‘Lufta’ e Haradinajt ndaj Kurtit dhe akuzat për lidhjet me Vuçiqin, parashikohet humbje e rëndë në zgjedhjet e reja

Politika

‘Lufta’ e Haradinajt ndaj Kurtit dhe akuzat për lidhjet me Vuçiqin, parashikohet humbje e rëndë në zgjedhjet e reja

Arife Morina-Mulaku Nga Arife Morina-Mulaku Më 7 tetor 2024 Në ora: 08:01
Albin Kurti dhe Ramush Haradinaj

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj kohëve të fundit ka qenë kritiku më i madh i kryeministrit Albin Kurti.

Mirëpo, më shumë kanë hedhur akuza se sa që ka dhënë kritika të mirëfillta.

Së fundi, ai ka befasuar edhe një akuzë tjetër të rëndë, ku ka insistuar se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq kanë agjendë të përbashkët dhe se punojnë bashkë.

Haradinaj ka thënë se të dy krijojnë kriza për ta nxjerrë njëri-tjetrin nga problemet. Këtu ai e ka përmendur edhe sulmin terrorist në Banjskë, në të cilin mbetën të vrarë pjesëtari i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku dhe tre pjesëtarë të grupit terrorist.

“Vuçiqi dhe Kurti janë bashkë, janë me një agjendë, punojnë bashkë. Kur Vuçiqi është ngushtë, e bën naj budallaki Albini dhe e nxjerr prej krizave atë, kur Albini është ngushtë, e bën ai ndonjë krim e sulm terrorist si ai në Banjskë dhe e nxjerr prej problemit Albinin”, ka thënë Haradinaj

“Është shumë e thjeshtë. Do të vërtetohet si në energji që e shpjegova që na ka lënë kështu”, ka theksuar kryetari i AAK-së.

Mirëpo, se a do e ndihmojnë apo do e dëmtojnë Haradinajn këto akuza në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, mbetet të shihet.

Kjo vërehet së është një luftë për pushtet, marrë parasysh edhe faktin se zgjedhjet e reja parlamentare janë afër.

E përekëtë, analistët dhanë këndvështrimet e tyre rreth këtyr akuzave dhe i ndërlidhën ato me parafushatën zgjedhore.

Zogaj: Jemi dëshmitarë të një kthese të zhurmshme që po fillon të përfshijë skenën politike të Kosovë

E në lidhje me këto akuza të rënda të Haradinajt, ka folur publicisti Skënder Zogaj.

Image
Skënder Zogaj.

Ai në një prononcim për “Bota sot” tha se këto deklarata të fundit të kreut të AAK-së, ndonëse janë në kuadër të parafushatës zgjedhore, janë absurde dhe të papranueshme.

Madje, ai potencoi se kjo zhurmë është tepër e dëmshme dhe cenon interesin jetik të Kosovës.

“Jemi dëshmitarë të një kthese të zhurmshme që po fillon të përfshijë skenën politike të Kosovë, e cila absolutisht është nisma e fushatës parazgjedhore, e cila unë mendoj se është në parim, absurde dhe krejtësisht e papranueshme, madje tepër e dëmshme sepse, në thelb e cenon interesin jetik historik të Kosovës, në kohën dhe rrethanat më të votshme për jetësimin e lirisë dhe të pavarësisë!

Nuk dua të merrem fare me deklaratat e asnjërës palë, por du të them se kjo që po ndodh aktualisht në Kosovë është krejtësisht e ngjashme me zhvillimet në Shqipërinë londineze, pas shpalljes së pavarësisë, kur partitë politike në vend se të punojnë për forcimin e shtetit, i rreken aventurave për pushtet dhe, tash e 112 vjet, Shqipëri nuk është shtet i lirë dhe as i pavarur, por është “Ferma..." e veprës së George Orëell-it!” – nënvizoi publicisti.

Krahas kësaj, Zogaj tha se akuzat nuk janë mënyra e ecjes përpara, kriitikat duhet të bëhen, por jo edhe akuza të palejueshme dhe pa fakte.

“Duket shumë e trishtueshme kjo që po them, por, kam parasysh se jemi 24 vjet pas luftës, dhe jo vetëm se kemi vendnumëruar, po po bëjmë gjithçka për t'u zmbrapsur! Akuzat nuk janë mënyra e ecjes përpara! Kritikat po, duhet të bëhen, sepse kritikat janë fuqi dhe mjet demokratik, ndërsa akuzat janë të palejueshme, për partitë politike, të cilat nëse kanë fakte konkrete duhet t'ia drejtojnë drejtësisë! Kjo duhet të vlejë për të gjithë, për pozitën dhe opozitën, që gabojnë shumë nëse mendojnë të forcohen dhe të fitojnë duke akuzuar! E kanë shumë gabim sepse jemi lodhur nga kjo arrogancë, që pas luftës vriste individët, ndërsa tash po vret shpirtin dhe mendjen e gjithë popullit, që kurrë nuk ka qenë kaq shpresëhumbur!”.

Ndër të tjera, publicisti shtoi se reformat janë ato që sigurojnë standarde vlerash për të cilat duhet të angazhohen liderët e të gjitha partive.

“Prandaj, partitë politike, të gjithat, në vend të akuzave për simotrat, do të duhej të kritikonin vetveten sepse, asnjëra (hiç asnjëra) nuk është ajo që do të duhej të ishte! Të gjithat janë llafazane të kota, të gjitha janë arkaike, asnjëra nuk ka program serioz strategjik për qeverisjen e vendit, asnjëra nuk ka strukturë partiake standardeve demokratike të përfaqësimit, të gjitha mbledhin njerëz pa-kurrizor që i kanë bërë eskurzione nëpër të gjitha partitë politike dhe që janë irritues për elektoratin. Reformat janë që sigurojnë standarde vlerash për të cilat duhet të angazhohen liderët dhe të flasin e t'i informojnë qytetarët! Kjo është mënyra, mjeti dhe rruga e ecjes përpara!” – përmbylli Skënder Zogaj për “Bota sot”.

Mehmeti: Më vjen keq ku ka përfunduar Haradinaj

Kurse, analisti politik, Faton Mehmeti tha se Haradinaj duket se është ‘çmendur’ me këto akuza, pasi të tilla nuk duhen të bëhen.

Image
Faton Mehmeti

Sipas tij, kjo vjen nga frika e Ramushit në dështimin e zgjedhjeve të” ardhshme.

“Ramushi është “tranu”, siç thotë një fjalë popullore. Edhe vet ai nuk besoj se është i vetëdijshëm çfarë thotë, uroj që të jetë mirë nga mendja se në një gjendje normale askush nuk i beson këto akuza. Sigurisht krejt këto janë pasojë nga frika e dështimit të pritshëm në zgjedhje, sigurisht sondazhet e brendshme japin shifra të tmerrshme për Ramushin, derisa LVV pritet të fitojë bindshëm”.

Në fund, theksoi se Haradinaj me akuza të tilla vetëm sa po e forcon pozitën e Kurtit te qytetarët, dhe po i shtynë këta të fundit që edhe më shumë ta votojnë atë.

“Më vjen keq ku ka përfunduar Haradinaj, sa më shumë që vazhdon të bëjë akuza të tilla pa asnjë bazë veç sa përligj edhe më shumë vendosmërinë e qytetarëve për të mos votuar AAK. Besoj se me afrimin e zgjedhjeve edhe më shumë do të "tranohet" Ramushi, asgjë mos çuditni, kur humbë pushtetin njeriu humbë edhe mendjen”, përmbylli Faton Mehmeti për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat