“Vuçiq po përgatit aktin e radhës terrorist”, Bytyçi alarmon Kosovën: Ky është plani serb për zhbërjen e Kosovës

Politika

“Vuçiq po përgatit aktin e radhës terrorist”, Bytyçi alarmon Kosovën: Ky është plani serb për zhbërjen e Kosovës

Nga: Nehat Shaqiri Më: 29 dhjetor 2023 Në ora: 13:23
Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiq

Dialogu Kosovë - Serbi vazhdon të jetë i bllokuar dhe gjithmonë ka qenë Serbia ajo që ka bllokuar këtë dialog. Por fatkeqësisht Serbia ia ka dalë deri para pak muajsh që ta shesë veten si të gatshme për dialog dhe Kosovën si bllokuese të tij.

Kështu shprehet profesori dhe analisti politik, Enver Bytyçi, i cili beson se ishte një lojë politike e diplomatike e Perëndimit kur BE vendosi disa masa shtrënguese ndaj Kosovës, duke e cilësuar atë si “fajtore” për destabilizimin e rajonit dhe për “kokëfortësi” në dialog.

Bytyçi shprehet se presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, u shfaq gjithmonë i gatshëm të shkonte në Bruksel e të takohej me kryeministrin e Kosovës në Bruksel.

Sipas tij, ai gjithmonë për të blerë kohë, por jo edhe për të përmbyllë dialogun me Kosovën me njohjen e saj de jure.

“Gjithmonë iku nga detyrimi për të normalizuar madje marrëdhëniet me Kosovën. Beteja u përqëndrua te dokumentet shtetërore dhe njohja e targave. Prej dy vitesh, në vend të bisedohej për marrëveshjen finale, Vuçiq e shfrytëzoi Brukselin për të kundërshtuar zbatimin e marrëveshjes së vitit 2013 për dokumentet dhe targat. Që do të thoshte se ai ishte kundër çdo ujdie që njeh simbolet e shtetësisë së Kosovës. Që do të thotë se ai dëshironte që me këto kundërshti të rifillonte një dialog tjetër – dialog për rishqyrtuar statusin e Kosovës, ose për ta ndarë atë midis Serbisë dhe Shqipërisë. Në të dy rastet Kosova do të zhbëhej, sipas planit dhe projektit të Vuçiq”, thotë profesori për gazetën “Bota sot”.

Image
Prof. Dr. Enver Bytyçi

Ai shprehet se, në Europë e dinin këtë plan dhe i njihnin këto përpjekje të presidemntit të Serbisë.

“Madje ai nuk i fshihte aspak edhe në takimet me personalitetet europiane dhe amerikane. Megjithatë, ata qershorin e këtij viti në mbyllje fajësuan Kurtin për bllokimin e dialogut e madje edhe për destabilizimin në veri të Kosovës. Vetëm sa nuk thanë se policët e Kosovës sulmuan dhe plagosën ushtarët e KFOR-it, kur në fakt këtë e bënë bandat e Serbisë”, potencon ai.

Ai shton se, erdhi 24 shtatori dhe ndodhi sulmi terrorist në Banjskë të Zveqanit ku banda e Radoiçiqit dhe e Vuçiqit vrau një polic të Kosovës në detyrë.

“Fatmirësisht kjo bandë dështoi. Disa anëtarë të saj u vranë ose u plagosën. Të tjerë u arrestuan e jo pak prej tyre nën mbikëqyrjen e KFOR-it u larguan nga territori i Kosovës. Arsenal armësh i jashtëzakonshëm u gjet në Kishën e Banjskës. Armë në Kishë?! Ky alarm ishte ngritur nga një deputete britanike, të cilën Vuçiq e sulmoi me gjuhë politike e diplomatike prej rrugaçi. Mesa duket e vërteta e deputetës kryetare e Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Britanik, i dogji shumë kreut të shtetit serb”, shton ai.

“Por Kurti, Sveçla, Qeveria, Policia, Shërbimi sekret, Presidentja, Parlamenti, institucionet e Kosovës, ia dogjën kartat në dorë Aleksandër Vuçiqit. Nuk mbetej më asnjë alibi për të justifikuar terrorin e tij kundër shtetit të Kosovës. Pavarësisht kësaj ai nuk ka heq dorë nga projekti i destabilizimit të Kosovës. Po përgatit akte të tjera terrori. Por kësaj radhe beson se do të mobilizojë edhe së paku disa qindra, në mos mijëra serbë të veriut. Ai ka planifikuar një buxhet të majmë për këtë. Aktin terrorist të radhës Aleksandri do të përpiqet ta mbrojë me atë që ai e quan “revoltë e serbëve të Kosovës”! Edhe me 24 shtator këtë synoi, por nuk funksionoi. Nuk i shkrepi pushka”, thotë Bytyçi.

Ai pohon se, duhet vigjilencë, duhet të rrijmë zgjuar ditë e natë e Kosova të përgjigjet njësoj si më 24 shtator kundër çdo përpjekjeje për destabilizim, me synim jo bllokimin, por fitoren serbe në dialog.

“Dialogu tani varet shumë nga ajo se si do të shkojë zhvillimi i ngjarjeve pas zgjedhjeve të 17 dhjetorit. Opozita proteston dhe i konteston këto zgjedhje. Vuçiq ka reaguar deri diku me dhunë kundër opozitës. Europianët e sidomos gjermanët, austriakët, por edhe të tjerë janë të mendimit se nuk duhet toleruar manipulimi i zgjedhjeve nga ana e presidentit të Serbisë. Amerikanët janë më të kujdesshëm dhe kanë bërë thirrje për bashkëpunim. Pra janë për një njohje të rezultatit zgjedhor. Vuçiq gjendet midis dy ofertave, ofertës së kërbaçit gjerman dhe ofertës së kulaçit amerikan. A është kjo një axhendë e rekorduar midis këtyre vendeve. Ka mundësi të jetë llogari e presionit dhe e lëshimeve ndaj presidentit Vuçiq”, vlerëson profesori, i cili shton se këtë taktikë e ka vënë re ai, prandaj dhe po luan me të njëjtat mjete.

“Nga një anë flirton me Rusinë, si karem presioni që ta lënë rehat në ushtrimin e pushtetit. Nga ana tjetër bën ndonjë lëshim, si ai për njohjen e targave RKS. Pra, po ju thotë perendimorëve se ai është i aftë edhe të forcojë lidhjet me Moskën, edhe të bëjë lëshime ndaj Kosovës. Por unë vazhdoj të besoj se është sërishmi në rrugën e mashtrimit të opinionit dhe perendimorëve. Vuçiq dhe bashkëpunëtorët e tij nuk kanë ndërmend të shkëputen nga lidhjet me Kremlinin”, thotë ai.

Bytyçi shprehet se për këto arsye nuk sheh arsye dhe mundësi që Beogradi të pranojë marrëveshjen e shkurtit të Brukselit dhe aneksin e marsit të Ohrit.

“Zgjidhja është pranimi, firmosja dhe zbatimi i këtyre dy dokumenteve. Pikërisht këtë nuk e bën Vuçiq. Dhe nëse zgjidhja nuk vjen deri në fund të muajit mars, jam i sigurt se marrëveshje e zgjidhje përtej këtij afati nuk do të ketë. Në maj janë zgjedhjet për parlamentin europian dhe në nëntor për president në SHBA. Askush nuk do ta ketë mendjen te dialogu Kosovë-Serbi. Të shohim”, përfundon profesori Enver Bytyçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat