Profesori Enver Bytyçi për “Bota sot” ka komentuar debatin mbi hapjen e Urës së Ibrit.
Ai u shpreh se ura duhet të hapet, pavarësisht kundërshtimit të ndërkombëtarëve.
Sipas tij, pavarësisht çdo gjëje, Kurti kur nis diçka e realizon, mirëpo po e shtyn vendimin thjesht që t’ia bëjë me dije publikut se konsultimi me ndërkombëtarët nuk ka munguar.
“Debat i madh nëse do të hapet ose jo Ura e Ibrit. Shumica beson se ajo duhet dhe dhe do të hapet. Një pakicë, kryesisht garniturë e ideve për ndryshim kufijsh dhe Open Balkan, thonë se Albin Kurti nuk mund ta hapë urën, sepse nuk mund të konfrontohet me NATO-n.
Unë di një gjë: - Kur Albin Kurti është nis ta realizojë diçka e ka realizuar, pavarësisht kostove që kanë patur aksionet e tij politike për vendosjen e kontrollit në gjithë territorin e vendit, sidomos në veri. Kësaj radhe është pak ndryshe. Kurti po e përdor me durim konsultimin me ndërkombëtarët. Jo se nuk e ka marrë vendimin. Por e shtyn vendimin thjesht që të justifikohet në publikun e Kosovës se nuk kanë munguar konsultat me aleatët”, nënvizoi ai.
Krahas kësaj, Bytyçi beson se QUINT-i dëshiron ta dështojë hapjen e urës, jo për shkak të sigurisë, por për shkak të impaktit që ka ky vendim në rritjen e autoritetit në elektorat të Kurtit.
“Aleatët kësaj radhe po duan ta angazhojnë edhe NATO-n, si pjesë e konsultave. Me qëllim që presioni ndaj Kurtit të rritet e ai të tërhiqet nga zbatimi i vendimit për hapjen e Urës së Ibrit. Mesa shoh QUINT-i dëshiron ta dështojë hapjen e urës, jo thjesht për shkak të cënimit të sigurisë, sa për shkak të impaktit që ka kjo për rritjen e autoritetit në elektorat të kryeministrit të Kosovës. Pra, ata nuk duan që Kurti pas zgjedhjeve të ardhshme të qeveris i vetëm.
Për këtë arsye Kurti duhet të bëjë shumë kujdes. Të mos bjerë në kurth. Që do të thotë do të duhet të jetë i përgatitur për ndonjë agresion tjetër serb në komunat e veriut e ndoshta edhe në jug të vendit. Ka shumë mundësi që një ose më shumë vende të QIUNT-it, të gjitha ato anëtare me peshë në NATO, të bëhen palë inkurajuese për Serbinë për akte diversioni e ndoshta terroriste. Në politikë nuk kanë rëndësi mjetet, rëndësi ka qëllimi! Kjo është aksioma e përgjithshme e saj. Fatkeqësisht!”
Në fund, për “Bota sot”, profesori paralajmëroi Kurtin se do të përballet me presionin politik të krerëve të shteteve dhe diplomacitë e vendeve të QIUNT-it.
“Prandaj, nëse Kurti nuk e ka ose nuk mund ta ketë situatën e sigurisë nën kontroll të rreptë, e ka të vështirë ta hapë Urën e Ibrit. Sepse vërtet akti i hapjes së saj i sjell atij pikë elektorale e politike, por një akt terrori i Serbisë e çon këtë kredibilitet në fund të kuotave.
Ndërkaq Kurti duhet të llogarisë të përballet me presionin politik të krerëve të shteteve dhe diplomacitë e vendeve të QIUNT-it. I pari do të jetë kryeministri i Shqipërisë, pavarësisht problemeve pa fund që i kanë dalë, ai që do ta dënojë hapjen e Urës jashtë kontekstit të bisedimeve Kosovë-Serbi e pa lejen e Brukselit. Amerika tashmë e ka bërë atë dalje!” – përmbylli Enver Bytyçi.