Ditëve të fundit është ashpërsuar tej mase gjuha politike nëpër tubimet zgjedhore të subjekteve politike, por edhe nëpër debate televizive.
Me akuza e kundër akuza nga më të rëndat po “sulmohen” disa nga liderët dhe përfaqësuesit e subjekteve garuese në zgjedhjet e 9 shkurtit.
Ky diskurs po përdoret edhe nëpër debatet e përnatshme televizive.
Në një prononcim për gazetën “Bota sot” publicisti Gezim Mekuli ka dhënë një kritikë të ashpër ndaj debatit publik në Kosovë dhe Shqipëri, duke e krahasuar atë me filozofinë e Platonit.
"Është budallallëk të debatosh me ata që nuk kërkojnë të vërtetën". Pse debatet, sipas Platonit, janë budallallëk dhe të rrezikshme?
Kur përballemi me mendime të kundërta, ne i kthehemi debatit, apo jo? Por ka një dallim të thellë midis "dialektikës", që kërkon të vërtetën përmes diskutimit-kuvendimit, dhe "debatit", që është vetëm një sport i egos, me fitues dhe humbës.
Platoni, filozofi i lashtë grek, e përçmonte artin e debatit sepse, sipas tij, shumica e njerëzve nuk e kërkojnë të vërtetën, por thjesht duan të fitojnë. Ky mendim vlen edhe për shumicën e "debateve" tona, ku shpesh përplasjet janë të mbushura me sulme personale dhe retorikë boshe, dhe jo argumente të mirëfillta.
Në kohën e Platonit, sofistët ishin mjeshtër të fjalës, të cilët i mësonin njerëzit si të bindnin turmat dhe të fitonin debate, pavarësisht nëse kishin të drejtë apo jo. Platoni i kritikoi ashpër sofistët, duke i quajtur mashtrues që ushqenin kotësinë e njerëzve dhe shtrëmbëronin të vërtetën”, ka thënë Mekuli.
Sipas tij, debutuesit në Prishtinë dhe Tiranë ndjekin rrugën e njëjtë, atë të sulmeve personale në vend se të diskutojnë për një projektligj apo si të mbrohemi nga Beogradi!
Ai shton se shumë debate televizive janë të mbushura me fraza të pabaza si "Ose mbështet këtë parti, ose je kundër zhvillimit të vendit", të cilat, sipas tij, vetëm shtojnë polarizimin dhe tensionet në vend.
“Në Prishtinë dhe Tiranë, politikanët dhe debatuesit televizivë ndjekin të njëjtën rrugë:
Sulme personale (ad hominem): Për shembull, në vend që të diskutohet një projektligj apo si të mbrohemi nga Beogradi, debati zhvendoset në jetën private të politikanëve.
Dilema të rreme: Në diskursin publik shpesh dëgjojmë fraza si: “Ose mbështes këtë parti, ose je kundër zhvillimit të vendit.” "Albini punon për Serbinë", "Donika është spiunë", "Qeveria Kurti ka vjedhur"...etj.
Devijime nga tema: Politikanët tanë shmangin pyetjet konkrete, duke folur për "arritje" të tjera pa lidhje, pa peshë e pa argumente”, thekson ai.
“Pyes, a janë debatet tona thjesht humbje kohe, të nderuar lexues?
Një problem madhor në Kosovë dhe Shqipëri është shndërrimi i debateve publike në cirkus dhe spektakle boshe, ku përqendrimi nuk është tek zgjidhja e problemeve, por tek përplasja për të tërhequr vëmendjen e publikut.
Në vend që të trajtohen çështje jetike si arsimi, politika (Serbia) apo ekonomia, shumë debate televizive mbesin në sulme personale, britma, piskama, pështymë dhe retorikë boshe.
Platoni do të argumentonte se angazhimi në këto debate është "humbje kohe", sepse, siç thoshte ai, "Është budallallëk të debatosh me ata që nuk kërkojnë të vërtetën."
Përkundrazi, energjia duhet të përqendrohet në dialog të mirëfilltë, ku palët kërkojnë zgjidhje dhe mirëkuptim”, potencon ai.
Në përfundim, Mekuli apelon për një ndryshim të thellë në mënyrën se si zhvillohen debatet publike.
Ai sugjeron që energjia e debatuesve të drejtohet drejt një dialogu të mirëfilltë dhe konstruktiv, ku palët të kërkojnë zgjidhje dhe mirëkuptim, duke shmangur përplasjet që shpenzojnë kohë dhe energji për asgjë.
“Të dashur lexues, debatet në Kosovë nuk sjellin përfitime për të përgjithshmen; për popullin. E them këtë sepse, nëse dikush ka argumente të zbrazëta, sulmon personalisht ose i shmanget temës, atëherë debati me këta njerëz është i kotë. Në vend që të shpenzohet kohë për të fituar një "sport" fjalësh, duhet ndjekur qasja dialektike, që kërkon zgjidhje, mirëkuptim dhe të vërtetën.
Dikush mund të thotë: "Në një vend ku të gjithë duan të fitojnë, kush do të kërkojë të vërtetën?" Kjo është pyetja që çdo qytetar dhe politikan, në Kosovë dhe Shqipëri, duhet ta mendojë sinqerisht dhe seriozisht. Koha është e vlefshme; mos e humbni me budallallëqet!", ka përfunduar Mekuli prononcimin e tij për “Bota sot”.