Koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje, ja si përgjigjet ish- deputeti i PDK-së

Politika

Koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje, ja si përgjigjet ish- deputeti i PDK-së

Nga: N.E Më: 18 shkurt 2025 Në ora: 18:49
Foto ilustrim

Zëdhënësi i KQZ’së, Valmir Elezi, ka folur sot në një konferencë për media.

Ai ka treguar se po vazhdon puna për shpalljen e rezultateve përfundimtare për subjekte dhe kandidatë për deputetë.

Sipas tij, janë edhe disa punë që duhet të kryhen para se të shpallen rezultatet përfundimtare.

“Deri në shpalljen e rezultateve përfundimtare KQZ duhet të numërojë votat e kandidatëve për deputetë dhe të bëjë verifikimin e votave të subjekteve politike nga formularët që janë plotësuar në vendvotime.

Të bëjë numërimin e votave me kusht, personave me nevoja të veçanta, votat nga votimi jashtë Kosovës dhe pasi të vendoset për ankesat eventuale nga PZAP, Gjykata Supreme dhe pas përfundimit të të gjitha procedurave në qendrën e numërimit dhe rezultateve”, ka thënë ai.

Sipas tij, që nga 9 shkurti, kur ka filluar vlerësimi i tyre, deri më tani këtij procesi iu janë nënshtruar rreth 28 mijë e 99 pako, prej të cilave janë aprovuar 26 mijë e 13, ndërsa 2 mijë mijë tjera janë refuzuar.

Shkaku i refuzimit, sipas tij është se janë dërguar nga persona që janë anuluar gjatë regjistrimit si votues jashtë Kosovës dhe iu ka munguar dëftesa e regjistrimit apo janë dërguar më shumë se njëherë.

“Lidhur me numërimin e votave të kandidatëve për deputetë dhe verifikim e rezultateve të subjekteve politike nga formularët e plotësuar në vendvotime në Qendra Komunale të numërimit, ju njoftoj se deri më 18 shkurt në orën 16:00 janë numëruar rreth 78 për qind të vendvotimeve apo rreth 1 mijë e 970 nga dy mijë e 533 sosh. Ju njoftoj se, është duke vazhduar procesi i vlerësimit të pakove në fletëvotime nga votimi jashtë Kosovës, respektivisht nga votimi përmes postës nga data 9 shkurt, kur ka filluar vlerësimi apo verifikimi i pakove në fletëvotime nga votimi jashtë Kosovës, deri më tani me 18 shkurt këtij procesi iu janë nënshtruar rreth 28 mijë e 99 pako prej të cilave janë aprovuar 26 mijë e 13, ndërkaq janë refuzuar dy mijë e 57. Arsyeja pse janë refuzuar këto dërgesa postare, është se ato janë dërguar nga persona që janë anuluar gjatë regjistrimit si votues jashtë Kosovës iu mungon dëftesa e regjistrimit, apo janë dërguar më shumë se një herë”, u shpreh Elezi.

Elezi, ka shtuar se ky proces i numërimit të votave, do të përmbyllet brenda pak ditësh.

Në përgjithësi, numri i shtetasve të Kosovës të regjistruar për të votuar jashtë Kosovës ishte 104 mijë e 924, prej të cilëve 20 mijë e 324 ishin regjistruar për votim në përfaqësi diplomatike dhe votuan 15 mijë 352, ndërkaq për votimin përmes postës ishin regjistruar 84,600 shtetas.

Duke u mbështetur në të dhënat e KQZ-së, numri i zarfeve me fletëvotimeve nga vendvotimet me kusht është 12 mijë e 801, të cilat gjithashtu do t’i nënshtrohen verifikimit, i cili përfshin krahasimin me listën e votuesve të nënshkruar në vendvotime të rregullta. Ndërkaq, numri i votave të personave me nevoja të veçanta është 2 mijë e 597 vota.

Gjersa, vazhdojnë procedurat e numërimit të votave, tashmë një gjë është e sigurt se Lëvizja Vetëvendosje, partia që ka marrë më tepër vota dhe që ka dalë e para në zgjedhje, nuk mund ta formojë qeverinë e vetme dhe medoemos duhet të formojë një koalicion.

“Bota sot”, ka pyetur Partinë Demokratike të Kosovës, në lidhje me një koalicion të mundshëm, dhe ish- deputeti dhe kandidati, Nait Hasani, e ka mohohuar një të tillë.

Sipas tij, PDK duhet të ketë vija të kuqe dhe vota e tij në kuvend nuk shkon për një koalicion të tillë.

“Për mua Partia Demokratike e Kosovës duhet të ketë vija të kuqe, votën time nuk e ka në Kuvendin e Kosovës vetëm me Lëvizjen Vetëvendosje në koalicion. Prandaj, nëse tentohet të bëhet koalicion në Kuvend me Lëvizjen Vetëvendosje, vota ime është kundër edhe nëse Bedri Hamza nuk bëhet kryeministër, këtë ia kam deklaruar edhe kryetarit të partisë, edhe në publik e nëpër studio televizive, sepse nuk mund ta bëjë atë fyerje që i është bërë në Kuvend, nuk mund ta bëjë atë dhunën që i është bërë në kuvend, atë dhunën dhe që nuk i ka mbrojtur vlerat e luftës, nuk ka qenë në gjendje t’ia bëjë një vizitë në Dhoma të Specializuara atyre që e kanë zhvilluar dhe ndërtuar shtetin”, ka deklaruar Hasani.

Image
Nait Hasani

Kujtojmë se kur janë numëruar mbi 99 për qind e votave vetëm për subjektet politike, partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, i ka fituar 40.81 për qind të votave, sipas KQZ-së.

Partitë opozitare, Partia Demokratike e Kosovës i ka fituar 22.16 për qind të votave, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës i ka siguruar 17.60 për qind të votave.

Koalicioni mes Aleancës për Ardhmëninë e Kosovës dhe NISMA-s, fitoi 7.46 për qind të votave. Ndërkohë, Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve të Kosovës, i fitoi 4.43 për qind të votave.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat