Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) në Kosovë e ka miratuar të shtunën rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, në të cilin prin Lëvizja Vetëvendosje (LVV) me mbi 390.000 vota apo 42.30 për qind.
E dyta ka dalë Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me mbi 190.000 vota, apo 20.95 për qind, pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me mbi 170.000 mijë vota, apo 18.27 për qind.
Në vendin e katërt është koalicioni mes Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Nismës Social-demokrate me mbi 66.000 vota apo 7.06 për qind.
Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë – ka siguruar mbi 39.000 vota apo 4.26 për qind.
Me këto përqindje, LVV-ja i ka siguruar 48 ulëse në Kuvendin e Kosovës, PDK-ja, 24 sosh, LDK, 20 vende, Lista Serbe nëntë vende dhe koalicioni AAK-Nisma, tetë vende.
Rezultatet e këtyre zgjedhjeve konfirmuan se asnjë parti politike, e vetme nuk mund ta formojë qeverinë.
Megjithatë, duke parë deklaratat e ndryshme të përfaqësuesve të partive politike, duket se vështirë do të formohet qeveria, apo thjeshtë do marrë më shumë kohë ky proces.
Por, a ka rrezik për zgjedhje të jashtëzakonshme në rast se nuk ka marrëveshje mes liderëve partiakë?
Kelmendi: Bazë e ndërtimit të Qeverisë janë rezultatet e zgjedhjeve
E në lidhje me këtë temë, në një prononcim për “Bota sot” foli njohësi i çështjeve kushtetuese, Muhamet Kelmendi.
Së pari, ai u shpreh se çështja e formimit të qeverisë është e formuar me Kushtetutë, derisa dha disa detaje mbi këtë proces.

“Çështja e formimit të Qeverisë është e përcaktuar qartë me Kushtetutë.
Subjekti që ka dalur në zgjedhje i pari e merr mandatin për të formuar Qeverinë.
Paraprakisht nga koha e certifikimit të rezultateve të zgjedhjes, brenda një muaji, e fton Presidenti/ja seancën konstituive të Kuvendit.
Pas kësaj fillon procedura e ndërtimit të Qeverisë.
Subjekti që ka dalur fitues në zgjedhje e dërgon kandidatin për formimin e Qeverisë.
Presidenti/ja e dekreton mandatarin dhe nga ky qast rrjedhe afati kushtetues prej 15 ditëve”, deklaroi ai.
Më pas, Kelmendi sqaroi se si vepromet më tutje në rast se partia fituese nuk arrin t’i sigurojë numrat.
“Nëse ky subjekt, si VV nuk arrin t'i siguroj votat prej 61 deputetëve si të domosdoshme për Qeveri, ngarkohet nga Presidenti/ja kandidati tjetër i cili mund ta bëjë Qeverinë.
Kjo bëhet nga Presidenti/ja brenda 10 ditëve. Edhe ky i ka 15 ditë per t'i siguruar 61 vota në Kuvend për ndërtimin e Qeverisë. Nëse as tash nuk ka vota të mjaftueshme shkohet në zgjedhje të reja parlamentare”.
Ndër të tjera, tregoi se si shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare.
“I takon VV në rundin e parë të kujdeset për shumicën e votave prej 61 deputetëve në Kuvend.
Natyrisht se në rundin e dytë nuk do të thotë të ngarkohet dikush nga VV, por mandatari vjen nga subjekti që mendohet se i siguron 61 deputetë në Kuvend. Kjo varet nga Presidenti/ja që mendon se i mandatuari mund të sigurojë 61 vota.
Nëse as tash nuk sigurohen votat shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare”, përfundoi Muhamet Kelmendi për “Bota sot”.
Duhanaj: Politikanët të punojnë për zgjidhje e jo për zgjedhje të reja
Ndërsa, analisti politik, Leon Duhanaj kishte kritikat e tij në lidhje me procesin zgjedhor, pas raportimeve dhe dyshimeve për manipulime.
Ai në një prononcim për “Bota sot” u shpreh se ka sinjale se do ketë ende përçarje në skenën politike, bazuar në sinjalet që dhanë partitë.

“Kosova e kaloi një proces zgjedhor me 9 shkurt, pas një mandati të plotë qeverisës nga qeveria Kurti. Për fat të keq, kjo qeveri nuk është se mund të mbahet në mend për ndonjë të arritur, qoftë edhe minimale.
Megjithatë, një masë qytetarësh akoma nuk janë zgjuar nga opiumi ideologjik dhe si të tillë, në vend që të votojnë masivisht për të ardhme me të mirë, zgjodhën siç zgjodhën.
Tani jemi në një situatë të re. Partia e parë në zgjedhje LVV bashkë me partnerët e saj në koalicion, përveç që e përçanë skenën politike për katër vite qeveri destruktive dhe të papërgjegjshme, dhanë edhe shenja që këtë avaz do ta vazhdojnë akoma”, nënvizoi analisti.
Po ashtu, Duhanaj kishte disa kritika për KQZ-në, por edhe për kryeministrin Kurti, derisa tha sa se ky i fundit nuk duket të ketë interes për ndonjë koalicion.
“Qeveria Kurti (KQZ) dështoi për të përgatitur zgjedhje dhe proces normal të numërimit gjegjësisht përditësimit të votave.
Tani po bën përpjekje ta sabotojë dhe ta prolongojë sa me shumë certifikimin e zgjedhjeve.
Pra, z. Kurti e ka kuptuar se nuk ka lënë urë pa dëmtuar, qoftë në politikën e brendshme, qoftë në atë të jashtme.
Rruga e tij, nuk çon në zgjidhje. Ai edhe pse do t'i ketë afatet ligjore për krijimin e një koalicioni qeverisës, nuk besoj që ka interes fare e aq me pak që do t'ia dal”.
Në fund, analisti shpreon se partitë dhe politikanët të punojnë për zgjidhje e jo për zgjedhje të reja.
“Megjithatë, pas certifikimit të zgjedhjeve, ai do ta ketë afatin ligjor për të vepruar dhe, nëse nuk arrin të krijojë qeverinë e re, mandati do t'i kaloj z. Hamza dhe PDK-së, ku mendoj që kishte me qenë zgjidhja me e mirë për Kosovën.
Për mendimin tim, kjo zgjidhje mund të ndodhë, me bashkëpunimin opozitarë dhe nëse kjo nuk ndodhë, atëherë kemi krizë institucionale dhe vendi do të shkoj sërish në zgjedhje, gjë që do të ishte humbje e madhe për Kosovën. Sidomos në ketë kohë të ndryshimeve të mëdha gjeopolitike në botë.
Prandaj, uroj të kemi parti e politikanë të përgjithshëm dhe të punojnë për zgjidhje e jo për zgjedhje të reja”, përmbylli Leon Duhanaj për “Bota sot’.