Komentohet deklarata e Kurtit për rrezikun në Ballkan/ Ekspertët e sigurisë zbardhin prapaskenat - paralajmërojnë Kosovën për këtë gjë!

Politika

Komentohet deklarata e Kurtit për rrezikun në Ballkan/ Ekspertët e sigurisë zbardhin prapaskenat - paralajmërojnë Kosovën për këtë gjë!

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 5 tetor 2024 Në ora: 08:04
Albin Kurti- Aleksander Vuciq

Lufta në Ukrainë po vazhdon të jetë ende aktive e më shumë sulme nga Rusia.

E kjo luftë me shumë tensione ka arritur të prek situatën e sigurisë edhe në Ballkan.

Më shqetësuese shihet afërsia mes Rusisë dhe Serbisë dhe planet e tyre për destabilizim.

E së fundmi, ishte kryeministri Kurti që bëri një paralajmërim të rëndësishëm.

Kurti, tha të enjten se rajoni i Ballkanit ka gëzuar shkallën më të lartë të paqes, lirisë dhe demokracisë gjatë 25 viteve të fundit, por kjo mund të ndryshojë nëse Rusia ngadhënjen në Ukrainë dhe inkurajon kësisoj zgjerimin serb.

Kryeministri Kurti, tha se është e rëndësishme që Perëndimi të qëndrojë i bashkuar në mbështetje të Ukrainës, ndërsa ajo mbrohet nga agresioni rus.

Në një intervistë me agjencinë e lajmeve Associated Press, kryeministri Kurti argumentoi se një Rusi më e fortë do të trimëronte Serbinë dhe jo vetëm Kosova, por edhe Bosnja, Mali i Zi dhe “ndoshta Maqedonia e Veriut” do të rrezikoheshin nga ato që ai i përshkroi si ambicie ekspansioniste serbe.

Kujtojmë që marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mbeten të tensionuara dhe bisedimet 13 vjeçare të normalizimit të lehtësuara nga Bashkimi Evropian nuk kanë shënuar ndonjë përparim, veçanërisht pas një shkëmbimi zjarri në shtator të vitit të kaluar midis serbëve të maskuar të armatosur dhe policisë së Kosovës, që la pas vetes katër të vrarë.

Por, sa të rrezikuar jemi në këtë situatë flasin ekspertët e sigurisë.

Softa: Sa më shumë të ketë peshë në gjeopolitikë Rusia aq më shumë nxitet Serbia

Në lidhje me këtë temë, në një prononcim për “Bota sot”, ka folur eksperti i sigurisë Fatjon Softa.

Ai thotë se Serbia është një model i Rusisë dhe së bashku po tentojnë të kthejnë ish-Jugosllavinë.

“Serbia, është një model i Rusisë, lidhjet e saj me interesa politike, fetare, nxisin dhe frymëzojnë ambiciet e tyre për hegjemoni dhe një Serbi të madhe për tu kthyer tek ish-Jugosllavia. Ambiciet e saj janë ndaj Kosovës, Malit të Zi, Bosnjës, Maqedonisë por dhe Republikave të tjera që u shkëputen. Është në ekzistencën e tyre të pushtetit politik, mbajtja gjallë e kësaj flake. Modelin e Rusisë, pas aneksimit të Krimesë, filloi aneksimin e disa rajonëve në Ukrainë, në rrugen e ish Bashkimit Sovjetik”, u shpreh ai.

Image
Fatjon Softa

Më tej, eksperti i sigurisë theksoi që Serbia është një pykë që Rusia dhe Kina kanë për të depërtuar në zemër të Europës dhe se e njëjta me financimet ruse po bën rekrutimin e shqiptarëve nga shërbimet intelegjente.

më shumë të ketë peshë në gjeopolitikë Rusia, aq më shumë nxitet Serbia. Serbia është një pykë që Rusia dhe Kina kanë për të depërtuar në zemër të Europës. Ajo çfarë Serbia po bën, me financime ruse është rekrutimi edhe shqiptar nga shërbimet inteligjente si në media, ashtu dhe në institucione duke i paraprirë situatave të mëvonshme”, foli Softa për “Bota sot”.

Halimi: Zhvillimet në arenën ndërkombëtare ndikojnë edhe në Kosovë

Ndërsa, Armend Halimi nga Instituti për Studime të Sigurisë ISS, në një bashkëbisedim me “Bota sot”, është shprehur se zhvilimet në arenën ndërkombëtare mund të bëjnë një kthesë të papritur edhe në rajon e në Kosovë.

Siç theksoi ai, me një progres të agresionit rus ndaj Ukrainës, Serbia do ndiente një garancë për sulm karshi Kosovës.

“Natyrisht, ashtu siç e kam theksuar prej kohësh, zhvillimet në arenën ndërkombëtare, sidomos në raport me Serbinë, bëjnë kthesa të papritura edhe në rajon, konkretisht në Kosovë.

Pra, me një progres të agresionit rus ndaj Ukrainës, Serbia do ndiente një garancë për sulm karshi Kosovës, aspiratë të cilën e shpërfaq vazhdimisht presidenti i papërmirësueshëm serb Vuçiq”, përfundoi Halimi për “Bota sot”.

Image
Armend Halimi

Vlen të theksohet që përpjekjet serbe për të ruajtur dominimin ndërsa ish-Jugosllavia u shpërbë në vitet 1990, shkaktuan luftërat më shkatërruese në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore, të paktën deri në agresionin rus në Ukrainë me 24 shkurt të vitit 2022.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat