“Të tmerruar nga sondazhet, këto janë planet e partive opozitare ndaj Vetëvendosjes në zgjedhjet e reja”

Politika

“Të tmerruar nga sondazhet, këto janë planet e partive opozitare ndaj Vetëvendosjes në zgjedhjet e reja”

Nga: H.O. Më: 8 tetor 2024 Në ora: 08:01
Liderët e partive opozitare

Ndonëse ka mbetur edhe pak kohë deri në zgjedhjet e ardhshme, aktualisht po flitet për koalicione para dhe paszgjedhore. Cilat parti mund të qeverisin së bashku?

AAK dhe Nisma tashmë kanë bashkuar forcat për të garuar së bashku në zgjedhje. E për këtë vendim të tyre, veprimtari dhe publicisti, Idriz Zeqiraj, thotë se kanë bërë koalicione nga frika e mos kalimit të pragut zgjedhor.

“Parti, partiza dhe grupime minore, kanë bërë koalicione parazgjedhore, nga frika e mos arritjes të përqindjes së nevojshme të pragut zgjedhor. Ndoca parti të tjera janë koalicionuar, për të arritur kuotën e vendit të parë, respektivisht, të dytë. Opozita aktuale ka zgjedhur sulmin frontal, madje, skajshëm, të sforcuar kundër pozitës, sondazhet e së cilës janë shqetësuese, deri në tmerrim. Andaj, qysh tani, opozita, ndoshta edhe pozita, kanë filluar të bëjnë llogaritë për koalicionet pas zgjedhore”, vlerëson ai.

Image
Idriz Zeqiraj

Zeqiraj thotë se, është hedhur ideja e bojkotimit të koalicionit me LVV-në, ngjajshëm siç veproi opozita gjermane, e kryesuar nga CDU, duke e amortizuar fitoren e Kanzelarit Richard Schröder të SPD, me dyshimin që hodhi Amerika, karshi tij për flirtimet me Rusinë, dy dekada më parë.

“Ngjajshëm ndodhi, më vonë, edhe me partinë e ekstremit të djathë austriake, të kryesuar nga Hajder, e cila nuk u pranua nga SHBA, duke imponuar atë t`ia lëshoi vendin partisë së dytë fituese, për të krijuar qeverinë”, thotë Zeqiraj.

Ai thotë se ‘opozita destruktive aktuale e Kosovës, e kryesuar nga PDK, me zvarranikët e saj në PAN, rrëshqiti në faj, deri në krim, duke u bërë aleate besnike e Serbisë, në akuzat e rënda ndaj Kurtit’.

“PAN-i u vu në rolin e spiunimit të Qendrave të Vendosjes, në përpjekjen e ethshme të shpalljes - non grata - të Kryeministrit të Kosovës. Për rrjedhojë, realizoi - sanksionet - e padrejta, deri në absurditet të Kosovës; mos pranimin në Këshillin e Evropës; vënien në dyshim të ndihmave dhe favoreve tjera nga BE-ja; e mbi të gjitha, bartjen e fajësisë nga Serbia dhe mveshja e së keqës Kosovës. Për këtë u angazhua edhe pjesa me e madhe e mediave, e kulmuar me "analistët" banalistë, argatë të PAN-it kriminal. Tashmë, e gjithë kjo gamë poshtërsish është vërtetuar katërcipërisht”, nënvizoi Zeqiraj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat