës për shkelje të vazhdueshme të Kushtetutës. Sipas partisë opozitare, pushteti aktual e ka kthyer në normalitet shkeljen e ligjeve dhe Kushtetutës, andaj simbolikisht i vendosën një karton të kuq, siç thanë, për dërgimin në shtëpi të ekzekutivit.

Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, në konferencë për medie, tha rrëzimi i Ligjit për zyrtarët publikë nga Gjykata Kushtetuese e dëshmoi edhe një herë paaftësinë dhe tendencën autoritare të qeverisë Kurti.

Ai përmendi disa prej ligjeve dhe vendimeve antikushtetuese të ekzekutivit, derisa tha anëtarët e qeverisë janë bërë shkelës serikë të ligjit dhe Kushtetutës.

Ndërkaq, anëtari i Kryesisë së LDK-së, Shkëmb Manaj tha se gjysma e ekipit qeverisës kanë marrë “karton të kuq” nga Gjykata Kushtetuese.

Ai përmendi edhe presionin që sipas tij, po përballen zyrtarët publikë dhe administrata e shtetit nga Qeveria Kurti.

“Gati gjysma e ekipit qeverisës kanë marrë karton të kuq nga Gjykata Kushtetuese. Në vend që të përjashtohen nga ekipi qeverisës ata mbrohen dhe çmohen nga i pari i tyre. Nga i pari që sa ishte në opozitë thoshte se ‘kush e shkel ligjin është kriminel, ndërsa kush e shkel Kushtetutën është super kriminel’...Dje Gjykata Kushtetuese i dha një karton të kuq pushtetit absolut, dje fitoi drejtësia, kushtetutshmëria, sundimi i ligjit, administrata e shtetit dhe secili zyrtar publik. Zyrtarët publikë në secilin institucion qendror të shtetit është në presion të madh nga partia në pushtet. Presion që të vendosin në kundërshtim me ligjin për procese populiste të partisë në pushtet...Kjo qeveri çdo ditë në secilën fushë po merr karton të kuq. Dje mori një karton të kuq nga Gjykata Kushtetuese dhe do të marrë edhe plot të tillë në ditën në vijim derisa kjo qeverisje është në detyrë. Kjo qeverisje antikushtetuese duhet të shkojë në shtëpi dhe ne në mënyrë simbolike ia japim një karton të kuq”, theksoi ai.

Ndërsa, ndaj LDK-së ka reaguar analisti nga Amerika, Binak Maxharraj, i cili u shpreh se opozita nuk po lë gurë pa rrotulluar për ta rrëzuar qeverinë Kurti.

Sipas tij, për rrëzim të Kurtit është edhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, i cili ka shpenzuar 1 miliard euro për këtë çështje.

“Qe dy vitet opozita e Kosovës (LDK,PDK,AAK) s'po lenë gurë pa rrotulluar, bile edhe me mbështetje të presidentit të Serbisë. Nga inati për ta rrëzuar qeverinë Kurti është kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, që nuk ka lënë paraqitje të tij në opinion pa e përmend mocionin për rrëzimin e qeverisë Kurti. Me kërkesa për rrëzimin e qeverisë nuk mbetën pas as PDK e LDK, të cilët plasën u qartën për ta rrëzuar qeverinë Kurti, por nuk po munden sepse ju ka humbur çelësi, kurse ai qetniku serb Vuçiq sipas Jovanoviqit ka shpenzuar 1 miliard euro për rrëzimin e qeverisë Kurti, sepse Kurti ia ka nxirë jetën, s’po i lëshon pe ashtu siç është mësuar me liderët e opozitës”, deklaron Maxharraj.

Image
Binak Maxharraj

Ai ka kërkuar që Lidhja Demokratike e Kosovës “t’ia ndryshojë kartonin qeverisë Kurti, që t’i bëhet i verdhë në mënyrë që edhe disa kohë të qëndrojë në ligë”.

“Por, LDK sot i paska rënë në fije, e paska gjetur në “Rrugën e Re” të saj çelësin për rrëzimin e qeverisë Kurti. Dhe vrap e “turrë” Armend Zemaj ia paska dhënë qeverisë Kurti kartonin e kuq dhe drejt në shtëpi. Por unë kështu si një tifoz dhe shikues anësor që jam në lojën e LDK-së e kam një lutje se a bën që kryereferi Armend Zemaj ta ndryshojë dënimin duke e zëvendësuar me kartoni e verdhë, bile qeveria Kurti edhe disa kohe të qëndrojë në ligë”, shton Maxharraj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat