Deputetët e Kuvendit të Kosovës pritet të fillojnë sesioni vjeshtor kah mesi i muajit shtator. Ky sesion do të filloj pak muaj para zgjedhjeve parlamentare që janë përcaktuar të mbahen me datën 9 shkurt të vitit të ardhshëm.
Duke qenë se zgjedhjet janë jo fortë larg, a do të shfrytëzohet ky session për agjendën legjislative apo për akuza dhe kundërakuza ndërmjet deputetëve për qëllimet e tyre elektorale?
Lidhur me këtë ҫështje, për ‘Bota sot’ kanë folur njohës të fushës së politikës dhe juridikut.
Kështu, analistja politike, Magbule Shkodra, thekson se, duke marrë parasysh të kalurën, është vërejtur mungesë e madhe e deputetëve nëpër seanca, ndërsa kësaj radhe duhet të miratohen draft projektligjet që kanë kaluar në lexim të parë.
Shkodra: Ky sesion vjeshtor të shfrytëzohet nga deputetët për fushatë para elektorale
“Mazhoranca do të thotë deputetët e mazhorancës të jenë prezentë në seancat parlamentare, pasi që në të kaluarën, sidomos në këto sesione paraprak pranveror është vërejtur një mungesë e madhe e deputetëve të saj dhe do të ishte mirë që në këtë sesion vjeshtor të kalojnë ligjet të cilat, do të thotë draftprojektligjet, të cilat kanë kaluar në lexim të parë apo lexim të dytë dhe ato të miratohen”, vlerëson ajo.
Megjithatë, ajo thotë se, nuk do të ketë kohë për projekte të reja, që të nisen nga fillimi.
“Nuk besoj se do të ketë kohë për projektligje të reja, do të thotë që të dorëzohen dhe të fillohet prej fillimit”, thekson Shkodra.
Analistja thotë tutje se, pret që ky sesion vjeshtor të shfrytëzohet nga deputetët për fushatë para elektorale.
"Mirëpo, po ashtu, pritjet e mia janë që ky sesion vjeshtor do të shfrytëzohet për fushatë do të thotë paraelektorale, për platformat e partive si ajo në qeveri, si këto opozitare dhe foltorja e Kuvendit do të shfrytëzohet për një lloj fushate paraelektorale”, tha analistja Magbule Shkodra.
Poashtu, për këtë ҫështje, ka folur edhe juristi, Blerim Burjani. Ai vlerëson se do të ketë akuza dhe kundër akuza, që ta paraqesin Lëvizjen Vetëvendosje të paaftë dhe shkelëse të Kushtetutës.
Burjani: Vetëvendosje do të bëjë përpjekje të merret me pagat dhe pensionet për të fituar elektorat
“Më shumë do të ketë akuza dhe kundërakuza dhe lloj fushate në Kuvend, ideja me paraqit Vetëvendosjen të paaftë në legjislativ, shkelës të kushtetutës. Tash më shumë do të ketë marketing politik në Kuvend dhe në debate”, vlerëson ai.
Juristi Burjani thekson se partitë politike tashmë po hynë në procese zgjedhore nuk pritet diҫka tjetër. Ndësra për pozitën thotë se do të bëjnë përpjekje me pagat dhe pensionet, për të fituar elektorat.
“Kjo po dihet, tash dalëngadalë hynë në procese zgjedhore dhe më nuk do të mund të pritet diҫka tjetër, normal se Vetëvendosje do të bëjë përpjekje të merret me pagat dhe pensionet për të fituar elektorat dhe kjo është e kuptueshme”, tha Burjani.