Vazhdon mbrojtja e Borrellit për Serbinë, zbardhen prapaskenat – ja si po mbulohet Vuçiq nga ndërkombëtarët!

Politika

Vazhdon mbrojtja e Borrellit për Serbinë, zbardhen prapaskenat – ja si po mbulohet Vuçiq nga ndërkombëtarët!

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 28 tetor 2023 Në ora: 18:07
Liderë evropianë

Më 26 tetor (e enjte) udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë u takuan me udhëheqësit e vendeve kryesore të Bashkimit Evropian, presidentin francez, Emannuel Macron, kancelarin gjerman Olaf Scholz dhe kryeministren italiane Giorgia Meloni, në kuadër të përpjekjeve perëndimore për të çuar përpara zbatimin e marrëveshjes së arritur më herët gjatë këtij viti në Bruksel dhe në Ohër.

Takimet që ishin paraparë të zgjasnin vetëm 30 minuta për secilën palë, vazhduan deri në orët e vona të mbrëmjes dhe përgjatë tërë kohës pati një ndjenjë optimizmi te zyrtarët evropianë.

Edhe në këtë takim nuk ka pasur një marrëveshje të nënshkruara nga të dy palët.

Pas këtyre takimeve, shefi i Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell tha se Kosova dhe Serbia nuk qenë të gatshme të pajtohen me njëra tjetrën në rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet tyre.

Zoti Borrell tha se “për t’i nxitur palët që të arrijnë një marrëveshje ne së bashku paraqitëm një propozim evropian serioz e të balancuar për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe ngulëm këmbë që palët të shfrytëzojnë këtë mundësi, që do të ishte një hap i madh përpara për normalizimin e marrëdhënieve dhe për të shmangur një spirale të re dhune. Për fat të keq palët nuk qenë të gatshme të pajtohen për këtë pa parakushte, që ishin të papranueshme për palën tjetër”, tha ai duke nënvizuar se përpjekjet do të vazhdojnë por pa dhënë ndonjë njoftim se kur mund të vazhdojnë bisedimet.

Të gjendur në këtë situatë a po stërzgjatet dialogu ende duke vazhduar pa asnjë marrëveshje?

Mehazi: Borrelli me termin e "parakushteve" anon nga Vuçiqi

Image
Sulejman Mehazi

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur profesori Sulejman Mehazi.

Ai u shpreh se Borrell do të duhej t’i bënte presion më shumë Serbisë, pasi e njëjta nuk pranoi planin e marrëveshjes.

“Borrelli me termin e “parakushteve” anon nga Vuçiqi”, shtoi ndër të tjera profesori.

Borrelli i sigurisë evropiane në vend që të ngushtojë palën serbe që pengon marrëveshjen përfundimtare, në vend të deklaronte se problemi i mospranimit të dokumentit të dorëzuar nga evropianët gjatë dialogut Serbi-Kosovë në Bruksel është Serbia e cila nuk pranon planin e marrëveshjes dhe Vuçiqi mohon propozimin e pesëshesh evropiane duke mos nëshkruar asnjë marreveshje. Borelli me termin e "parakushteve" anon nga Vuçiqi i cili para presidentit të Francës, Macronit dhe Kancelarit të Gjermanisë, Scholz, mohon të nënshkruajë planin e dërguar nga BE-ja”, u shpreh ai.

Më tej, profesori krahason mbrojtjen që Borrell i bëri Serbisë para sulmit të 24 shtatorit dhe heshtjen e tij pas këtij sulmi.

Është për t'u habitur sesi përfaqësuesi i Sigurisë Evropiane, Borelli, para se terroristët serbë te sulmojnë Kosovën gjatë takimeve në Bruksel hapur deklaronte se fajtor kryesor për mosmarrveshjen e Kosovës me Serbinë është kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Kurse, pas suksesit të policisë së Kosovës në Banjskë ndaj terroristeve serbë, Borrelli, nuk fajëson problemin e dialogut presidentin e Serbisë, Vuçiqi, por mundohet të fsheh fajtorin me anë të deklaratës së tij: "se s’ka marrëveshje mes Kosovës e Serbisë, se palët kishin parakushte". Më e keqja e deklaratës së Borrellit është se ai nuk tregon se cila palë vë parakushte, Vuçiqi apo Kurti”, shtoi Mehazi për “Bota sot”.

Haziri: Kosova duhet të insistojë në dialog dhe marrëveshje

Ndërsa, analisti politik, Nexhat Haziri në një bashkëbisedim me “Bota sot”, tha që Kosova duhet të insistojë në dialog dhe marrëveshje.

Image
Nexhat Haziri

Gjithashtu, ai theksoi që statusi quo-ja nuk i shkon Kosovës dhe se nuk është në interes të saj.

Kosova duhet të insistojë në dialog dhe marrëveshje. Status quo-ja nuk i ndihmon Kosovës dhe nuk është në interesin e saj, kjo situatë i shkon në favorë vetëm Serbisë e cila me mosdakordim me marrëveshjen e fundit të propozuar nga BE dhe SHBA, po synon që të mbajë një situatë të paqartë dhe fragjile, e me këtë të dëmtoj Kosovën si në aspektin politik, të antarësimit në organizata ndërkombëtare por edhe në aspektin e zhvillimit ekonomik”, thotë ai.

Në fund, analisti nënvizon që pranimi i Asociaiconit nga Kurti është hap i mirë për të rregulluar raportet me ndërkombëtarët.

“Pranimi i marrëveshjes e cila përmban edhe krijimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe nga ana e kryeministrit Kurti, është hap i mirë për të rivendosur raportet me partnerët tanë ndërkombëtar dhe pjesët e kësaj marrëveshjeje që nuk kanë të bëjnë me Serbinë, siç është formimi i Asociacionit të bëhet në bashkëpunim dhe koordinim të ngusht me aleatët tanë ndërkombëtar dhe njëkohësisht të kërkohet heqja e masave ndëshkuese ndaj Kosovës. Sa i përket dialogut pa marrëveshje, Brukseli do të duhej të mendoj nëse vlenë për të vazhduar ky proces në këtë formë që nuk prodhon as normalizim raportesh në mes dy vedeve e as marrëveshje finale me njohje reciproke”, përfundoi Haziri për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat