Vjen ‘goditja’ për Listën Serbe, zbulohen ‘lojërat e pista’ kundër Kosovës – vjen thirrja urgjente për qeverinë Kurti

Politika

Vjen ‘goditja’ për Listën Serbe, zbulohen ‘lojërat e pista’ kundër Kosovës – vjen thirrja urgjente për qeverinë Kurti

Nga: A.M. Më: 5 tetor 2023 Në ora: 22:09
Më 15 janar 2021, presidenti i Listës Serbe, Goran Rakiq (në qendër), paraqiti listën e tij të kandidatëve për pjesëmarrje në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë, që do të mbahen më 14 shkurt.

Më 24 shtator, grupe terroriste serbe sulmuan policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit - pjesa veriore e Kosovës - duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.

Në shkëmbimin e zjarrit që pasoi, u vranë edhe tre sulmues të nacionalitetit serb.

Përgjegjësinë për sulmin e mori Millan Radoiçiq, i cili vinte nga Lista Serbe - partia më e madhe e serbëve të Kosovës.

Lista Serbe, që nga formimi i saj ështe njohur si ‘dora e djathtë’ e Serbisë, ku në vazhdimësi ka punuar dhe vepruar në koordinim me Beogradin zyrtar.

E njëjtë, u vërtetua se LS ishte pjesë e sulmit terrorist në Manastirin e Banjskës, ku edhe mbajtën zi për tre terroristët e vrarë.

Opinionisti Dedë Preqi në një prononcim për “Bota sot” u shpreh se Lista Serbe është një “agjente” e politikave të Serbisë së Vuçiqit, ku kjo u vërtetua me veprimet e fundit terroriste.

“Dihet fare mirë se si u formue Lista serbe në Kosovë, dhe me ndihmën e kujt, atëherë padyshim mund të themi, se një lloj liste e tillë politike, termin e së cilës mund ta kuptojmë me çfarë qëllimesh u formua me ç’rast tregojnë sjelljet e anëtarëve të saj me veprimet terroriste kundër shtetit të Kosovës, kundër një vendi ku ushqehen, punojnë dhe jetojnë më mirë se kërkund tjetër.

Koha po na tregon vet dhe argumenton rolin e Listës serbe, të cilën e futi në lojë Vuçiqi, me qëllim të veprojë sipas dëshirave dhe shijeve të tij, për ta destabilizuar Kosovën, si një agjente e politikave të Beogradit, që tani po shihen qartë lojrat e saj të pista kundër shtetit dhe popullit të këtij vendi”, deklaroi opinionisti.

Preqi u shpreh se lojrat e pista të Listës Serbe po i kushtojnë shumë Kosovës.

Image
Opinionisti Dedë Preqi

Madje, tha se LS është burimi kryesor i problemeve në veri.

“Lojrat e tilla të pista të kësaj politike po i kushtojnë shumë shtetit të Kosovës, dhe ky vend nuk mundet të qeverisë vetveten, nëse mbështetet në shërbimet dhe votën e kësaj Liste, apo duke qenë të varur nga politikat e tilla të pandërgjegjshme, që nuk janë fare në shërbim të këtij vendi dhe këtij populli, kur nga kjo Listë serbe, përgaditen të gjitha informacionet dhe terenët, sa herë që dëshirohet të destabilizohet dhe të kërcënohet Kosova.

Lista Serbe, vazhdon të mbetët burimi kryesor i problemeve edhe në zgjedhjet lokale në komunat veriore, e cila në bashkërenditje me politikat e Beogradit, bëjnë përpjekje të vazhdueshme që Kosovën ta mbajnë nën agjendat e veta të vëzhgimëve, përmbajtja e të cilave e merr më shumë formën e agjentëve të rekrutuar, se sa rrolin e komunarëve, apo deputetëve në Kuvendin e Kosovës”, theksoi ai.

Krahas kësaj, Preqi nuk u shpreh i befasuar se ish-nënkryetari i saj, Milan Radoiçiq doli të ishte prijësi i sulmit terrorist në Banjskë.

“Nuk është e çuditshme, se nga Lista Serbe, doli në shesh nënkryetari i saj kriminel dhe terrorist si Milovan Radoiçiq, me një grup terroristësh të tjerë, të cilët sulmuan dhe vranë një rreshter të policisë së Kosovës dhe lënduan disa të tjerë në detyrat e tyre zyrtare në fshatin Banjskë të Zveqanit, një ngjarje që bëri bujë të madhe në gjitha qarqet ndërkombëtare.

Prandaj, do duhet të zhvillohet dhe të sqarohet vetëdija e këtij populli, se tani më ka arritë në atë pikën e fundit, ku popullata e këtij vendi duhet kuptuar se dikush po e përbuz gjakun e dëshmorëve të lirisë së këtij vendi dhe dikush po luan me ndjenjat e kësaj popullate, dhe nuk është vonë që ti bashkojmë forcat tona pa dallim partie dhe etnie, dhe të shohim se armikun e kemi para hundëve”, theksoi Preqi.

Në vazhdim, ai kërkoi nga qeveria Kurti që sa më parë ta largojë Listën Serbe nga Kuvendi i Kosovës.

“Kosova dhe qeveria e saj, duhet patjetër të gjejë modulin e saj të qeverisjes me këtë Listë, module që mbështetën në bazë ligjeve dhe mbi ndjenjën e përgjegjësisë së shumicës, si një ndërthurje ligjesh e marrëdhëniesh, që në një mënyrë e kufizojnë ose e largojnë nga Parlamenti një grup të tillë, që prodhon dhe shkakton edhe terrorizëm në këtë vend, dhe duke vepruar kundër asaj që mbron dhe e garanton të drejtën e secilës etni në këtë vend përmes shtetit ligjor.

Duke marrë parasysh situatat dhe rrethanat e krijuara, Kosova duhet ta shqyrtojë ndryshimin e Kushtetutës së vendit, jo në dëm të saj, por në plotëni të saj dhe në favor të shtetit ligjor dhe popullit të vet, duke shqyrtuar dhe ndaluar  vendet e rezervuara sipas Planit të Ahtisarit, për komunitetin serb në Kosovë, e cila Kushtetutë i jep kësaj pakice mundësi të bllokimit të çdo procesi në këtë vend, duke rrezikuar ta kthejë këtë vend në një shtet jo funksional dhe duke e bllokuar vullnetin e 90%  të shumicës së popullit të Kosovës”, nënvizoi opinionisti.

Tutje, Preqi tha se deputetët serbë paraqiten në Kuvend vetëm për të përgjuar situatën dhe për të marrë meditjet e tyre, pa bërë asgjë në dobi të shtetit tonë.

“Me gjithë respektin për të gjitha komunitetet, por komuniteti serb, këtë rezervim të veçantë, nuk e ka merituar aspak, por përkundrazi e ka keqpërdorë dhe e ka bërë pis..., sidomos Lista Serbe, dhe krijohet përshtypja se deputetët serbë të kësaj liste, nuk do ishin sjellë në këtë menyrë as në Parlamentin e Serbisë, dhe në ndonjë Parlament tjetër të botës.

Deputetët e Listës serbe, hyjnë në Kuvend, vetëm sa për të vëzhguar dhe përgjuar situatën dhe dalin si arroganta, duke dhënë nënshkrimet e tyre vetëm për të marrë meditjet, të cilat i marrin pa asnjë meritë, që vjen nga ndonjë aktivitet të cilësuar parlamentar, të cilët paguhen përmes taksapaguesve të popullit të Kosovës, pa bërë asgjë në dobi të këtij vendi, por vetëm duke i sjellë dëme këtij populli dhe shteti”, tha ai.

Ndër të tjera, opinionisti shtoi se e gjithë situata e krijuar në veri vjen si pasojë e qasjes së njënashme të BE-së dhe qasjes së butë të saj ndaj Serbisë.

Kësisoj, nga Kosova kërkoi koordinim me SHBA-të, Gjermanin e Britaninë.

“Rreziku dhe ngjarjet e tilla vijnë edhe nga mos serioziteti i veprimeve të BE-së, të cilat e kanë llastuar Serbinë, që po e vërteton edhe tani me këto tak-tikat e Vuçiqit, që herë thotë se nuk ishte krimineli Milan Radoiçiq, si organizator i këtij terrorizmi në veri të Kosovës, të cilin e arrestojnë kinse për 48 orë, dhe e lëshojnë menjëherë sipas urdharave të Vuçiqit, edhe pse shpallet organizatori kryesor i terrorizmit, ai del i pafajshëm në bazë të prokurorisë serbe në Beograd, sepse ky njeri po i mbron të drejtat e serbëve të Kosovës, duke e shpallur edhe si ndonjë “hero” (terrorist).

Prandaj, Kosova në këtë rast duhet të veprojë syhapur dhe të vazhdojë koordinimin me gjithë bashkësinë ndërkombëtare, në veçanti me SHBA-të, Gjermaninë dhe Britaninë, duke hedhur poshtë mashtrimet dhe planet e turpshme të Vuçiqit, dhe të mos pranohet formimi i Asociacionit serb, sepse po shihet qëllimi dhe plani i këtij Asociacioni një etnik, që e ka rolin dhe qëllimin, vetëm për ta  aneksuar veriun e Kosovës, dhe mënyra e vetme për të hapur mundësi të reja veprimi, që proceset dhe zhvillimët e këtyre natyrave në Kosovë, të bazohen vetëm në bazë të Kushtetutës së këtij vendi”, përfundoi Dedë Preqi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat