Më 27 shkurt u bënë dy vite nga marrëveshja për Rrugën e Normalizimit të Marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq u pajtuan për këtë ujdi më 27 shkurt të viti 2023, me ndërmjetësimin e ish-emisarit të BE-së për Kosovë, Mirosllav Lajcak dhe ish shefit për punë të jashtme të BE-së, Josep Borrel.
Marrëveshja e cila njihet si plani Franko-Gjerman, e cila parasheh, pranimin e simboleve kombëtare dhe respektimin e integritetit territorial, anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, por edhe çështje të tjera, do duhej të normalizonte raportet mes palëve.
E në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur Driton Tali.
Ai thotë se Marrëveshja e Brukselit që nga fillimi ka qenë e ditur që do të përfundoj kështu.
Sipas tij, Serbia ka qenë e inkurajuar nga Rusia që të refuzojë çdo marrëveshje me Kosovën.
“Që në fillim Marrëveshja e Brukselit, për shkak të gjeopolitikës, ishte e “dënuar të pësojë kështu" për mos të thënë "e dënuar të dështojë".
Serbia e inkurajuar nga Rusia refuzonte çfardo marrëveshje e cila Kosovës do t'i hapte rrugë për anëtarësim në mekanizmat botëror, me theks të veçantë në OKB”, u shpreh ai.
Më tej, Tali thotë se pa njohje të Kosovës nga Serbia cilado marrëveshje do të dështojë.
Gjithashtu ai thotë që derisa të ekzistojë kjo gjeopolitikë unë nuk po shoh mundësi për një marrëveshje të tillë.
“Mantra "Asociacionin për normalizim të marrëdhënieve" për mua gjithmonë ka qenë futile. Për faktin se asnjëhere nuk u definua normalizimi. Çka nënkuptojmë me normale - normalizim?! Sepse një situatë e vazhduar sado jo normale ajo merret si normale. Pastaj shtrohet pyetja tjetër: kur Kosova u bë sebep i ç'normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë? Me 1878;1912-1913; 1914-1918; 1919-1939... 1989-1999...!?
Prandaj Marrëveshja e Brukselit, por dhe cilado marrëveshje tjetër do të dështojë derisa në thelb nuk e ka njohjen e Kosovës në bazë të Kushtetutës ekzistuese, Kushtetutë të cilën e hartuan vet ndërkombatrët (Brukseli).
Dhe derisa të ekzistojë kjo gjeopolitikë unë nuk po shoh mundësi për një marrëveshje të tillë. Sidomos, jo derisa me Serbinë t'i kemi objektivat diametelisht të kundérta, ku: ajo gjithsesi tenton të zhbëjë Republikën tonë e ne që ta zhvillojmë sa ma shumë që mundemi”, përfundoi Tali për “Bota sot”.